Ballina Kulturë Nënshkruhet Marrëveshja për restaurimin e Qendrës Historike të Prizrenit

Nënshkruhet Marrëveshja për restaurimin e Qendrës Historike të Prizrenit

SHPËRNDAJE

Sot është nënshkruar Marrëveshja për hartimin e planit për rivitalizimin dhe integrimin socio-ekonomik të komunitetit lokal në rrugën “Marin Barleti” në Prizren.

Siç njofton MKRS-ja, marrëveshja u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës së BE-së në Kosovë, Përfaqësuesit Special të BE-së, Komunës së Prizrenit, Ambasadës britanike në Prishtinë dhe OJQ-së “Ec Ma Ndyshe”.

Marrëveshja parasheh realizimin e projektit në përputhje dhe duke përmbushur objektivat e Strategjisë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës (2017-2027) dhe ka për qëllim hartimin e një dokumenti strategjik për menaxhim dhe mirëmbajtje të trashëgimisë kulturore dhe rikthim të qëndrueshëm dhe integrim të komunitetit lokal nëpërmjet zhvillimit ekonomik; përgatitjen e projekteve preliminare për restaurimin e 14 ndërtesave të trashëgimisë kulturore në rrugën “Marin Barleti”; përgatitje e projektit preliminar të dizajnit urban për rrugën “Marin Barleti”, që përfshin aspektet teknike dhe mobilerinë urbane.