Ballina Lajme Nga Bota Specialja të respektohet nga kushdo që vjen në pushtet

Specialja të respektohet nga kushdo që vjen në pushtet

SHPËRNDAJE

Analisti amerikan, Daniel Serwer, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri” ka folur edhe për efektin që Gjykata Speciale mund të ketë në skenën politike kosovare duke thënë se vendimet e saj do të duhen të respektohen, nga kushdo që është në pushtet në Kosovë.

Megjithatë, ka shtuar se në shumë raste do të jetë e vështirë që Gjykata të gjejë llojin e provave të kërkuara për aktakuzat, thjesht për shkak të kohës së kaluar.

Por, ai thotë se “është e qartë se ka pasur dhunë kundër serbëve dhe shqiptarëve pas luftës së vitit 1999”.

 

Zëri: Ka qenë interesant fakti se ish-komandantët e UÇK-së, të cilët drejtojnë subjekte politike parlamentare, kanë bërë koalicion parazgjedhor derisa në vazhdimësi kanë pasur konfrontime të ashpra mes vete. Në Kosovë spekulohet se ky bashkim i ish-komandantëve ndërlidhet me aktakuzat e Gjykatës Speciale për Kosovën. Sa janë reale këto pretendime?

Serwer: Unë nuk e di, por nuk do të më habiste tërësisht. Kur njerëzit parashikojnë një sulm, ata kërkojnë miq dhe aleatë. Por Gjykata Speciale dhe vendimet e saj do të duhen të respektohen, nga kushdo që është në pushtet në Kosovë.

Zëri: Nëse ish-krahu i luftës vjen në krye të qeverisë, sa mund të ketë pengesa për punën e Gjykatës Speciale apo edhe për dëshmitarët potencialë?

 Serwer: Nuk shpresoj. Dëshmitarët duhet të mbrohen, kushdo që vjen në pushtet. Vendimet e Gjykatës do të duhen të respektohen.

Zëri: A pritni një “tërmet” në skenën politike kosovare me ngritjen e aktakuzave të para nga Gjykata Speciale?

Serwer: Nuk e di se çfarë të pres pasi nuk kam njohuri për procedurat e Gjykatës Speciale. Unë mendoj se në shumë raste do të jetë e vështirë që Gjykata të gjejë llojin e provave të kërkuara për aktakuzat, thjesht për shkak të kohës së kaluar. Por është e qartë se ka pasur dhunë kundër serbëve dhe shqiptarëve pas luftës së vitit 1999. Nëse Gjykata mund të ofrojë dëshmi të mjaftueshme për të mbajtur dikë përgjegjës, unë jam në favor të kësaj.