Ballina Lajme Nga Vendi Lugina shënon Ditën ndërkombëtare të fëmijëve

Lugina shënon Ditën ndërkombëtare të fëmijëve

SHPËRNDAJE

Të premten e 1 qershorit, në Luginë të Preshevës, u shënua festa e 1 Qershorit, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, me një varg veprimtarish të ndryshme.

Qyteti i Bujanocit ishte një shembull i mirë i organizimit të kësaj feste me karakter ndërkombëtarë. Nën patronatin e pushtetit lokal dhe OJQ  “Beyond”, në sheshin e qytetit të Bujanocit performuan fëmijët e grupmoshave midis 6-7 vjeç, kryesisht ata të Çerdhes “Gëzimi ynë”, me valle, këngë e lojëra të ndryshme.

Në këtë eveniment të lartë kulturor merrte pjesë edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, i cili duke I uruar fëmijët për festën e tyre, në mes tjerash, tha: “Është kënaqësi që komuna të marrë pjesë në organizimin e aktiviteteve të tilla, është hera e dytë që ne bashkërisht me organizatat joqeveritare që merren me aktivitete të tilla të organizojmë manifestimin e kësaj dite”.

Po ashtu edhe Bukurije Limani, përfaqësuese e organizatës “Beyond” në Bujanoc”, për këtë ditë të madhe për fëmijët u shpreh:  “Shfrytëzoj rastin që të gjithë fëmijëve një qershorin ditën e tyre, njëherit e falënderoj edhe çerdhen e fëmijëve “Gëzimi Ynë” për bashkëpunim, falënderojmë edhe Komunën e Bujanocit për përkrahjen e dhënë”.

Jetapress, mëson se edhe Presheva është përfshirë në këto aktivitete kushtuar Ditës Ndërkombëtare të fëmijëve nën organizimin shoqatës së personave me aftësi të veçanta.

Karshi godinës së Kuvendit komunal në Preshevë, fëmijët parashkollorë  performuan me lojëra të ndryshme, valle dhe këngë, duke kujtuar se kjo festë ka edhe karakterin e sensibilizimit të opinionit kundër dhunës ndaj fëmijëve./jetapress/.