Ballina Opinione Turistë ka, por a e kemi turizmin zanat?

Turistë ka, por a e kemi turizmin zanat?

SHPËRNDAJE

Ervis Iljazaj

Qeveria ka shpallur numrin e turistëve këtë sezon që pritet si numrin më të madh që ka patur Shqipëria ndonjëherë. Dhe më të vërtet kështu është. Sepse nga të gjitha gjasat dhe të dhënat, do të kemi një numër të madh turistësh.

Mjafton të shohësh bregdetin e Durrësit në fundjavë dhe do të dëgjosh një shumëllojshmëri gjuhësh. Ky është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare në vështirësi. Ndoshta fluksi i turistëve do t’i japë një frymëmarrje xhepave të njerëzve që merren dhe punojnë në këtë sektor.

Fillimi duket i mbarë në këtë sezon të turizmit, gjithashtu atmosfera që ekziston në mediat e huaja që përcaktojnë Shqipërinë në një nga destinacionet e rëndësishme për të kaluar pushimet verore.

Mirëpo, kësaj atmosfere shteti shqiptarë duhet t’i përgjigjet sa më shpejt dhe në mënyrën e duhur nëse vërtet nuk dëshirojmë që Shqipëria të humbë një nga asetet e saj më të rëndësishme, ndoshta, të vetmin të zhvillimit ekonomik.

Në fakt ka dy çështje që ndihmojnë turizmin shqiptar për ta çuar në nivelin e dëshiruar, në atë nivel që do të ketë impakt në ekonominë shqiptare.

E para është kthimi i shërbimeve turistike në profesion, ose e thënë në gjuhën popullore në zanat. Kur them zanat e kam fjalën te shkollimi i duhur. Te shkolla profesionale, apo ndërtimin e një kulture shërbimi. Në fund të fundit të punosh në sektorin e turizmit, përveçse bukurive natyrore, e vetmja gjë që shet është shërbimi.

Kështu që, kthimi në zanat i turizmit është kushti bazë për të patur një të tillë.

Dhe e dyta, kthimi i turizmit në industri kombëtare.

Edhe këtë vit, si çdo vit, mediat raportojnë për problematikat e ndryshme. Duke filluar që nga problemi i mbetjeve e deri tek infrastruktura e duhur që mungon në shumë prej destinacioneve potenciale turistike.

Këto janë probleme për t’u zgjidhur, por që ta kthejmë turizmin në një industri kombëtare, me gjithë kuptimin e fjalës, duhet një ndërhyrje strategjike, që kërkon para dhe investime të mëdha.

Që ta kthesh turizmin në një industri është diçka më serioze dhe impenjative se sa problematikat e përditshme që has çdo ditë. Duhet një vendim i madh shtetëror për të orientuar drejt bregdetit investimet për turizmin.

Mjaft më me rrugët e komunave që harxhojnë para të buxhetit pafund. Lekët e buxhetit duhet të shkojnë drejt turizmit që na sjell para dhe, nesër dhe pasnesër edhe për rrugët e fshatit. E gjithë logjika e investimeve duhet të bazohet në një analizë kosto-përfitim dhe, përfitimet janë te turizmi.

Vendet me të cilat kufizohet Shqipëria, Mal i Zi, Greqia, Italia, janë kolosë të turizmit botëror dhe, në këtë mënyrë bëhet pothuajse e pamundur konkurrenca me to. Turistët e huaj që prekin Shqipërinë, më së shumti e bëjnë atë si pjesë e një itinerari të caktuar dhe jo si destinacionin kryesor.

Nëse duam vërtet që këtë potencial ta kthejmë në mundësi të zhvillimit ekonomik kombëtar dhe t’i bëjmë ballë konkurrencës së vështirë me vendet fqinje, lipset një strategji totalisht e kundërt nga ajo që kemi patur deri më tani.

Turizmi kthehet në industri, jo me planë lokale apo me iniciativa personale të bizneseve dhe operatorëve turistikë, por me një vendim shtetëror dhe një plan kombëtar, i cili ka munguar.

Sigurisht që disponibiliteti i investimeve publike është i kufizuar. Mjafton që t’i drejtojmë në sektorë që na i kthejnë shumëfish ato dhe, kështu do të ketë mundësi për të investuar dhe për rrugët e pafundme të komunave dhe domosdoshmëri të tjera.