Ballina Aktuale BIPBM: Iftari i unitetit në Bujanoc

BIPBM: Iftari i unitetit në Bujanoc

SHPËRNDAJE

Të hënën e 11 qershorit, në Restorantin “Rozafa”  në Bujanoc, Bashkësia Islame për Preshevë, Bujanoc  dhe Medvegjë (BIPBM), në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR nga Shqipëria dhe organizatën turke IHH nga Belgjika, shtruan iftarin përmbyllës për këtë muaj të shenjtë të Ramazanit, të cilin e ndajnë edhe pak ditë deri te festa e Bajramit të Madh.

Ky Iftar për dallim nga ata të mëparshmit ishte më i veçantë, nga se arriti që në sofrën e përbashkët të unitetit të grumbulloj përfaqësues nga shumë shtete me qindra pjesëmarrës nga sfera të ndryshme të jetës sonë shoqërore: politike, kulturore, arsimore, fetare, shoqëria civile dhe gazetaria.

Madhështinë e këtij Iftari të unitetit e shtoi prania e drejtuesve të pushtetit lokal të Bujanoc me kryetarin e Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi dhe atij të Kuvendit Komunal dr. Adnan Salihu, deputetit popullor Fatmir Hasani, përfaqësuesve nga radhët e Këshillit Kombëtar Shqiptar, mysafirë nga Meshiati i Bashkësisë Islame të Maqedonisë dhe ramazanlinj nga Gjilani, Presheva dhe Medvegja.

Me  rastin e këtij Iftari të përbashkët, në emër të Myftiut të Luginës së Preshevës Nexhmedin ef. Saqipi, të pranishmit i përshëndeti sekretari i BIPBM-së Refik Mehmeti, i cili falënderoi përzemërsisht  Fondacionin ALSAR nga Shqipëria dhe  organizatën IHH nga Belgjika, të cilat kohëve të fundit janë të pranishme me projekte të ndryshme në Luginë të Preshevës.

Po ashtu me një fjalë përshëndetëse u paraqitën përfaqësuesit e IHH nga Belgjika dhe përfaqësuesi i Fondacioni ALSAR nga Shqipëria Neki Kaloshi, i cili falënderoi bashkëpunimin e sinqertë të këtyre organizatave më kreun e BIPMB-së Myftiun Nexhmedin ef  Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendës reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame për Serbi.

Jetapress, mëson se Organizata IHH nga Belgjika, gjatë ditës së djeshme të 11 qershorit, ka  shpërndarë 85 pako me ndihma humanitare për familjet në nevojë për Komunën  e Bujanocit./jetapress/