Ballina Aktuale AUTONOMIA RAJONALE E LUGINES

AUTONOMIA RAJONALE E LUGINES

SHPËRNDAJE

Biseda e huazuar është publikuar, gjatë vitit 2006, në numrin e revistës e cila botohej në dy gjuhë “KORAK/HAPI”, botim special i NIP “Vranjske”, Vranjë.

 

 BISEDA: Nexhmedin Saqipi, kryetar i Partisë Demokratike Kombëtare

 

Autonomia rajonale për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, është autonomi e të gjithë qytetarëve që jetojnë në këto hapësira pa dallim përkatësie nacionale, kulturore, racore e fetare. Kjo Autonomia do të jetë  një urë lidhëse midis Prishtinës dhe Beogradit, por do të jetë e pavarur në qëndrime dhe vendime. Të dyja këto qendra kanë të drejtë të interesohen për zhvillimet politike dhe ekonomike në Luginë te Preshevës, por jo edhe të bien vendime pa pëlqimin e tyre.

 

Bisedoi: Fisnike Rexhepi

 “Hapi”:- Zotëri Saqipi, këtyre ditëve, keni përhapur idenë e njëfarë Autonomie për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Çfarë në fakt përbën kjo Autonomi dhe cili është misioni i saj?

 SAQIPI: Ideja për Autonominë e Shqiptarëve të Kosovës Lindore, është e kahershme. Kjo Autonomi i ka rrënjët te Referendumi i 1 dhe 2 marsit të vitit 1992, në të cilin populli e shprehu vullnetin e vet politik, të cilin vullnet ne sot po kërkojmë ta realizojmë. Kërkesat për Autonomi, kanë gjetur mbështetje edhe në Platformat politike shqiptare, të dala nga Marrëveshja e Konçulit 2001 dhe nga delegacionet për zgjidhjen e krizës në këtë rajon. Autonomia përbën një varg ligjesh dhe vendimesh me të cilat do të rregullohet statusi politik i shqiptarëve dhe banorëve të tjerë që jetojnë në këto komuna.

 “Hapi”:- Autonomia që predikoni Ju, do të jetë në kuadër të Serbisë, apo Kosovës?

 SAQIPI: Autonomia rajonale për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, është autonomi e të gjithë qytetarëve që jetojnë në këto hapësira pa dallime përkatësie nacionale, kulturore, racore e fetare. Kjo Autonomia do të jetë  një urë lidhëse midis Prishtinës dhe Beogradit, por do të jetë e pavarur në qëndrime dhe vendime. Të dyja këto qendra kanë të drejtë të interesohen për zhvillimet politike dhe ekonomike në këtë rajon, por jo edhe të bien vendime pa pëlqimin e tyre. Krerët e Autonomisë do ta  intensifikojnë aktivitetin e projektit për integrime rajonale Mikroregjioni: Preshevë, Gjilan, Kumanovë. Ky trekëndësh i ndihmon shumë avancimit të Autonomisë e cila do t’i lidh natyrshëm Kosovën-Serbinë dhe Maqedonin. Ky trekëndësh do të jetë joshës për investitorët ndërkombëtarë për shkak autostradës Korridori i 10-të, pastaj hekurudha, të cilat lidhin vendin tonë me Azinë dhe Evropën.

 “Hapi”:- Flitet se jeni në prag të përfundimit të hartimit të një Plani (dokumenti) strategjik për shpalljen e Autonomisë. Çfarë në fakt paraqet ky plan?

 SAQIPI: Dokumentet themelore politike e juridike të qytetërimit modern konfirmojnë dhe forcojnë vlerat universale të dinjitetit të natyrshëm, të të drejtave të barabarta e të patjetërsueshme të të gjithë njerëzve e të cilat janë bazë e lirisë , të së drejtës e të paqes në botë. Këto dokumente siç janë : Karta e Kombeve të Bashkuara, Deklarata e përgjithshme për të drejtat e njeriut, Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike, Konventa Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të lirive elementare, përcaktojnë se mbrojtja e jetës së njeriut, e lirisë dhe sigurisë janë obligim themelor i çdo pushteti publik, si të pushtetit shtetëror, ashtu edhe të pushteteve ndërkombëtare – organizatave ndërkombëtare dhe të mekanizmave të tyre juridike e të sigurisë.
“Hapi”:- Cili do të ishte obligimi i Qeverisë së Serbisë ndaj Planit për zgjidhjen politike të situatës së tanishme në Luginë të Preshevës?

SAQIPI:  Obligohet Qeveria e Serbisë, të nis Planin për zgjidhjen politike të statusit autonom të qytetarëve të rajonit të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës. Obligohen organet kompetente shtetërore në Republikën e Serbisë që të pranojnë idenë për Autonominë rajonale, e cila del nga vullneti politik i shprehur me referendum. Plani për zgjidhjen politike të situatës së tanishme në këto komuna është suazë për bisedimet eventuale për autonomin në mes përfaqësuesve të shqiptarëve, komunitetit ndërkombëtar dhe autoriteteve nga Beogradi zyrtar. Ky është parakusht që zonat e ardhshme të autonomisë territoriale të kenë karakteristika të Regjionit, që me veçoritë e veta gjeografike e natyrore, resurset ekonomike e agrare, infrastrukturën ekzistuese e potenciale të komunikacionit, energjetike, komunale dhe me infrastrukturë tjetër, si dhe elementet e tjera të domosdoshme, paraqesin tërësi të rrumbullakësuara territoriale ku është e mundshme të jetohet dhe të stabilizohet zhvillimi që është i domosdoshëm për riatdhesimin e refugjatëve.

“Hapi”:- Cilat do të ishin karakteristikat e Autonomisë?

 SAQIPI: Në zonat ky shqiptarët përbëjnë popullatën kompakte, themelohet autonomia territoriale në formë Regjioni me të drejta, kompetenca e institucione unike. Në lëmin e të drejtave dhe të kompetencave të theksuara qytetarët do të kenë pushtetin legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor. Në aktivitetin e vet, organet e pushtetit kanë për detyrë të përfillin parimet e ndarjes dhe të kontrollit demokratik të pushtetit, si dhe parimet e tolerancës etnike, kulturore e fetare.

“Hapi”:- Por, për procedurën e konstituivit, çfarë do të thoshit?

SAQIPI: Për t `u konstituuar Komuniteti Autonom Shqiptar në Serbi është e domosdoshme që Kuvendi Republikan i Serbisë të Bashkuara të miratojë Rezolutë të veçantë. Kuptimi dhe përmbajtja themelore e kësaj rezolute është realizimi i të drejtave të veçanta për komunitetin shqiptar si mënyrë e vetme dhe urgjente e zgjidhjes së çështjeve të ekzistimit të tij në këtë shtet me plot probleme, me të cilat ballafaqohen komunitetet.

 “Hapi”:- Sa do të gjeni mbështetje nga subjektet politike të tjera rreth kësaj iniciative?

 SAQIPI: Ne së shpejti do t’ua dërgojmë me shkrim subjekteve politike dhe organizatave joqeveritare për të marrë informacione më të shumta rreth kësaj ideje. Besojmë se do t’na përkrahin në këtë rrugë sepse është interesi ynë qytetarë dhe kombëtar. Do t’i pranojmë edhe vërejtjet rreth hartimit të dokumentit kryesor për shpalljen e Autonomisë. Me një debat publik do t’i shpalosim të gjitha detajet rreth Autonomisë dhe kërkojmë ndihmën e të gjithëve.

 

“Hapi”:- Po, qytetarët serbë dhe të tjerët, të këtyre komunave si do të jetë reagimi i tyre për këto procese?

 SAQIPI: Qytetarët e Autonomisë rajonale për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, do të njoftohen imtësisht rreth rolit dhe rëndësisë që ka kjo autonomi për ta. Të gjithë banorët e Autonomisë, pra edhe ata serbë do të jenë të barabartë. Askush nuk guxon të jetë i fyer apo i nënçmuar pse është shqiptar, serb, rom etj. Qytetari serb do të jetoj më mirë në Bujanoc se sa në Leskovc, apo Graçanicë e Mitrovicë. Rajoni ynë ka resurse të bollshme ekonomike dhe njerëzore për të krijuar kushte më të mira jetësore. Ngritja e kualitetit të jetës së qytetarëve është prioriteti i Autonomisë së ardhshme të banorëve të këtij rajoni, një statusi special, i cili do të krijonte kushte për një zonë të lirë tregtare dhe për një ambient të qetë dhe stabil për të gjithë.

“Hapi”:- Zotëri Saqipi, si e shihni ardhmërinë e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në kudër të Autonomisë, që ju e preferoni, nëse realizohet?

 SAQIPI: PDK, fton spektrin politik shqiptar të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës t’i bashkohet për realizimin e iniciativës për t’i vënë themelet Autonomisë së rajonit tonë, konform  vullnetit politik të shprehur në Referendimin e 1 dhe 2 mars, të vitit 1992. Ardhmëria e shqiptarëve të këtij rajoni është në një  Autonomi evropiane, me të gjitha standardet, të cilat hapin horizonte të reja për një të ardhme të sigurt dhe me perspektivë.

Kjo bisedë është publikuar në numrin e ri të revistës e cila botohet në dy gjuhë “HAPI”, botim special i NIP “Vranjske”, Vranjë.

 

 (Portali Informativ “Jetapress”, merr nga revista Korak/Hapi, e cila dilte në dy gjuhë serbisht-shqip, si shtojcë speciale në kuadër të revistës javore “Vranjske”. Kjo bisedë me shkas në përvjetorin e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992, me Nexhmedin Saqipin, në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike Kombëtare, para 12 viteve, na përkujtonte si verdikti i popullit i shprehur me referendum është i shenjtë dhe herëdokurë duhet të realizohet. Kjo bisedë edhe sot pas kaq vitesh është aktuale, ndaj jetapress e pa parë të udhës që ta ripublikoj atë, në tërësinë e saj ashtu siç ishte botuar, gjatë vitit 2006, në revistën Korak/Hapi).