Ballina Aktuale Retorika e fushatës elektorale në Preshevë

Retorika e fushatës elektorale në Preshevë

SHPËRNDAJE

Po e fillojmë këtë opinion të jetapress-it, rreth zgjedhjeve të parakohshme lokale të 24 dhjetorit në Preshevë, me një Aforizëm të Dekurselit se “Retorika është një kopsht, i cili më shumë jep lule se fruta”, sentencë kjo e cila lidhet me premtimet, pa mbulesë që po jepen gjatë fushatës parazgjedhore nga partitë e shumta preshevare.

Kur themi kështu kemi parasysh Preshevën, një komunë me probleme të shumta socio-ekonomike, me një papunësi enorme dhe me një mos-zhvillim ekstrem, i cili po manifestohet me ikjen e rinisë në heshtje, e nga atëherë gjithë ky luks gjatë procesit zgjedhor për pushtet?!

Presheva deri sot ka kaluar nëpër disa palë zgjedhje lokale, parlamentare dhe nacionale, por asnjëherë si në këto zgjedhjet e fundit të parakohshme të 24 dhjetorit, nuk ka qenë aq e përçarë dhe e politizuar.

 Një komunë me rreth 28 mijë votues ka nxjerr në këto zgjedhje 8 lista shqiptare dhe një serbe, të cilat kanë hyrë në një garë të ashpër për pushtet, duke mos kursyer as zhargonin e fjalorit rrugor.

Po të bëjmë një llogari të vogël matematikore del se në Preshevë, ka pak votues sa ka lista zgjedhore, po sikur të votojnë edhe personat e vdekur, madje edhe sikur të mbushen kutitë e votimit me vota të aranzhuara.

Nëse pesëdhjetë përqindëshi i këtyre votuesve rreth 14 mijë sish dalin në zgjedhje del se 9 parti do të marrin diçka më shumë se një mijë vota. Prandaj lufta për vota në Preshevë, është e pakompromis.

Është e pamundur një subjekt i vetëm të sigurojë vota për ta arritur shumicën në parlamentin lokal të Preshevës, me 38 ulëse. Prandaj edhe në të ardhmen Preshevës i nevojiten koalicionet partiake e kësaj radhe duhet të mendojnë edhe për Listën Serbe, nëse e kalon pragun për të siguruar të pakën një ulëse në Kuvendin e deritashëm qind për qind shqiptar.

Lakmia për pushtet në Preshevë dhe sindromi i përçarjeve ndërshqiptare, që ushqehet nga Beogradi, del se këto zgjedhje do të mbahen gjatë në mend për fushatën e tepruar me retorikë dhe zhargonin e fjalëve jo të këndshme për elektoratin shqiptar.

Jetapress-i, përmes këtij opinion uron që zgjedhjet e parakohshme lokale të 24 dhjetorit në Preshevë, të kalojnë të qeta, fer dhe demokratike. Le të fitojnë më të mirët, më të vendosurit dhe më parimorët. Nuk ka nevojë për shumë retorikë dhe fraza të thata, elektorati preshevar e di mirë se kush e meriton të jetë në krye të pushtetit vendor. Ndaj, t’i hapim rrugë misionit të shenjtë të votës, për ta përcaktuar fituesin meritor, i cili do ta drejtoj Preshevën në katër vitet e ardhshme të qeverisjes lokale. Suksese…./jetapress/