Ballina Lajme Nga Rajoni Koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj është kandidat për Kryeministër

Koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj është kandidat për Kryeministër

SHPËRNDAJE

Tashmë edhe zyrtarisht në zgjedhjet e 11 qershorit, në një koalicion të madh do të garojnë PDK-AAK-Nisma, me Ramush Haradinajn kandidat për kryeministër. Këtë koalicion, në AAK e quajtën të zorit, derisa në Nisma thanë se ky bashkim forcash erdhi pas një koalicioni të inatit që nënshkruan LDK-ja dhe AKR-ja, që kishin për qëllim fitoren me çdo kusht, pa asnjë parim.

Në një konferencë të vonë pas mesnatës, anëtari i kryesisë së AAK-së Muharrem Nitaj tha se Ramush Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër të Kosovës, i koalicionit parazgjedhor ndërmjet AAK-Nisma dhe PDK-së.

Madje, Nitaj shtoi se besojnë fuqishëm se kjo është zgjidhja më e mirë dhe kjo është ajo kërkesa e disa viteve të fundit se ky vend ka nevojë të udhëhiqet nga një njeri që ka kredibilitet, dhe ky është Ramush Haradinaj.

Nitaj: Koalicioni PDK-AAK-Nisma do të dal fitues me Ramushin kryeministër

“Me duhet t’iu them se koalicioni i sotëm parazgjedhor është një zgjidhje e imponuar. Mirëpo, pavarësisht kësaj duke i parë gjitha rrethanat, të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur gjatë ditës së sotme, kemi vendosur që të shkojmë në bashkëqeverisje me PDK-në, ne si koalicion i arritur shumë kohë më parë me Nisman. Pa dyshim se koalicioni që kemi arritur me PDK-në do të jetë fituese në zgjedhjet e 11 qershorit. Marrëveshja me partnerin e koalicionit, PDK-në, nënkupton që lista e kandidatëve për deputet të ndahet në përpjestim të barabartë, pra 55 do t’i ketë koaliconi AAK-Nisma dhe 55 do t’i ketë PDK-ja”, tha Nitaj.

Por, deri pak qaste para nënshkrimit të kësaj marrëveshje, AAK-Nisma kishin vija të kuqe për PDK-në, mirëpo, sipas Nitajt, ata nuk i thyen vijat e kuqe, meqë synimi i tyre për kandidimin e Ramush Haradinajt për kryeministër është arritur.