Ballina Aktuale KAMBERI: SHQIPTARËT E LUGINËS NUK I GËZOJNË AS TË DREJTAT ELEMENTARE…

KAMBERI: SHQIPTARËT E LUGINËS NUK I GËZOJNË AS TË DREJTAT ELEMENTARE…

SHPËRNDAJE

Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit dhe Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan organizon konferencën “Skenarët e “Finales së Madhe” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Në këtë konferencë të mbajtur, të enjten e 5 prillit,  në Prishtinë, të mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë, morën pjesë presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kryetari i Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, kryetarja e PVD-së në Preshevë, Ardita Sinani dhe dhjetëra përfaqësues politikë e të shoqërisë civile nga Kosova dhe vendet e tjera shqiptare.

Njeriu i parë i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, në diskutimin e tij deklaroi se shqiptarët e Luginës së Preshevës, kanë refuzuar të marrin pjesë në dialogun e brendshëm të Serbisë të organizuar nga presidenti serb Vuçiq.

“Nga të gjithë ju dëgjuam që varianti më i rrezikshëm për vendin, është ai i ndërrimit të territoreve me Serbinë. Mirëpo, kjo bie ndesh me vullnetin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të shprehur nëpërmjet referendumit të 1 dhe 2 marsit” – u shpreh Kamberi.

Kryetari Kamberi, gjithashtu, tërhoqi vërejtjen, duke kërkuar që të përjashtohet çdo marrëveshje me Serbinë e cila nuk parasheh reciprocitet me të drejtat e serbëve të Kosovës dhe shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Nuk mund të ketë një pakicë me të drejta të privilegjuara në Ballkan, të drejta këto që tejkalojnë edhe konventat ndërkombëtare nga ana tjetër, shqiptarët e Luginës nuk i gëzojnë as të drejtat elementare” – nënvizoi kryetari Kamberi./Jetapress/