Ballina Aktuale Lugina e Preshevës, meriton një përkujdesje më të madhe institucionale

Lugina e Preshevës, meriton një përkujdesje më të madhe institucionale

SHPËRNDAJE

Të mërkurën e 24 tetorit, në Institutin Albanologjik, në Prishtinë, Akademik Rexhep Qosja, priti përfaqësuesit e jetës kulturore dhe informative të Luginës së Preshevës.

Nexhmedin Saqipi dhe Sevdail Hyseni, nga radhët e shoqërisë civile dhe shoqata e gazetarëve të Luginës së Preshevës, e njoftuan për së afërmi Akademik Qosjen dhe dr. Faik Shkodrën, lidhur me problemet me të cilat po ballafaqohen këto dy sfera nga më të ndjeshmet e shoqërisë shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në këtë takim shumë miqësor Akademik Qosja, pranoi një ftesë nga Bashkësia Kulturore Shqiptare “Perspektiva” dhe Shoqata e Gazetarëve “Etika”, për të marrë pjesë në promovimin e librit publicistik me opinione për Luginën e Preshevës, të autorit Nexhmedin Saqipi, që do të mbahet, më 24 dhjetor, në të cilin do të zhvillohen diskutime publike me temën “Përpjekjet për respektim të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe për ndërtim të paqes së qëndrueshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Në fund të këtij takimi, bashkëbiseduesit: Akademik Rexhep Qosja, dr. Faik Shkodra, Nexhmedin Saqipi dhe Sevdail Hyseni, bënë një fotografi të përbashkët, të shoqëruar nga një pikturë e punuar më herët në pëlhurë nga mr. Xhevdet Dulaj, profesor në Shkollën e Mesme “Sezai Surroi”, në Bujanoc, në shenjë respekti dhe nderimi për Akademik Rexhep Qosja, për kontributin e tij të dhënë për afirmimin e çështjes shqiptare në Luginë të Preshevës dhe më gjerë./njofton Jetapress/