Ballina Aktuale Bashkësia Islame në Maqedoni, model i funksionimit për të gjithë Bashkësitë Islame...

Bashkësia Islame në Maqedoni, model i funksionimit për të gjithë Bashkësitë Islame në rajon dhe në Evropë

SHPËRNDAJE

Një delegacion i larë i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, të prirë nga kryetari i saj dr. Sead ef. Nasufoviq, Myftiu i Luginës së Preshevës Nexhmedin ef. Saqipi, prof. dr. Abdullah Kazimoski, dekan i Fakultetit të Shkencave Islame në Beograd, prof.dr. Nadir Daçiq, drejtor i Shkollës së Mesme të Medresese “Bakije Hanuma” në Prepole, Enis ef. Makiq, profesor në Fakultetin Islamik dhe ne Medrese, Refik Memeti, sekretar i përgjithshëm në BIPBM, vizituan Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, shkëlqesinë e tij, Sulejman ef. Rexhepi, dekanin e Fakultetit dr. Faredin ef. Ebibin,  drejtorin e përgjithshëm të Medresesë prof. Ibrahimef. Idrisi, Myftiun e Tetoves, prof.dr. Qani ef. Mesini, Myftiun e Gostivarit hfz. Shaqir ef. Fetahu dhe bashkëpunëtorët e tjerë.

Bashkësia Fetare Islamë në Maqedoni, është model funksionimi për të gjithë Bashkësitë Islame në Ballkan e në Evropë.

Haxhi Sulejman ef. Rexhepi dhe një pasqyrë të aktiviteteve të Bashkësia Fetare Islamë në Maqedoni

Në vazhdim Sulejman ef. Rexhepi u shpreh për një intensifikim më të theksuar të bashkëpunimit në mes dy Rijaseteve, me përpjekje maksimale për të zgjeruar bashkëpunimin ndër-vëllazëror me të gjitha bashkësitë fetare simotra të këtij rajoni dhe më gjerë.

Por siç nënvizoi Reis Ulema Sulejman ef. Rexhepi, dukuritë e ndryshme të cilat po paraqiten në emër të fesë në vendet respektive imponojnë një bashkëpunim të domosdoshëm në mes bashkësive fetare dhe organeve të pushtetit.

Devijimet në shoqëri, manipulimet në emër të feve, sektarizmi i shoqërisë, nuk janë dukuri që mund të stopohen dhe të eliminohen vetëm nga Bashkësitë Islame, pavarësisht përkushtimit dhe angazhimit të sinqertë. Tejkalimi dhe eliminimi i tyre mund të bëhet vetëm kur të ketë bashkëpunim të ngushtë në mes të bashkësive fetare dhe organeve të shtetit”, ka theksuar  Sulejman ef.  Rexhepi.

Ndërkaq, Reis Ulema i Serbisë, dr. Sead ef. Nasufoviq, është shprehur shumë i kënaqur me këtë vizitë, nga e cila ka mësuar mbi vlerat e organizimit fetar të domosdoshëm për secilën Bashkësi Islame, që pretendon të jetë serioze në punët e veta.

“Është kënaqësi e veçantë të jesh mysafir i Reis Ulema të Bashkësisë Fetare në Maqedoni, Sulejman ef. Rexhepi, sepse prej këtij personaliteti çdo herë njeriu ka çka të mësoj mbi funksionimin e institucionit fetar, si dhe mbi organizimin e jetës fetare Islame.

Nga vizita në Medresenë “Isa Beu”, si dhe Fakultetin e Shkencave Islame, nga ajo që e pashë se si funksionon Bashkësia Islame e Maqedonisë, lirisht konstatoj se ky institucion duhet të jetë model funksionimi për të gjithë Bashkësitë Islame në rajon dhe në Evropë”, u shpreh Rejisi Sead ef. Nasufoviq. Në vazhdim, ai, nuk la pa thënë se “Vetëm në këtë formë, duke e kultivuar Islamin tonë origjinal, i cili na bëtë të jemi krenarë si myslimanë të Evropës, ne mund të dëshmojmë se feja jonë është paqe, se porositë kur’anore dhe ato të Pejgamerit a.s. na obligojnë që të duam krijesën e Zotit Mëshirëplotë. Feja jonë na obligon ta duam njeriun, na obligon që të shprehim kujdes e mos ta thyejmë qoftë edhe një degë të pemës, sepse është po ajo dhembje sikur t’ia thyejmë engjëllit, melaqes një krah!

Bashkëpunimi ynë i ngushtë, këmbimet e vizitave tona, afrimet tona sa më të ngjeshura, na bëjnë të fortë në përpjekjet tona për të mbrojtur fenë tonë nga sulmet e pakuptimta, që vijnë nga jashtë, por edhe nga tendencat e porositura për përçarje që na vijnë nga brenda. Jam shumë i lumtur që këtë vlerë sot e mësova edhe këtu në Bashkësinë Islame të Maqedonisë, nga Reisi Sulejman ef. Rexhepi, tha me kënaqësi Rejisi i Bashkësisë Islame të Serbisë, dr. Sead ef. Nasufoviq, i cili, gjithashtu, gjatë vizitës në Medresenë “Isa Beu” në Shkup, mbajti një ligjëratë fetare.

Në fund, mysafirëve të nderuar, hirësia e tij Sulejman ef.  Rexhepi, u dhuroi nga një pllakatë me logon e Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë.

Lidhur me këtë vizitë shumë të rëndësishme rajonale, Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, u shpreh me plot optimizëm në favor të krijimit të urave të bashkëpunimit ndër-fetar, në suaza të standardeve evropiane, si kusht i forcimit të paqes dhe stabilitetit ndër-rajonal, me qëllim të integrimit të Ballkanit në proceset integruese euroatlantike. Ngase në Ballkan, me një pajtim të përgjithshëm mund të filloj një epokë e re bashkëpunimi, në frymën e demokracisë dhe paqes, vlera të çmuara këto evropiane, si një nyje e lidhjes së ngushtë në mes lindjes dhe perëndimit, theksoi me plot bindje të thellë Myftiu Saqipi./jetapress/