Ballina Aktuale VEPËR MBI REALITETIN JETËSOR, SHOQËROR, POLITIK E HISTORIK

VEPËR MBI REALITETIN JETËSOR, SHOQËROR, POLITIK E HISTORIK

SHPËRNDAJE

Prof. dr. Faik Shkodra

 

(Nexhmedin Saqipi: “Një libër me opinione për Luginën”, Rozafa, Prishtinë, 2018)

 

Dashuria për jetën dhe popullin, për lirinë dhe të vërtetën, për idealet e përflakura, për atdheun e traditat, kulturën dhe identitetin shpirtëror e kombëtar, e kanë frymëzuar Nexhmedin Saqipin të shkruajë veprën publicistike me titull të qartë e domethënës “Një libër me opinione për Luginën e Preshevës”.

Librin autori e ka strukturuar në katër kapituj: Në retrospektivë, Farsa politike dhe manovrat patriotike, Problemi i quajtur kufi, si dhe Intervista dhe biseda. Në të gjitha kapitujt Nexhmedini, si intelektual dhe njeri i penës, si dhe gazetar me dije dhe përvojë disavjeçare, trajton tema dhe ngjarje të mprehta, që lidhen kryesisht me çështjen e pazgjidhur të trevës së Luginës së Preshevës, përmes të cilave ka shprehur një botë të pasur mendore dhe ideore mbi problemet dhe shqetësimet me të cilat ballafaqohen  njerëzit në këtë trevë shqiptare në këto kohë të vlimeve, të dukurive dhe ngjarjeve të hidhura në shumë fusha të jetës e të realitetit shoqëror, që po përshkohet me stuhi e rrëmuja, të cilat trazojnë shpirtin e njerëzve të lodhur e të nëpërkëmbur nga padrejtësitë, që po u shkakton Serbia dhe udhëheqja shoviniste e saj.

Në përmbajtjen e kapitujve Nexhmedini sikur ia bënë të qartë dhe e vë në dijeni çdo shqiptar, pa marrë parasysh ku jeton dhe vepron, të vërtetën se jeta e popullit shqiptar në kufijtë e tij etnikë, gjithmonë, duhet të jetë jeta jonë, plaga jonë, kënga jonë, ëndrra jonë, dhembja jonë,brenga dhe shqetësimi ynë, e së fundi edhe loti ynë. Dhe sot, shprehet autori, më shumë se kurrë do të duhej që çështjen tonë kombëtare, pra edhe çështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ta zgjidhim në mënyrën më të mirë e më të drejtë.

Pasojat, që këtij populli ia shkaktoi Kongresi i Berlinit dhe propaganda ballkanike, Konferenca e Londrës dhe Konferenca e Versajës, si dhe elaboratet e hartuara nga pseudoshkencëtarët dhe Akademia serbe për spastrimin e trojeve shqiptare, po reflektohen edhe sot e kësaj dite.

Libri jep mesazhin e qartë se është koha të mendojmë dhe të veprojmë të organizuar si kolektivitet. Plagët tona duhet t’i shërojmë vetë, me instrumente e metoda më efikase dhe duhet të zgjohemi nga gjumi për të ndërmarrë veprime sat ë guximshme aq edhe të matura e të pjekura, duke treguar vizion larghedhës për të ardhmen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Për të mos ndodhur ajo që do të na kushtonte shtrenjtë, edhe si histori edhe si filozofi e jetës dhe zgjidhjes së drejtë të fatit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe të çështjes së përgjithshme shqiptare – që të gjithë duhet të trupëzohemi në proceset kombëtare dhe të gjitha përpjekjet tona duhet të shkojnë drejt zgjidhjeve sa më të plota dhe sa më të drejta.

Me ide e mendime paravajtëse, Nexhmedin Saqipi, përmes kësaj vepre publicistike, ka trajtuar dhe ka shtruar problem, tema, çështje, ngjarje, pikëpamje e mendime, të cilat, kur shikohen nga qëllimi dhe vlerat, del se e tërë vepra mbrun një autenticitet të fatit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, në veçanti, e të njerëzimit, në përgjithësi.

Autori ka arritur të depërtojë në thellësi të vuajtjeve, të brengave e të shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe këto konstatime e vlerësime mbi gjendjen e djeshme, të sotme e të nesërme të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, do të mbeten të kohshme te të gjithë ata që mbijetuan krizat e jetës e dhunën e ushtruar nga shteti serb dhe vazhdojnë, mjerisht, të mbeten ende me këtë represion e mungesë lirie.

Mund të thuhet pa hezitim se vepra e lartpërmendur e Nexhmedinit e kohon kohën në kohësi.

Në fund, e urojmë nga zemra Nexhmedin Saqipin për këtë vepër të rëndësishme për nga përmbajtja dhe mënyra e trajtimit të çështjeve të mprehta kombëtare dhe të vërtetave historike jetësore e shoqërore të një kohë plot batica e zbatica.

Kemi përshtypjen dhe bindjen se Nexhmedini në këtë libër ka vërtetuar se, para së gjithash, është intelektual i guximshëm e i vyeshëm, është njeri me karakter të lartë dhe të pathyeshëm, si dhe është njeri me ideale të larta njerëzore e kombëtare.

 

Prishtinë, 6 tetor 2018