Ballina Aktuale Presidenti Ilir Meta, dekoron Sulejman ef. Rexhepin me titullin: “Kalorës i...

Presidenti Ilir Meta, dekoron Sulejman ef. Rexhepin me titullin: “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”

SHPËRNDAJE

Të enjten e 25 janarit, në Shkup, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, dekoroi me titullin:  “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”,   Reisul Ulema-n e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin.

Në ceremoninë e dekorimit ishte i pranishëm edhe Myftiu i Luginës së Preshevës,  Nexhmedin ef. Saqipi së bashku me drejtues të tjerë të bashkësive fetare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, pastaj Kardinali Ernest Simoni (Troshani), Ambasadori i Maqedonisë Stojan Karajanov, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës Sylë Ukshini, deputetë të Kuvendit, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Loreta Aliko, intelektualë dhe personalitete të ndryshme, etj.

“Bashkëjetesa mes besimeve fetare të shqiptarëve është një thesar, një pasuri dhe një vlerë e jashtëzakonshme”, tha . Presidenti, Ilir Meta, duke vlerësuar lart klerikun e shquar shqiptar, Reisul Ulema-n e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepin, si dhe duke e dekoruar me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” me motivacionin:

“Për merita të shquara në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare.

Në fjalën e Tij Presidenti Meta theksoi se Reisul Ulema Sulejman Rexhepi: “Duke mbrojtur interesat dhe jetën fetare islame mes shqiptarëve, është kujdesur veçanërisht për cilësinë e shkollimit, ruajtjes së frymës kombëtare në institucionet fetare si dhe është përpjekur për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar.”

Duke falënderuar Presidentin e Republikës për këtë vlerësim, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepi u shpreh se: “Kjo dekoratë e lartë është e lakmueshme për çdo shqiptar kudo ku gjendet e jeton në botë. Për të gjithë ata që i thonë nënës ‘nënë’, bukës ‘bukë’, ujit ‘ujë’, nga foshnjëria e tij e deri në frymën e fundit të jetës së kësaj bote. Është nder dhe kënaqësi e çdo shqiptari të tillë të dekorohet me një dekoratë të tillë.

Lidhur me rolin dhe rëndësinë e kësaj dekorate, foli edhe Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Shqipi, i cili njëherit është edhe z/vendës Reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij merrte pjesë aktive në ceremoninë e ndarjes së këtij titulli.

“Kemi kënaqësinë, që në emër të Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe në emër të Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi, të marrim pjesë në ceremonialin e ndarjes së Mirënjohjes nga presidenca e shtetit amë, kushtuar kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, shkëlqesisë Reisul Ulema Sulejman ef. Rexhepi”, tha Myftiu Saqipi.

Ai, më tej shtoi se “Kjo dekoratë  me titullin:  “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” për mikun tim Sulejman ef. Rexhepi, është një tregues i qartë se biografia e tij jetësore, është e pasur me vepra të mira në shërbim të njerëzimit, të përmendura për paqe, tolerancë e mirëkuptim ndërfetar e ndërnjerëzor. Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, çmon lartë veprimtarinë e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Sulejman ef. Rexhepit, me të cilin kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm, të sinqertë dhe korrekt”.

“Urojmë që me këso dekoratash të nderohet edhe në të ardhmen Reisul Ulema Sulejman ef. Rexhepi, duke i dëshiruar shëndet e mbarësi në mision e tij si kontribues i madh në shumë fusha të veprimtarisë njerëzore, për një jetë të lumtur e paqësore për mbarë njerëzimin”, thekson Myftiu Nexhmedin ef. Saqipi, në ceremonialin e ndarjes së dekoratës nga Presidenti Meta, mikut të tij Sulejman ef. Rexhepi, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, njofton jetapress.