Ballina Intervista “BURGU NUK PËRSHKRUHET, PËRJETOHET”

“BURGU NUK PËRSHKRUHET, PËRJETOHET”

SHPËRNDAJE

Adem Demaçi, simbol i rezistencës, kishte punuar gjithmonë për të tjerët. Edhe sa ishte në burg kishte ndihmuar shumë të rinj që po akuzoheshin pa të drejtë dhe burgoseshin në burgjet e ish Jugosllavisë.

Në burgun e Stara Gradishkës, në Kroaci, bashkë me bacën Adem ishte, për disa vjet, edhe Basri Ibrahimi, ish i burgosur politik. Në një intervistë për programin e mengjesit në Radio Kosovë, Ibrahimi kujton ditët e para të takimit me Adem Demaçin, torturat që kishte përjetuar dhe rezistencën e tij, mësimet që merrnin nga Adem Demaçi, etj. Nën ndikimin e madh të emocioneve dhe lotëve, ai shpreh ngushëllime për të gjithë shqiptarët, duke e cilësuar humbje të madhe vdekjen e Adem Demaçit.

Basri Ibrahimi: Fillimisht dua t’i shpreh ngushëllimet e mia familjes, bashkëshortës, vajzës Abetarës, djalit Shqiptarit dhe të gjithë shqiptarëve të Kosovës, gjithë kombit shqiptar, sepse baca Adem nuk ishte vetëm i familjës, as vetëm bashkëshorti, as vetëm baba, por as vetëm miku i ynë, që ishim së bashku nëpër kazamatet jugosllave, por ishte i gjithë kombit shqiptar. Baca Adem, çdo gjë që ka bërë në jetën e tij, e ka bërë jo për vetvetën, gjithmonë për të tjerët, gjithmonë për kauzën shqiptare dhe vërtetë në këto momente, duke iu shpreh të gjithëve ngushëllime, ndaj emocionet me të gjithë.

Është shumë e natyrshme të keni emocione. Z. Ibrahimi në cilat vite keni qenë ju bashkë në burg, sepse baca Adem, ju ka pritur e ka përcjellë shumë të tjerë, duke qenë për 28 vjet në burg?

Basri Ibrahimi: Me bacën Adem jam takuar më 1987 në Stara Gradishkë, pasi mua më transferuan nga Goli Otoku në Lupogllavë, dhe pas një kohë që qëndrova aty, ne filluam një grevë. Të gjithë të burgosurit politikë hymë në grevë, sepse na e ndaluan literaturën dhe atëherë na transferuan në një burg shumë famkeq të Gospiqit. Në kohën kur unë isha aty, nuk ishte aq i tmerrshëm, por ata që e kanë përjetuar në vitin 1981, 1982 vërtet kanë çka të tregojnë për vuajtjen dhe tmerret që kanë përjetuar. Nuk mund të përshkruhet, ajo mund vetëm të përjetohet. Pastaj prej aty na transferuan në Stara Gradishkë, ku për herë të parë jam takuar me bacën Adem.

Sa moshë keni pasur atëherë?!

Basri Ibrahimi: Unë atëherë isha 24 vjeçar, isha i denuar me 20 vjet.

Nën akuzën?

Basri Ibrahimi: Ne që ishim denuar në gjykatat ushtarake ishin akuza monstrume të kurdisura, procese të montuara politike. Ne ishim të detyruar të krynim shërbimin ushtarak atë kohë dhe na montuan procese politiike, si shumë të tjerëve.

Dhe e mbani mend mirë atë takim?!

Basri Ibrahimi: Absolutisht, nuk harrohet ai moment. Unë kisha dëgjuar që në moshën 18 vjeçare. Për përpjekjet e tij dhe angazhimet e tij. Unë kam pasur fatin që të jem një gjeneratë, ndoshta  e artë të Kosovës, në vitin 1981. Unë atëherë isha vetëm 18 vjeçar, por isha student i UP-së, ato  ishin vite shumë aktive, pavarësisht represionit që bëhej ndaj shqiptarëve, studentët ishin shumë aktivë dhe gjithmonë bisedat që i bënin i bënim për politikë. Prandaj kishim informata edhe për bacën Adem. Në momentin kur shkuam në Gradishkë, ne fillim ata e quanin praktikë, një muaj na mbanin në karantinë, gjoja në fillim me adaptimin gjoja të kushteve të burgut, dhe gjatë asaj kohe ne e diskutonim si do të takoheshim me bacen Adem, cfarë do shihnim tek ai. Unë dhe Baca Adem ishim moshatarë, sepse unë i kisha 24 vjet moshë, e ai kishte 25 vjet burg, dhe gjatë asaj kohe sa ishim në karantinë, ne provonim nga dritarja qe…(emocion dhe lotë).

Ju kuptoj që keni emocione. Çfarë tjetër mund të na kujtoni, motivet në diskutimet me të, cfarë keni mesuar nga baca Adem, sepse ai ka qenë edhe mësues për ju, apo jo?

Basri Ibrahimi: Absolutisht. Ai ka qenë idol i ynë  edhe në atë kohë, e të mos flasim më pastaj, derisa ne provonim që ta shihnim nga dritarja, ta njihmin dhe fizikisht para se të takoheshim fizikisht. Por ai njeri ka respektuar gjithmonë, ai gjithmonë e ka pasë qëllimin e qartë, objektivin e qartë dhe nuk i është shmangur qëllimit të tij kryesor. Ne natyrisht nuk arritëm ta shihnim prej ditareve dhe me pastaj ne na larguan nga ajo karantinë dhe na vendosen nëpër pavijonet e burgut. Une pak u zhgënjeva dhe….(emocion dhe lotë).

Jeni zhgënjyer… keni shumë emocion dhe lotë z Ibrahimi….

Basri Ibrahimi: Unë u zhgënjeva me bacen Adem se e pritsha një njeri tjetër,  një njeri të madh, e them si simbolike, se me bacen Adem nuk mund të zhgënjehesh, por kur e pashë fillimisht një njeri shumë të vogël, deri sa nuk ju ofrova nga afër, e kur e pashë nga afër ishte gjithçka tjetër. Afërsia e tij, butësia e tij, fjalët e tij të para ishin ato që na bënë shumë krenarë me të, dhe përmes atyre syzave që kishte të shtrembura,  sepse natyrisht kishte shumë vite ne burg, por edhe përmes atyrë xhamave te syzave, ai të shponte me shikimin e tij. Sikur deshironte që gjithçka të kuptohet nga secili prej nesh, sepse kishte shumë kohë të gjatë që nuk kishte parë shqiptarë.  Sa herë që takonte shqiptarë të burgosur politikish, ai sikur shihte një luftëtar të lirisë, sikur e shihte një shpresë më të madhe, drejt qëllimt tonë, dhe këto ishin vërtet ato emocionet e mëdha….

Çfarë bisedonit në ato takimet që kishit pasur mundësi t’i realizoni me bacen Adem?

Basri Ibrahimi: Ne kemi mësuar shumë prej bacës Adem, sepse ai ka qenë vërtet një vizionar i madh një intektual i madh. Ne nuk e kemi respektuar sa duhet më vonë si shoqëri, fjalët e tij nuk i kemi marrë sa duhet, mesazhet e tij sa duhet, ne si shoqëri fatkeqësisht e kemi injoruar pak, i kemi thënë jo ështe plakur, jo është matufosur,  jo burgu i gjatë… Por që fjalet e tij vërtet kanë qenë mesazhe, fjalët e tij kanë qenë udhërrëfues për të gjithë ne. Ajo që ai gjithmonë ka kërkuar nga ne, ka qënë që të punojmë, dhe të lexojmë. Sa ishim në burg thoshte që ne të lexojmë, se kur te dilnim nga burgu, na thoshte, nuk do ta keni këtë kohë. Sigurisht qe asnjëherë ne nuk e kishim menduar që liria do të vinte kaq shpejt, të paktën ne jo, e ndoshta baci Adem e ka paraparë, qe ajo do të vinte kaq shpejt dhe ishte gjithmonë i bindur për këtë. Lexoni se nuk do ta keni këtë mundësi që të lexoni sot e të përgatiteni për nesër, na thoshte. Natyrisht ne ishim të ri dhe nga pak kishim qejf edhe të luanim, por kërkesa e tij ishte që ne të lexonim

E keni parë ndonjëherë të mërzitur, në depresion me gjithë atë kohë, me gjithë atë jetë që ka kaluar në burg?

Basri Ibrahimi: T’i thuash dikujt që jo, nuk është e besueshme, por e them shumë sinqerisht anjëherë të vetme, derisa ne kemi qëndruar në burg nuk e kam parë bacin Adem me disponim te ndryshuar, ose si te themi me disponim të rrënuar, apo i deshpëruar për diçka. Për ne ishte sikur të marrim infuzion për çdo ditë, derisa ishim me bacen Adem takimet me të, bisedat me të ose vetem prania e tij, unë kam pasur nje fat që të jem në dhomën ngjitur me bacën Adem. Baca Adem ka qenë në dhomën 28 , une kam qenë në dhomën me nr 27.

Me kë ishte në dhomë ai?

Basri Ibrahimi: Ai ishte sikur me të gjithë të tjerët, me të burgosur, në dhomën e tyre ishte një i ndjerë Fetah Xhafa, me të cilin unë jam denuar, ndërsa të burgosur politik të tjerë asnjë nuk e ka pasur në dhomë.  Ai ka jetuar me të burgosur ordinerë, me vrasës, me dhunues, me të gjithë të tjerët dhe ai e ka duruar me stoicizëm krejt ato që janë bërë në dhomë. Kur e thashë ma heret qe ai e ka pasur gjithmonë një objektiv, e ka pasur qëllimin përpara vetës, e ka duruar gjithçka me vite të tëra baca Adem ka fjetur, sepse shtretërit kanë qenë me dy kate po e quajme ashtu, dhe baca Adem ka fjetur në katin e epërm, një i burgosur tjetër, një kriminel ka qenë poshtë dhe baca Adem ka qenë anti duhanxhi i madh dhe ai krimineli që ka fjetur nën të gjithë natën ka pirë duhan dhe timi i ka shkuar lartë. Ai asnjëherë nuk ka reaguar, asnjëherë nuk është marrë me të, sepse e ka pasur qëllimin e qartë , ai e ka ditur që edhe administrata e burgut i ka bërë gjithçka që me maltretue sa ma shumë që ishte e mundur dhe me thye bacen Adem. Por ai ka pasur qëllimin e qarte. Gjatë krejt asaj kohe ai ka jetuar në kushte mizerie, ne kur kemi shkuar, sepse vitet tona kanë qenë më të vonshme, situata politike dhe ndryshimet në gjithë ish Jugosllavinë pak a shumë ksihin reflektuar në permirësimin e kushteve dhe tolerancës në burgje. Por, një kohë baca Adem ka qenë vetëm, bashkë me të një kohë të gjatë ishte edhe Ndue Paloka, një njeri që i ka ndejtur shumë afër bacës Adem, me vite të tëra, sepse s’kishte ndonjë tjetër…(emocion…)

Z. Ibrahimi ju kuptoj shumë për këto emocione që sillni. Na tregoni pak pjesë të tjera të ditës si i keni kaluar në Gradishkë. Për shembull, si I keni nisur mëngjeset, ditën apo 24 orëshin, ju kujtohet ndonje moment humori nga baca Adem?

Basri Ibrahimi: Gjithsesi, mëngjeset  kanë filluar herët, sepse ne kemi qenë të detyruar që edhe të punojme. Baca Adem përsëri këtu e ka treguar vendosmerinë e tij dhe ne disa deshironim të mos punonim që t’i shmangeshim punës, si refuzim ndaj administrates se burgut. Ndersa baca Adem asnjëherë nuk e ka bërë një gjë të tillë. Ai gjithmone na thoshte: ç’keni ju me administraten e burgut, ç’keni ju me gardianet, me çelsagjitë?.. çelsagji i quante, duke thënë se ata ishin të detyruar  të na mbanin në burg dhe asnjë gjë nuk e kanë me qëllimet tona, me kauzen tonë. Prandaj s’keni çfarë të merreni me ta, na thoshte dhe ai punonte zakonisht. Në mengjes ata që ishin me punë, ata që ishin të obliguar për të shkuar në punë, zgjoheshim herët në mengjes dikund rreth ores 6, nese nuk gaboj, dhe ato momente disa prej nesh pak ishim të përgjumur, nuk deshironim të zgjoheshim nga gjumi, ndersa baca Adem  ishte sikur mos te kishte fjetur fare dhe gjithmonë me shaka thoshte “Ejani djema se duhet te shkojmë ta fitojmë buken”..

Si një jetë pothuaje normale pak a shume për të?

Basri Ibrahimi: Absolutisht, si një jetë  normale dhe që ato i përballon me një lehtësi të padurueshme do të thotë të pa imagjinueshme. Po e them edhe njëherë këto nuk mund të përshkruhen, janë gjëra sikurse e ka thënë edhe baca Adem, burgu nuk përshkruhet, burgu mund vetëm të përjetohet. Pastaj në shkonim në mengjese dhe na dergonin nëpër ato punëtoritë atje nëpër vendet e punës ku duhet të punonim, e baca Adem ka qenë me të vertetë një njeri që nuk ka menduar për vetën por gjithmonë për të tjerët. Dua të kujtoj një moment, kru një guardian i ri kishte ndarë repartet me një vijë, duke thënë se ky repart nuk bën të komunikojë me repartin tjetër.  Dhe heroi ynë i madh, tashmë, Fehmi Lladrovci dhe një I burgosur tjetër Besim Baraliu po bisedonin mes vete duke thënë se nuk do ta respektonin atë vijë të gardianit. Baca Adem i dëgjon dhe duke i ditur mirë pasojat nëse do të kalohej ajo vijë nga të tjerët, baca Adem e kalon vijën vet dhe gardiani e shikon duke e thirrur: Demaçi,  Demaçiii. Ai i thotë: bezhi (në gjuhën serbe). Baca Adem kishte fituar një imuntet të jashtëzakonshëm edhe brenda burgut dhe prej gardianëve dhe administratës së burgut dhe nuk e merrnin më guximin të ndëmerrnin diçka ndaj tij. Prandaj ky ishte moment me tregu edhe gatishmërinë e tij që ai të sakrifikohej për të tjerët.

Keni qenë shumë në ato grupe?

Basri Ibrahimi: Në kohën kur në kemi qenë aty sigurisht  rreth 40 veta kanë qenë në Stara Gradishkë.

E mbani mend momentin kur ishte marrë vendimi për lirimin e bacës Adem prej burgut?

Basri Ibrahimi: Unë fatkeqësisht nuk kam qenë në atë moment. Sa isha në Gradishkë, në shkurt të 1990, më larguan nga aty, më dërguan përsëri në Lupogllavë dhe baci Adem ishte liruar diku në prill të 1990. Derisa ishim në burg e morëm vesh se baci Adem ishte liruar bashkë me disa të burgosur të tjerë. Natyrisht, ishte shumë kënaqësi që të dalë nga burgu, i ngushtë që e quante ai, në burgun e gjërë. Dalja e tij nga burgu për të gjithë ne ishte një shpresë e veçantë dhe kthimi i tij në shtëpi, bashkë me dijën dhe forcën që kishte, do të ndihmonte dhe përshpejtonte lirinë e Kosovës. Shokët dhe unë personalisht kam menduar se dalja e bacës Adem nga burgu do të bëjë qudira. Dhe ai ishte njëri si gjithë të tjerët. Megjithatë, dija, gatishëmria dhe përkushtimi i tij, na bënte të shpresonim se do të bënte ndryshim të madh.

Kjo ju ka motivuar më shumë?

Basri Ibrahimi: Na ka motivuar shumë, sidomos neve që ishim afër të mbaronim burgun. Dhe besonim që dalja e bacës Adem do t’i jipte një shtytje të madhe lëvizjës, për të cilën ishim të informuar që po ndodhte. Ishin ndryshimet politike në Kosovë, por edhe ndryshimet e tjera sistemore, dhe ndryshimet e mëdha edhe në gjithë botën. Prandaj kjo ishte edhe mundësia që do të bëheshin ndryshime të mëdha politike.

z. Ibrahimi, a keni shkruar për këto kujtime?

Basri Ibrahimi: Fatkqësisht, nuk kam shkruar. Por gjithësesi duhët të ruhen këto kujtime. Jo për vete, por për gjeneratat e tjera. Dhe unë i përgëzoj të gjithë ata që kanë durim dhe ulën e shkruajnë. Pavarësisht se mund të jenë ato subjektive, apo të flitet në vetën e parë. Por, unë e them gjithëherë se, më mirë është të shkruhet gjithçka dhe prej asaj mund të nxirret diçka. Ndërsa nga ajo që nuk shkruhet, çdo gjë mbetet vetëm kujtime dhe dikur tretën.

Po, sepse faktet sidomos për figura të mëdha, duhet të mbeten?!

Basri Ibrahimi: Është hera e parë që flas publikisht për të madhin Bacën Adem, është humbje e madhe për familjen, edhe për mua personalisht dhe për kombin shqiptar.

(Basri Ibrahimi është kryeinspektor i Inspektoratit të punës në Kosovë)

 

 

Autor: Hyrë Tejeci Murati