Ballina Aktuale Festa e Flamurit në Luginë të Preshevës

Festa e Flamurit në Luginë të Preshevës

SHPËRNDAJE

Në qytetin e Bujanocit, ka disa ditë, që ka filluar “Java e nëntorit”, eveniment, ky, kulturor kushtuar festave të nëntorit, me rastin e Ditës së Flamurit Kombëtar dhe 105 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.

Nën patronatin e Këshillit Nacional, Komunës së Bujanocit dhe Pallatit të Kulturës, janë organizuar një varg manifestimesh me karakter kulturor, duke përfshirë sipas agjendës: përurime librash, ekspozita, shfaqje për fëmijë dhe të rritur nga teatri i kukullave nga Lezha dhe programi festiv me valle e këngë të ndryshme shqiptare.

Bujanoci dhe Presheva, në ditën qendrore të Festës së Flamurit Kombëtar, u veshën kuq e zi, ngjyra këto që kanë shijen e atmosferës së ngrohtë të festave të nëntorit, pavarësisht pengesave ligjore, që vijnë nga Beogradi, për moslejimin e përdorimit të simboleve kombëtare.

Në mëngjesin e 28 nëntorit në godinat institucionale të Bujanocit e Preshevës, duke përfshirë edhe atë të selisë së Këshillit Kombëtar Shqiptar, në Bujanoc, u ngrit Flamuri Kombëtar, po pati ngritje famujsh edhe nëpër objektet e subjekteve politike dhe atyre private.

Në Pallatet e kulturës në Bujanoc dhe Preshevë u organizuan programe të pasura kulturo-artistike si dhe u bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve të ish UÇPMB-së.

Ndonëse nga Beogradi zyrtar nuk ka pasur ndonjë intervenim për ndalimin e kremtimit të Ditës së Flamurit Kombëtar nga shqiptarët etnikë të Luginës së Preshevës, lajmet nga terreni bëjnë të ditura se forcat e xhandarmërisë serbe kanë grisur flamurin në shtëpinë e vëllait të ish Komandant Lleshit, në Bujanoc si dhe kanë hequr dhunshëm flamurin kombëtar mbi pllakën e dëshmorëve të ish UÇPMB-së në Dobrosin të Komunës së Bujanocit.

Reagime lidhur me këtë akt vandal të xhandarmërisë serbe ka pasur edhe kryetari i Bashkësisë Lokale të Dobrosinit, Reshat Salihu dhe nga pronari i shtëpisë së vëllait të Komandant Lleshit, alias Ridvan Qazimi, kryenegociatorit të palës shqiptare, i vrarë në maj të vitit 2001, pak ditë pas arritjes së Marrëveshjes së Konçulit, për demobilizimin e ish UÇPMB-së. njofton jetapress.