Ballina Aktuale Integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë – është themeli i...

Integrimi i shqiptarëve në institucionet shtetërore të Serbisë – është themeli i stabilitetit

SHPËRNDAJE

Në një konferencë për shtyp, të organizuar, dje, në rezidencën e tij, kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe deputeti popullor Fatmir Hasani, kanë dhënë detaje në lidhje me takimin e të martës së 6 qershorit me presidentin e posa-zgjedhur të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Në konsultim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk kemi folur se kush do të jetë kryeministër, e as që kemi diskutuar se a do të mbështesim kryeministrin e ri, duke pasur parasysh se deputeti ynë ka votuar për zgjedhjen e ish-kryeministrit dhe e ka mbështetur atë. Ne biseduam në lidhje me gjërat që na bëjnë të mendojmë se është e rëndësishme për promovimin e mëtejshëm të shqiptarëve, si çështje thelbësore për stabilitetin në rajon”, u shpreh kryetari Kamberi, në konferencën për shtyp.

Në vazhdim, zoti Kamberi, shtoi se “Në pyetje janë problemet jetësore të shqiptarëve, të theksuara në “Planin prej shtatë-pikësh” e të cilat kanë të bëjnë me:  Integrimin e plotë të shqiptarëve në organet komunale dhe institucionet shtetërore, pastaj uljen enorme të papunësisë përmes  dhënies së subvencioneve të bizneseve  lokale dhe joshjen e investitorëve të huaj,  zgjidhjen e problemit të mungesës së teksteve dhe njohjes së diplomave të arsimit të lartë nga Kosova, rikthimin e  Gjykatën Themelore në Preshevë, vendosjen e nje prokurorie të përbashkët Bujanocit dhe Preshevës dhe vendosjes së Gjykatës për Kundërvajtje për këto dy komuna, privatizimit të Banjës së Bujanocit, si njërës nga kapacitetet më të rëndësishme ekonomike të Bujanocit. Për zgjidhjen efektive të këtyre problemeve të ndjeshme, ne e konsiderojmë më se të nevojshme riorganizimin e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, u shpreh kryetari Kamberi.

Vlen të theksohet se, të martën e 6 qershorit, një delegacion nga Lugina e Preshevës në përbërje të Riza Halimi, kryetari i PVD-së, deputeti popullor Fatmir Hasani, kryetarja e Komunës së Preshevës Ardita Sinani dhe kryetari i Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, kanë zhvilluar një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe bashkëpunëtorët e tij.

Aleksandër Vuçiq, si president i posa-zgjedhur i Serbisë, po në të njëjtën ditë, ka zhvilluar takime edhe me përfaqësuesit e pakicës hungareze e boshnjake, të cilat janë të përfaqësuara me deputetë në parlamentin serb, njofton Portali Jetapress.