Ballina Aktuale Perëndimi ndau Maqedoninë

Perëndimi ndau Maqedoninë

SHPËRNDAJE

 Nga Mero Baze

 

Referendumi për emrin e ri të Maqedonisë dhe orientimin e saj pro-Perëndimor, zbuloi një Maqedoni të ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit. Rezultati nuk është aq dëshpërues sa duket, sa i takon forcave pro-Perëndimore, por ai tregon se tashmë Maqedonia ka hyrë në hartën e shteteve që janë të ndara në orientimin e tij pro dhe kundër Perëndimit.

Rezulatati prej 36 përqind, nëse marrim paraysh listat fiktive të votuesve në Maqedoni, që datojnë nga koha e Titos, dhe qindra mijëra qytetarë të saj në botë, që nuk kthehen kurrë në Maqedoni, në fakt është një rezultat që kap rreth 50 për qind të trupës faktike të votuesve. Por kjo nuk e ndryshon situatën.

Shumë vëzhgues të zhvillimeve në Maqedoni fajësojnë Perëndimin, për shkak se u tregua arrogant dhe imponues, duke mos u dhënë kohë qytetarëve të ndërgjegjësoheshin për rëndësinë e referendumit, duke e konsideruar atë betejë partiake. E vërteta është se Perëndimi u bë palë në këtë betejë, dhe humbi. Ajo që është interesante, ka të bëjë me faktin se shqiptarët në Maqedoni, kanë votuar njësoj si maqedonasit. Nëse sheh shifrat e pjesëmarrjes në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Shkup dhe Dibër, ato shkojnë afërsisht tek 38 përqind, thuajse sa mesatarja e vendit, çka do të thotë se heronjtë pro-Perëndimorë të Maqedonisë, nuk janë shqiptarët, por LSMD e Zaevit. Ata nuk u përçanë, por u forcuan, ndërsa shqiptarët i ndanë qëndrimet mes pro-Perëndimorëve dhe anti-Perëndimorëve.

Shqiptarët kanë qëndruar në shtëpitë e tyre, shumica të papërgjegjshëm për fatin që i pret nën një Maqedoni anti-Perëndimore, dhe një pjesë të indoktrinuar vërtet nga erërat e Lindjes, në mos ato të Moskës, ato të Ankarasë. Në finale, dhe ata janë rreshtuar duke u ndarë mes kampit Perëndimor dhe atij Lindor, të Maqedonisë.