Ballina Aktuale NË PRISHTINË PËRUROHET LEKSIKONI I LETËRSISË SHQIPE PËR FËMIJË E TË RINJ

NË PRISHTINË PËRUROHET LEKSIKONI I LETËRSISË SHQIPE PËR FËMIJË E TË RINJ

SHPËRNDAJE

Dje, në promovimin e Fjalorit enciklopedik me titull: “Autorë të letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj (1886 – 2017) tё autorёve Astrit Bishqemi dhe Migena Arllati, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, u tha se ky botim është një përmendore e vërtetë e krijuesve për grupmoshat e vogla dhe të reja, një databazë e fuqishme për të saktësuar dhe promovuar më tej vlerën e shkrimit dhe botimit kushtuar fëmijëve e të rinjve.

Botimi i plotësuar dhe i përmirësuar ka për redaktorë: Pandeli Koçin, Xhevat Sylën, Mustafa Spahiun dhe Hajro Ulqinakun dhe për recensues: Tomor Plangaricën dhe Rudina Alimerkon.

Prof. Astrit Bishqemi u shpreh se si krijues dhe si studiues i teorisë e i historisë së letërsisë për fëmijë, i është dashur gjatë gjithë jetës të përpiqet për t’i njohur kolegët e penës, të hulumtojë e të meditojë rreth jetës dhe krijimtarisë së tyre, rreth botimeve në prozë apo në poezi qofshin ato. Ndaj edhe botimi i këtij leksikoni është në vazhdën e thellimit të vazhdueshëm të studimeve rreth letërsinë për fëmijë e të rinj. Ai sqaron se Fjalorin enciklopedik e kanë titulluar “Autorë…” e jo “Shkrimtarë…” sepse ai nuk është vlerësues, por vetëm informues. “Krijuesit nuk i kemi futur në skanerin e vlerësimit e të klasifikimit. Termi “autor” është nocion më i gjërë, gjithpërfshirës; “shkrimtar” është koncept më i ngushtë, më kualitativ. Për ta gëzuar atë titull duhet të jesh “mjeshtër i fjalës që shkruan vepra letrare artistike”. Kësisoj, mund të jesh autor i disa librave, por nuk hyn në kastën, në rangun e shkrimtarëve”.

Autorja Arllati shton se këto vitet e fundit kemi shumë prurje, sidomos botime nga nxënës të shkollave por meqë si rregull ngelet në fuqi kriteri i moshës nuk janë shënuar librat që kanë botuar nxënësit e shkollave 9 – vjeçare dhe ata të viteve I e II të shkollave të mesme. Krijimtaria e tyre letrare është letërsi fëminore e jo letërsi për fëmijë.

Rreth përmbajtjes së botimit dhe punës së bashkëautorëve A. Bishqemi dhe M. Arllati e morën fjalën shkrimtarë dhe studiues të njohur si: Xhevat Syla, Prend Buzhala, Hasan Hasani, Faik Shkodra etj., të cilët vlerësuan lart mundin shumëvjeçar dhe punën kolosale që në fakt i takon ta bëjnë akademitë dhe universitetet që nuk i shfrytëzojnë as së afërmi kapacitetet e tyre.

Autorët Bishqemi dhe Arllati shënojnë si kohë fillimi të letërsisë shqiptare për fëmijë vitin 1886, vitin kur doli libri i parë me letërsi artistike që u adresohej posaçërisht fëmijëve shqiptarë. Ishte viti kur Naim Frashëri botonte në Bukuresht njëherësh tre libra të tillë, një me vjersha e dy me proza, që dilnin jashtë kuadrit të programeve shkollore. Ndërsa kohë më herët, ishin shfaqur letërsia e shkruar didaktiko – fetare për fëmijë e kombit shqiptar me disa krijime: Në vitin 1592 kur arbëreshi L. Matrënga botoi në Romë librin e vogël prej njëzet e tetë faqesh “E mbsuame e krështerë” (Doktrina e krishterë), ku libri pëmban një hyrje, një vjershë me tetë vargje, si dhe katekizmin, një udhëzim fetar që kishte formën e dialogut mësues – nxënës; dorëshkrimi me 112 fabulat e shqipëruara nga A. Santori, dy vjersha të vogla të “Ëvetarit” të N. Veqilharxhit, vjershën “Ylli i vogël lart në qiell” dhe përrallën “Dy dhitë” që gjenden në “Abetaret” e Kristoforidhit, përrallat e tregimet e Sami Frashërit në “Alfabetaren” e Stambollit etj.

Pra për këtë leksikon është marrë si kriter viti i botimit të librit të parë artistik drejtuar posaçërisht moshave të njoma.

Studiuesit thonë se letërsi e vërtetë për fëmijë është ajo që e lexon me kënaqësi jo vetëm fëmija, po edhe njeriu i rritur dhe ai i plakur. Pëlqimi i kësaj letërsie varet nëse shkrimtari di t`i shohë sendet dhe dukuritë e jetës me sytë e vogëlushit, di të bëhet njësh me shpirtin e mikut të vogël të librit dhe të shprehë aspiratat e moshës. Bishqemi thekson fort idenë se letërsia për fëmijë është ajo krijimtari letrare e shkruar nga të rriturit dhe që vetë fëmijët e pëlqejnë, e shijojnë dhe e pranojnë me gjithë zemër si të tyren.

“Që në kohërat e lashta për dëfrimin dhe edukimin e fëmijëve përdornin përralla, gjëza, këngë e fabula popullore. Më tej, kur lindi letërsia e kultivuar, filluan që prej saj të zgjidheshin, për t’ua dhënë fëmijëve, fabula, rrëfenja, tregime e vjersha nga ato që shkrimtarët i kishin krijuar për të rriturit. Kjo pjesë e krijimtarisë artistike përbën atë që quhet lexim për fëmijë. Madje edhe sot e kësaj dite, nga letërsia për të rritur përzgjidhen pjesë a fragmente me vlera të spikatura, të cilat janë të përshtatshme edhe për lexuesit e vegjël, dhe futen nëpër antologji e tekste të leximit letrar për nxënësit e shkollave. Veprohet kështu për nevoja tematike ose me qëllim që t`ua bëjmë të njohur fëmijëve një poet a shkrimtar të rëndësishëm, kur ai mund të mos ketë shkruar fare për ta”.

Duke u nisur nga emërtimi IBBY (International Board on Books for Young people), te ne është përkthyer “Organizata Ndërkombëtare e Librit përdoret termi: letërsia për fëmijë e të rinj. Me konceptin “të rinj” këtu nënkuptohet mosha e rritur fëminore, fëmijëria e vonë, rinia e hershme, adoleshenca. Dhe termi përfshin si letërsinë që shkruhet për moshën e ulët.

Autorët tërheqin vërejtjen se inventarizimi bibliotekar është tepër i mangët apo bosh fare për ndonjë autor ndaj edhe mbledhja e shënimeve për krijuesit anëmbanë trojeve shqiptare ka qenë tepër sfidues. Po ashtu, autorët shprehen të vetëdijshëm se ky studim dhe botim bibliografik nuk është shterues pasi nga mungesa e informacionit, mund të kenë shpëtuar pa u regjistruar edhe ndonjë autor apo vepra autorësh.

Ky botim mendohet se do t’u vlejë mësuesve të ciklit të ulët dhe atyre të letërsisë të arsimit bazë e të mesëm, studentëve, studiuesve të letërsisë për fëmijë e të rinj, shkrimtarëve, kritikës letrare e më gjerë./jetapress/