Ballina Aktuale Kur gjërat merren mbrapsht!

Kur gjërat merren mbrapsht!

SHPËRNDAJE

Një postim i shkurt në rrjetin social Facebook, të gazetarit Nexhat Buzuku, njëherit zyrtar i lartë për arsim në Gjilan, ka ngritur në këmbë ata të “Vatrës”, duke i satanizuar tekstin e këtij shkrimi si: denigues, shkatërrues dhe hakmarrës.

Këta të “Vatrës”, madje shkojnë më larg, duke kërkuar nga autoritetet e Komunës së Gjilanit e posaçërisht nga kryetari i saj Lutfi Haziri, të marrin masa konkrete ndaj këtij zyrtari, madje të largohet edhe nga puna.

Buzuku kur i përmend të “Vatrës”, ka parasysh një grup të rinjsh, që nuk kanë asgjë të përbashkët me “Vatrën” lëvizje shoqërore e jo politike siç është aktualisht.

Këta të “Vatrës” aktuale si lëvizje politike e politizuan një mendim të shprehur shlir të gazetarit Buzuku edhe atë në rrjetin e tij social të Facebook-ut, duke ngritur pluhur pa nevojë, duke ndjellur përçarje e duke ngritur tensione politike.

Sa ishte “Vatra” shoqatë joqeveritare, gjërat ishin paksa ndryshe dhe karakteri i saj ishte shumëdimensional, duke përfshirë edhe qytetarët e zhvendosur nga Presheva, kurse tashti ajo është rrudhur gjeografikisht dhe është ngushtuar politikisht.

Klanistët e rinj të “Vatrës” të cilët gazetari Buzuku, i thërret të kthehen atje në fshatrat që i kanë lënë shkret, ngase në Gjilan kanë ardhur për të jetuar më mirë dhe mbajnë pasaporta serbe, duke bërë tregti me Bujanoc dhe Vranjë, a në anën tjetër shtiren se janë të përndjekur e patriotë, për të përmbyllur konstatimin “Mos na shtyni në gjynah!”.

Në reagimin e tij gazetari Buzuku shton se “Po kush jeni dhe prej nga e merrni të drejtën t’i shpallni të tjerët “armiq” nëse nuk pajtohen me juve?! Lërini këto përrallisje e merruni me problemet reale të banorëve, se nuk ju ndihmon askush por vetja juaj!”.

“Ky stil i reagimit tuaj është tipik monist, anakronik e primitiv!
Sa mirë që po e dini ku punoj unë! Punoj edhe me shumë përkushtim, bile! E, nëse vërtet komenti im ju ka prekur, sinqerisht ju kërkoj falje!”, thotë në reagimin e tij gazetari Buzuku, duke potencuar se “Epoka mesjetare e linçimit dhe delikti verbal kanë vdekur!”.

“Jetapress”, një portal i pavarur nga Lugina e Preshevës, duke ndjekur këto shqetësime të panevojshme, të cilat na vijnë në një kohë plot turbulenca, kërkon që ato të pushojnë e mos ë ngrisin shumë pluhur në një ambient edhe ashtu i mbarsur me problem të mëdha.

Nexhat Buzuku, le të vazhdoj të merret me ushtrimin e misionit të tij të shenjtë të edukimit dhe informimit, duke dhënë kontribut si dikur në cilësinë e koordinatorit të gazetarëve të “Koha ditore” për Anamoravë dhe shkrimeve të tij si në kohë të proceseve luftarake në Luginë të Preshevës, duke vënë veten në rrezik me praninë e tij fizike në Malësi të Bujanocit, Karadak të Preshevës dhe vendbanimet shqiptare të Medvegjës. Kontributi i tij në fushën e informimit si për atë kohë si për të tashmen është i mirëseardhur dhe i domosdoshëm. Qytetarët e dëbuar nga Lugina e Preshevës, kanë nevojë për informim të drejtë dhe korrekt e jo për dezinformata, që vijnë nga qarqe të ndryshme për interesa të ngushta partiake.

Ndërsa këta të “Vatrës”, duhet ta kenë të qartë se lufta politike dhe ajo informative, në të shumtën e rasteve nuk janë në një vijë. Të kërkosh pushtet në njërën anë dhe të luash rolin e të përndjekurit, të refugjatit, të dëbuarit, janë dy skajet e litarit. Moto e ‘Vatrës” ka qenë kthimi dhe integrimi në vendlindje e jo lufta për pushtet në Gjilan dhe përzierja në pushtet në Bujanoc. Nuk ka standarde të dyfishta! Nuk duhet të ngritet pluhur dhe të bëhet zhurmë për gjëra që i kemi të qarta dhe nuk kërkojnë koment./Jetapress/