Ballina Lajme Nga Bota Keqësim i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit

Keqësim i marrëdhënieve mes Rusisë dhe Perëndimit

SHPËRNDAJE

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit vazhdojnë të keqësohen pas helmimit të ish-agjentit të dyfishtë Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në qytetin britanik Salisbury. Në një deklaratë të enjten, Julia tha se ajo është në shërim e sipër. Britania ia ka hedhur fajin Kremlinit për ngjarjen. Në një konferencë ndërkombëtare të sigurisë në Moskë këtë javë, Rusia paralajmëroi për një luftë të re të ftohtë dhe tha se do të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur veten.

Një muaj pas sulmit me agjent nervor, hetuesit vazhdojnë të kërkojnë me kujdes në rrugët e Salisbury-t.

Incidenti shërbeu si një sfond i tensionuar për Konferencën dyditore të sigurisë në Moskës, e cila u mbyll të enjten.

“I ashtuquajturi rasti Skripal u bë një pretekst, imagjinar apo i stisur, për një dëbim masiv të diplomatëve rusë,” tha ministri i jashtëm rus Lavrov.

 Moska madje aludon se mund të jetë Britania autore e sulmit, për ta përdorur kundër Rusisë, gjë që është hedhur poshtë nga Londra.

Rusia e përdori konferencën e Moskës për të paralajmëruar për një luftë të re të ftohtë, ndërkohë që po ngrenë krye konfliktet e vjetra.

“Rusia do t’i mbrojë interesat, sovranitetin dhe pavarësinë e saj në mënyrë efektive, duke përdorur të gjithë arsenalin e mjeteve që ka,” tha zoti Lavrov.

Arsenali ushtarak i Rusisë është përdorur në Siri, me pasoja shkatërrimtare. Grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë forcat ruse dhe siriane për bombardime pa dallim. Por në konferencën e Moskës, një gjeneral i lartë rus tha se forcat e vendit të tij e kanë ndryshuar rrjedhën e luftës:

“Sot mund të themi se rezultati kryesor i operacionit ushtarak të forcave ajrore ruse është humbja e Shtetit Islamik në Siri, i cili praktikisht ka pushuar së ekzistuari”.

Ministri i mbrojtjes i Iranit paralajmëroi se Shteti Islamik ende e ruan potencialin e tij shkatërrues:

“Republika Islamike e Iranit e konsideron forcimin e aftësive mbrojtëse dhe atyre parandaluese, veçanërisht sistemet e raketave, të drejtën e saj natyrore”, tha Amir Hatami.

Presidenti i SHBA Donald Trump i shikon programet e raketave të Iranit si një shkelje të frymës së marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 dhe ka kërcënuar se do të rivendosë sanksionet.

Rusia dhe Kina dënuan së bashku atë që ata e quajnë qëndrim të njëanshëm amerikan në diplomacinë globale, që kërkon ndryshimin e statuskuosë.

Por në vend të dialogut, konferenca e sigurisë në Moskë duket se i ka ngurtësuar më tej pozitat gjeopolitike, thotë analisti Andrew Foxall:

“Shumica e çështjeve të ngutshme me të cilat ndeshet bota janë çështje që mund të zgjidhen vetëm me përfshirjen e Rusisë. Prandaj mendoj se nga ana e Rusisë duhet të tregohet një shkallë e vullnetit të mirë, ndoshta në rastin e helmimit të Skripalit, ndoshta në Ukrainën Lindore, apo në Siri, për të rivendosur besimin në disa çështje të ndjeshme për Perëndimin.”

Ky besim është duke u shuar dhe shumë vëzhgues thonë se paparashikueshmëria mund të jetë më e rrezikshme sesa rivalitetet e Luftës së Ftohtë./voa