Ballina Aktuale Sherret politike e çojnë Preshevën në qorrsokak

Sherret politike e çojnë Preshevën në qorrsokak

SHPËRNDAJE

Këto muajt e fundit, Presheva, po përballet me një fenomen të rrezikshëm të delvalvimit institucional, si rrjedhojë e përçarjeve, inateve, shantazheve dhe lokalizmave klasik.

Këto inate politike kanë ekzistuar edhe në kohën kur lindi pluralizmi në Luginë të Preshevës, por atëhere kishte vetëm dy parti politike shqiptare, të cilat u patën ndarë në dysh: njëra në pozitë e tjera në opozitë. Mirëpo, me kalimin e kohës, ndër vite lindën dhe parti tjera të shumta, të cilat skenën politike në Preshevë, e kthyen në një arenë përleshjesh për interese të ngushta partiake e familjare.

Kulmin e përçarjeve, partitë politike, e arritën pas Marrëveshjes së Konçulit, në vitin 2001, kur krahu ushtarak formoi subjektin politik, duke krijuar kështu, shumë blloqe partiake, të cilat filluan të paraqesin pengesa në jetën institucionale, jo vetëm në Preshevë.

Parlamenti lokal në Preshevë, gjatë mandateve të fundit, u bë një cirk, që prodhonte skena komike, duke prishur imazhin e Komunës së Preshevës, si dhe duke delvalvuar vlerat institucionale.

Prishja e koalicioneve qeverisëse, bllokimi i seancave të Kuvendit Komunal dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dëmtonin rëndë proceset demokratike, largonin investitorët e huaj, si dhe e zhytnin vendin në një mjerim social, papunësim dhe varfëri ekstreme.

Këto fiskultura të prishjes së koalicioneve, pa e përmbyllur mandatin e këshilltarëve, si duket është bërë e zakonshme për Preshevën.

Kjo dukuri po vërehet edhe këtyre ditëve e shoqëruar me dorëheqje dhe blerje të mandateve të këshilltarëve, për ta prish edhe njëherë koalicionin e dytë, të lidhur brenda më shumë se një viti nga zgjedhjet e fundit.

Ardhja në krye të Kuvendit Komunal të Preshevës, të znj. Ardita Sinani, ishte një sihariq i mirë për politikën preshevare dhe kalimi i saj nga legjislativi në krye të ekzekutivit dhe një hap më shumë drejt progresit të kësaj komune.

Komuna e Preshevës, për herë të parë gjatë historisë së saj, pati një femër politikane kryetare të Asamblesë komunale dhe tani e ka edhe kryetare të Komunës, por mjerisht këto vlera po keqpërdoren nga individë e grupacione politike edhe brenda partisë, që vetë e mbështetën për të krijuar ngërçe politike në Kuvend dhe qeverisje lokale, në favor të zgjedhjeve të parakohshme.

Kjo nuk është mirë. Së pari duhet të kemi respekt për një politikane shqiptare në Luginë të Preshevës, e cila për herë të parë në historinë e kësaj komune, u vu në ballë të qeverisjes, duke krijuar një klimë të mirë përkrahjeje jo vetëm nga faktorët shqiptarë, por edhe ndërkombëtarë.

Duhet të heqim dorë nga mentaliteti i mbrapshtë i një klase politike në Preshevë, e cila nuk po ngopet nga sherret, inatet dhe shantazhet, duke future spica mes këshilltarëve komunalë dhe duke grindur mes vete edhe ish ushtarët e UÇPMB-së, për interesa klanore e partiake.

Të paktën këto grupacione shantazhuese, nuk e respektuan muajin e shenjtë të Ramazanit, muajin e solidaritetit dhe tolerancës, bile përkundrazi thirrin Iftare të bashkimit, a nga ana tjetër bëjnë çmos të bëjnë sherre e të përhapin ndasi në mes njerëzish e të krijojnë barriera institucionale. Këto janë kulmi i marrëzisë dhe injorancës politike.

Preshevës, nuk i duhen zgjedhjet e jashtëzakonshme, e as bllokadat politike e ekonomike, por një angazhim i mirëfilltë në avancimin e institucioneve komunale, të cilat janë të denja për ta përmirësuar gjendjen e vështirë sociale të qytetarëve, integrimin e të rinjve dhe kthimin e personave të zhvendosur, vetëm kështu na duhet Presheva jonë, thuhet në një koment i jetapress.