Ballina Aktuale Reagimet e zyrtarëve të Beogradit rreth Deklaratës së këshilltarëve shqiptarë të Luginës…

Reagimet e zyrtarëve të Beogradit rreth Deklaratës së këshilltarëve shqiptarë të Luginës…

SHPËRNDAJE

Këshilltarët shqiptarë të kuvendeve komunale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të shtunën e 14 korrikut, miratuan “Deklaratën politike”,  me të cilën kërkohet nga palët pjesëmarrëse në dialogun e Brukselit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përfshihet edhe statusi politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, sipas parimit të “Reciprocitetit”, me të drejtat e serbëve në veri të Republikës së Kosovës.

Deklarata politike e këshilltarëve shqiptarë, qëndron prapa Deklaratës Universale për të drejtat e njeriut (1948), – Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave, – Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, – Referendumit të 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992, – Marrëveshjes së Konçulit (2001), – Platformës politike Janarit të vitit 2006, – Masave urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve (Plani 7 pikësh) të Marsit (2013), – Rezolutës së Parlamentit të Republikës së Kosovës Majit (2013), – Vendimit mbi formimin e Asociacionit të shqiptarëve në komunat Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë të Shtatorit të vitit 2015 dhe kjo e fundit “Deklarata politike” e korrikut të 2018, për përfshirjen e Luginës së Preshevës në dialogun e Brukselit.

Kjo Deklaratë politike, ashtu si të tjerat ka ngritur zemërimin e zyrtarëve të Beogradit, duke filluar nga presidenti i shtetit Aleksandër Vuçiq, ministri i punëve të jashtme Ivica Daçiq dhe shefi i Trupit Koordinues Zoran Stankoviq, të cilët një farë mënyre kërcënuan këshilltarët shqiptarë “të mos luajnë me zjarr” dhe sipas tyre ata nuk janë pjesë e dialogut dhe se kërkesat mund t’i zgjidhin në formë ligjore përmes institucioneve e jo duke kërkuar që ato t’ua zgjidh dikush tjetër. Madje, në kuadër të këtyre reagimeve, nuk mbetet pa u cekur se kjo Deklaratë politike e shqiptarëve, vjen në momentet kur po bëhen gati të shpallen zgjedhjen e Këshillave Kombëtare, për të fituar poena politikë!

Në këtë drejtim mungojnë deklaratat e zyrtarëve të Kosovës rreth Deklaratës politike të këshilltarëve shqiptarë në Luginë të Preshevës, përveç ndonjë subjekti politik, që në parim mbështet një deklaratë e tillë, pa përjashtuar takimet e herëpashershme të lidershipit të kësaj ane me përfaqësuesit legjitimë të Kosovës.

“Jetapress”, mëson se Deklarata politikë e këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, për momentet heshtet nga liderët institucional të Shqipërisë dhe faktorët ndërkombëtarë, duke llogaritur edhe ato të akredituara në Serbi përmes ambasadash të ndryshme./jetapress/