Ballina Aktuale Lista serbe e Preshevës, si ajo e Mitrovicës!

Lista serbe e Preshevës, si ajo e Mitrovicës!

SHPËRNDAJE

Zgjedhjet e parakohshme në Preshevë, të cilat do të mbahen, më 24 dhjetor, të këtij viti, mobilizuan serbët lokalë, të dalin me një listë të përbashkët zgjedhore”Aleksandër Vuçiq – Për Serbinë unike – Ivica Daçiq”.

Për unifikimin e serbëve të Preshevës, ka kontribuar Trupi Koordinues, deputeti republikan i Bujanocit, Nenad Mitroviq nga radhët e partisë së presidentit Vuçiq, si dhe organi i dhunshëm në krye me Shqiprim Arifin, i cili pranoi të qeverisë përkohshëm edhe më një anëtar të komunitetet serb, të caktuar nga Qeveria e Serbisë.

Parlamenti lokal në Preshevë, është nga më të rrallët në rajon, që përbëhet vetëm nga këshilltarët shqiptarë. Në përbërjen e këtij organi legjislativ, ka vite që serbët lokal nuk përfaqësohen, jo vetëm se kanë pak votues, por ato janë të ndarë dhe të përçarë në shumë parti, të cilat dirigjohen nga Beogradi zyrtar.

Në Komunën e Preshevës, jetojnë rreth 1300 serbë, të cilët janë të shpërndarë në dhjetëra parti politike, të cilat nëpër zgjedhjet lokale dalin me dy e më shumë lista, të cilat viteve të fundit as që e kanë kaluar pragun zgjedhor.

Qeveria e Serbisë, përmes Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ka arritur të bëjë unifikimin e spektrit politik serb në Preshevë, të dalin me një listë të vetme, në mënyrë që ata në këto zgjedhje të përkohshme të sigurojnë një ulëse në parlamentin lokal preshevar.

Qëllimi i Beogradit, është të bëjë një kuvend multietnik në Preshevë, ashtu siç e kanë Bujanoci dhe Medvegja, ngase po e pengon përbërja e saj qind për qind shqiptare, duke e motivuar organin e përkohshëm në krye me Shqiprim Arifin, se me pjesëmarrjen e serbëve në jetën parlamentare, do të sigurohen donacione më të mëdha nga Beogradi dhe donatorët ndërkombëtarë. Në këtë drejtim edhe me u shpërblye për kontributin e dhënë rreth formimit të organit të përkohshëm në Preshevë, në favor të Alternativës për Ndryshim, të drejtuar nga Shqiprim Arifi.

Nëse kalon Lista serbe e Preshevës, në zgjedhjet e parakohshme të 24 dhjetorit, të paktën me një këshilltar komunal, në të ardhmen politike të Preshevës, ajo do të jetë si Lista serbe e Mitrovicës. Do të jetë si një “xhoker”, jo vetëm për ecurinë e punës në Kuvendin e ardhshëm komunal, por edhe një dorë e zgjatur për shantazhime e përçarje ndërshqiptare, të cilat edhe ashtu janë në modë për sindromin e mos-stabilitetit dhe efikasitetit të Parlamentit lokal në Preshevë.

Meqenëse, fushata elektorale, tashmë, ka filluar në Preshevë, votuesit e saj duhet të mendojnë mirë se kujt duhet dhënë përkrahjen dhe votë-besimin, nëse dëshirojnë ta kenë një Kuvend stabil, efikas dhe përgjegjës, të denjë për shqyrtimin dhe miratimin e vendimeve me interes për qytetarët e saj.

Po qe se lejohet në këto zgjedhje të parakohshme në Preshevë, të manipulohet, blehet dhe vidhet vota e qytetarit, parlamenti lokal i saj do të ketë subjekt politik shqiptar të rafinuar me këshilltarë të bllokut të unifikuar serb dhe me dirigjime nga Beogradi, për ta qeverisur një pushtet fiktiv me kompetenca të reduktuara dhe rreptësishtë të kontrolluara.

Pushteti qendror i presidentit Vuçiq, me këto ndryshime në skenën politike preshevare do të ketë dy Lista serbe, një në Preshevë dhe një në Mitrovicë, me të cilat do ta luaj lojën e “ruletit rus”, sipas klimës politike dhe strategjisë së saj ndaj serbëve në veri të Kosovës dhe shqiptarëve në jug të Serbisë (Lugina e Preshevës)./jetapress/