Ballina Aktuale “ALSAR” promovon botimin anastatik të revistës “Diturija”

“ALSAR” promovon botimin anastatik të revistës “Diturija”

SHPËRNDAJE

Fondacioni “ALSAR” vendosi një tjetër gur kilometrik në udhën e tij të nisur më shumë se një dekadë më parë. Falë angazhimit të këtij institucioni, Mid’hat Frashëri, i njohur si Lumo Skëndo, dhe revista e tij, “Diturija”, u vunë këtë të mërkurë në qendër të vëmendjes, në një konferencë kushtuar posaçërisht atyre.

Konferenca shkencore e mbajtur në “Hotel Tirana” ishte një organizim i përbashkët i Fondacionit “ALSAR”, i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.
Aktiviteti i shërbeu promovimit të botimit anastatik të revistës “Diturija”, me një numër të madh të interesuarish që mbushën sallën “Balsha”, aq sa shumë prej tyre do të detyroheshin të qëndronin në këmbë.

Intelektualë e akademikë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre organizimin në fjalë, ashtu si  dhe përfaqësues të pushtetit lokal e qendror, apo dhe përfaqësues të trupit diplomatik.

Botimi anastatik i revistës “Diturija” ka mbërritur në dorën e lexuesit si iniciativë dhe konkretizim nga Fondacioni “ALSAR” dhe Biblioteka Kombëtare, për çka me të drejtë i takoi z. Mehdi Gurra, drejtues i fondacionit, ta mbajë fjalën e hapjes të konferencës shkencore.

Duke u uruar mirëseardhjen të ftuarve, z. Gurra iu përmbajt në fjalën e tij tërësisht temës së konferencës, “Lumo Skëndo dhe themelimi i revistës ‘Diturija’”, me një theksim të pranëvënies së tyre në histori.
“Lumo Skëndo dhe ‘Diturija’ u bënë të pandarë, teksa u plotësuan ndërsjelltas; Lumo Skëndo shpalosi brendinë e tij, vizionin e tij, te revista, ndërkohë ‘Diturija’ i bëri nder të zotit, i dha peshë, zë dhe shkëlqim”, u shpreh ai, mes të tjerash.

Z. Gurra nënvizoi për të pranishmit se “Diturija” dhe botuesi i saj i rezistuan kohës, me meritat e veçanta që mbartin për kulturën shqiptare, për ta riparë dritën e botimit në 110- vjetorin e Kongresit të Manastirit.

Fjalën e tij do ta pasonte ajo e drejtoreshës së Bibliotekës Kombëtare, zonjës Persida Asllani, sipas së cilës, revista “Diturija” është shprehja më e plotë e profilit intelektual të Lumos Skëndos.

Do të fliste shkurt në konferencën shkencore dhe drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, z. Fazli Gajraku. I ftuari nga Kosova, veç përshëndetjeve, e shfrytëzoi fjalën e tij për të bërë të ditur organizimin e një konferencë shkencore në linja të ngjashme në fillim të nëntorit në Prishtinë.

Kumtesat nga prof. dr. Xhevat Lloshi, prof. dr. Luan Malltezi, prof. dr. Persida Asllani, prof.asc. dr. Mark Marku dhe z. Uran Butka do ta trajtonin nga këndvështrime të ndryshme revistën “Diturija”, e gjithashtu, sigurisht, botuesin e saj, Lumo Skëndo.
Në fund, z. Mehdi Gurra, pa e fshehur entuziazmin për suksesin e konferencës, premtoi se në muajt në vazhdim do të ketë botime të tjera me vlerë të Fondacionit “ALSAR”. Veprimtaria u pasqyrua gjerësisht në mjetet e informimit.

Vlen të thuhet se prej shumë ditësh ka patur interes për botimin anastatik të revistës “Diturija”, me një sërë artikujsh për të dhe për figurën e Mid’hat Frashërit në shtypin e shkruar./jetapress/