Ballina Aktuale Planeti në rrezik, shqiptarët bëjnë cirk!

Planeti në rrezik, shqiptarët bëjnë cirk!

SHPËRNDAJE

Kur bota është ngritur në këmbë, nga kërcënimet për një luftë të mundshme botërore, pa përjashtuar përdorimin e armëve kimike dhe shpërthimet bërthamore, Parlamenti i Shqipërisë, zbardhet e skuqet, nga hedhja e miellit, shisheve dhe të kuqtë e vezës.

Në vend se ky Parlament shqiptar, duke llogaritur edhe atë të Kosovës, të debatojnë për shkallën e rrezikut të lartë, që mbretëron në botë, ata ngatërrohen për gjëra, të cilat nuk çojnë ndonjë peshë të madhe, sa këto që po paralajmërohen e mund të na kushtojnë shtrenjtë.

Serbia, vendi fqinj i Kosovës dhe Shqipërisë, është në përgatitje e sipër nga ndonjë shtrirje eventuale të luftës në hapësirat ballkanike, e shqiptarët hiqen sikur të gjitha i kanë në terezi, e bien në sherr mes vete në Parlament, duke mos kursyer miellin (bukën e gojës), ujin, shishet, vezët etj.

Sindromi kosovar i hedhjes së vezëve dhe gazit lotsjellës në Parlament, po përsëritet edhe në Shqipëri, me një metodë të re, kjo e gjuajtjes së miellit, një nga skandalet e pashembullta në historinë e njerëzimit.

Të përdoret miell, si mjet për sulm ndaj kundërshtarit, kjo është e tmerrshme e frikshme dhe e turpshme. Të gjuash me miell, me bukë, në një kohë kur skamja ka trokitur në shumë vendbanime shqiptare këndej e matanë Drinit, është më shumë se një absurd. Të parët tanë kur vërenin se dikush luante me miell ia tërhiqnin vërejtjen:”Mos se buka të vret!”. E zia e bukës, jo rrallë, i pat goditur dikur edhe shqiptarët, të cilët assesi të mbushen mend!

Mielli nuk është gaz lotsjellës, gurë e shishe uji për gjuajtje, por ushqim për njerëz, kujtone kohën e Migjenit, kur thoshte “Bukën tonë të përditshme falna sot”, apo te rrëfimi tjetër “Legjenda e misrit”.

Po disa deputetë, mjerisht, shqiptarë nuk e kanë hallin e miellit, bukës e kripës, ata këto gjëra ushqyese nuk i shohin karshi mishit të pjekur në hell e specialitete të tjera, prandaj nuk është edhe e çuditshme të shohim se si hedhet mielli në Parlament!

E shqiptarët e Luginës së Preshevës, të mësuar nga fluturimi i aeroplanëve luftarakë, të kalitur nga gjendja e jashtëzakonshme, të regjur nga skamja e të mësuar nga presionet e luftës psikologjike, nuk po munden të pajtohen me këto dukuri të shëmtuara, të poshtra e të ulëta, të cilat po ndodhin në parlamentet shqiptare.

Ky shqetësim vjen tani, kur planeti ynë po kërcënohet nga një luftë botërore, nga e cila as ne nuk mund t’i ikim e as që mund ta ndalim, po të paktën të jemi të mobilizuar për përballimin e saj.

Të marrim si model vendet fqinje se si organizohen nëpër këto situata, ngase nuk thuhet kot: “Kur vjen ujku në komshi, prite në shtëpi?! /jetapress/