Ballina Intervista Xhaferi: Ndarjet janë të dhimbshme, por kufijtë duhet të përcaktohen

Xhaferi: Ndarjet janë të dhimbshme, por kufijtë duhet të përcaktohen

SHPËRNDAJE

Kosova dhe Serbia duhet të kenë kufij të përcaktuar, thotë Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë. Ai nuk komenton termat: korrigjim, ndryshim apo ndarje, por thotë se vendet duhet të përcaktojnë kufijtë, në mënyrë që secili shtet të formësohet dhe të vazhdojë me proceset integruese.

Në intervistën për Radio Kosovën, Talat Xhaferi thotë se secili vend duhet të përcaktojë kufijtë, pavarësisht që një vendim i tillë mund të jetë i dhimbshëm.

Në intervistë Xhaferi flet për zhvillimet e fundit në Maqedoni, për ndryshimet kushtetuese me theks të veçantë për ndikimet e tyre tek shqiptarët, për procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, për ligjin e gjuhëve, për bashkëpunimet rajonale, etj.

Z. Xhaferi nisim intervistën nga zhvillimet e fundit në Maqedoni. Referendumi për çështjen e emrit dhe ndryshimet kushtetuese kanë qenë ndër zhvillimet e rëndësishme të këtij viti për Maqedoninë?

Talat Xhaferi: Më 30 shtator u mbajt referendumi nga premtimet e subjekteve politike, në veçanti në bllokun maqedonas se çdo zgjidhje e mundshme e kontestit Greqi-Maqedoni rreth emërimit të vendit do të pasojë mbajtjen e referendumit, që të mund të verifikohet ai vendim edhe në qëndrimin dhe përcaktimin e qytetarëve maqedonas. Partitë politike shqiptare fillimisht edhe si përcaktim programor edhe si përcaktim konkret politik nuk kanë ndarë mendimin se duhet të mbahej referendum. Mirëpo, për hir të ndjesisë së çështjes në kontekstin e asaj çka nënkupton ndjeshmërinë identitare të bashkëvendësve maqedonas, s’do mend që si subjektet politike dhe politikanë, ndërruam mendjen, u pranua përgjithësisht që të mbahet referendum dhe ai u mbajt më 30 shtator të këtij viti. Referendum kishte karakterin konsultativ, që nënkupton se në çfarë kahe shkojnë qytetarët individualisht.

Ishte e qartë se nuk do të plotësohej censusi. Nuk ka vendim për faktin se nuk është përmbushur censusi. Me rëndësi është që njerëzit që kanë dalë të votojnë, në shkallën mbi 90 % kanë qenë për mbështetje të marrëveshjes dhe për anëtarësim në NATO dhe në BE. Ky është qëndrim i qartë i shprehur i qytetarëve dhe sikur të kishte dalë edhe pjesa tjetër do të kishte të njëjtën kahe dhe të njëjtin rezultat referendum. Mbi 600 mijë qytetarë që kanë dalë i japin drejtimin institucioneve që duhet të vazhdojnë zbatimin e marrëveshjes me Greqinë. Për këtë arsye Parlamenti,  qeveria ndërmorën hapat e mëtutjeshëm të zbatimit të marrëveshjes. Qeveria del para parlamentit  me propozim vendim për fillim të ndryshimeve kushtetuese gjë që më 19 tetor u siguruan 2/3 e votave për miratimin e vendimit. Ai vendim është miratuar. Qeveria ka dorëzuar draft tekstin me katër amendamente, për të cilat tashmë është caktuar edhe séance të mbahet me 1 dhjetor.  Tashmë ka nisur debatit rreth tekstit të amendamenteve në Komisionin Kushtetues të cilin e udhëheq unë dhe shpresoj që kjo frymë e zbatimit të përfundojë ky proces diku kah fundi i janarit sipas dinamikave të afateve që parasheh rregullorja e parlamentit.

Çfarë ndryshime kushtetuese do të bëhen, a do të avancojnë statusin e shqiptarëve ndryshimet kushtetuese?

Talat Xhaferi: Këto ndryshime kushtetuese rezultojnë për zbatimin e marrëveshjes me Greqinë. Mirëpo marrëveshja e Ohrit si dokument bazë si ndërhyrje në Kushtetutë, në preambulën e Kushtetues është i theksuar si dokument shtet-formues që nënkupton se nga aty fillon edhe pranimi zyrtar i faktit se shqiptarët këtu janë shtet-formues dhe nuk mund të jenë të trajtuar si pakica konform konventave të caktuara. Kurse çështja e përdorimi i gjuhës, është ndryshuar edhe me Kushtetutë, sepse është dashur të përcaktohet një kriter i përgjithshëm ku bazohet e drejta, ku bashkësitë që kanë mbi 20 për qind duhet të kenë të drejtën e përdorimit të gjuhës. Ajo çka është interes i shqiptarëve këtu është e përfshirë dhe në praktikë duhet të zbatohet. Këtu është dallimi nga ajo çka është e përcaktuar dhe te zbatimi, të cilin duhet ta bëjmë vetë ne.

A mund të thuhet se shqiptarët kanë qenë peng të integrimeve për shkak identitetit të Maqedonisë në 27 vjet të pavarësisë?

Talat Xhaferi: Nëse flitet për dëmtim, atëherë kanë qenë të dëmtuar të gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Por, proceset janë varur nga vendimet e shumicës?

Talat Xhaferi: Shumica do të duhej të kuptonte faktin se një ditë do të ndodhë ky ndryshim që ka filluar. Forcat politike kanë qenë të tilla që nuk kanë mundur të imponojnë njëra tjetrën. Më 2016 u bë një barazim i numrit të mandateve i subjekteve politike maqedonase. Dhe në si subjekte politike shqiptare, duke parë interesin strategjik, kemi parë momentin e duhur për integrimin e vendit në BE, duke pasur parasysh faktin që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s, ne jemi jashtë asaj strukture dhe futja jonë në NATO nënkupton që shqiptarët edhe këtu të jenë në NATO dhe ky është interes edhe i shqiptarëve në veçanti.

Si i vlerësoni bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, të cilat priten të zgjasin megjithatë?

Talat Xhaferi: Nënshkrimi i marrëveshjes me Greqinë mundësoi që në samitin e NATO-s në korrik të këtij viti të marrim ftesën konkrete për anëtarësim në NATO, që rezulton me obligimin tonë të zbatojmë pjesë të marrëveshjes me Greqinë. Tashmë më 19 tetor në ditën kur u votua vendimi për qasje në ndryshimet kushtetuese është nënshkruar edhe protokolli për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në NATO. Pas zbatimit të marrëveshjes me Greqinë, ky protokoll do të ratifikohet nga të gjitha 29 vendet anëtare të NATO-s dhe me atë të përmbyllte procesin e ratifikimit dhe pastaj nënshkruhet akti si anëtare e plotfuqishme e NATO-s. ai proces afërsisht zgjatë diku 18 muaj, në rastin tonë mund të përmbyllet edhe më herët, sepse i kemi kryer shumë përgatitje paraprake. Ka mbetur vetëm problem politik i dilemës me Greqinë gjë që besojmë që do të tejkalohet.

z. Xhaferi, kalojmë tek ligji për përdorimin e gjuhës shqipe, i cili është votuar dy herë në Kuvend, por nuk është dekretuar nga presidenti maqedonas?

Talat Xhaferi: Formalisht ligji pengohet nga presidenti. Juridikisht mund të shpallet çdo moment në gazetën zyrtare edhe pa nënshkrimin ne tij veç me arsyetimin se ai refuzon të kryej obligimin e tij kushtetues për të nënshkruar dekretin për ligjin. Kjo është e rregulluar me kushtetutë. Parlamenti e ka votuar dy herë dhe është obligim i patjetërsueshëm i presidentit që ta dekretojë ligjin, gjë që ai refuzon ta bëjë. Të njëjtin fat e ka ligji për ratifikim të marrëveshjes me Greqinë. Për këtë arsye kryetari i shteti bën keqpërdorim të funksionit zyrtar dhe kundër tij janë ngritur dy padi penale.

Sa iu përket ligjeve mendoj se nuk është momenti që unë ta çoj deri në fund kompetencën time që t’i shpalli ligjet në gazetën zyrtare, në mënyrë që të mos iu jap shkas opozitës që po bëhet diçka që mund ta dëmtojë gjithë procesin. Jemi në konsultim edhe me subjekte politike shqiptare që derisa kemi pritur deri tani të presim edhe pak që të tejkalohet kjo situatë.

Të kalojmë në rajon. Është përmendur një mbledhje e përbashkët e qeverisë së Kosovës me atë të Maqedonisë?

Talat Xhaferi: Është i përgatitur ai takim. Për shkak të zhvillimeve tona në Maqedoni, nuk është mbajtur, por në momentin që do të përcaktohen të dy qeveritë, ai takim do të mbahet.

Si e vlerësoni ju një takim të tillë?

Talat Xhaferi: Është puna më e mirë që mund të bëhet, sepse bëhen komunikime të drejtpërdrejta dhe aty për aty definohen shumë çështje, mund të përafrohen marrëveshje të caktuara dhe vihet në zbatim tejkalimi i pengesave të mundshme që janë. Ju e dini që në rajon të Likovës është në punim e sipër objekti për kalimin kufitar në Stanqiq. Po bëhen përpjekje që një kalim i tillë të bëhet edhe në drejtim të Preshevës.  Pengesa është në pjesën serbe por ne bëjmë përpjekje. Ka një trup koordinues të faktorit ndërkombëtar në Beograd nga OSBE, që merret edhe me këtë çështje. E kam ngritur këtë çështje edhe me zyrtarët serbë në Beograd dhe arsyetimi i tyre është që nuk e miratojnë tash për tash për arsye sigurie. Unë e kam kundërshtuar atë qëndrim, sepse përkundrazi hapja e kalimit kufitar do të ulë ilegalitetin dhe potencialin e keqpërdorimit të vijës kufitare edhe në aspektin e sigurisë.

Z. Talat Xhaferi si i vlerësoni idetë për korrigjim kufijsh të Kosovës, si do të reflektonte një situatë e tillë në Maqedoni?

Talat Xhaferi: Nuk dua të manipulojë me nocionet, me terminologjinë, sepse një term që përdoret në publik, ndoshta nuk e ka qëllimin e tillë si kuptohet vetë termi. Mbi të gjitha duke u bazuar në përvojën tonë me Greqinë, vlerësoj se të dy vendet do të duhej të kenë një zgjidhje të përbashkët herë do kurdo për çështjen e përcaktimin e vijës kufitare, për faktin e se përcaktimi I vijës kufitare nënkupton edhe përmbylljen e shtet-formimit dhe të territorit që është Republika e Kosovës.   Çdo ndarje, edhe mes vëllezërve kur bëhet, është e dhimbshme, ka dhimbje një pjesë. Edhe kjo ndarje që është normale, do të ketë çmimin e vetë. Normal që do të ketë pasojat e veta, por do të duhej të rezultojë me vendim, ose me marrëveshje përfundimtare. Sepse edhe Kosova dhe Serbia synojnë anëtarësimin në BE dhe NATO dhe secili që merret me politikë i di këto kritere. Nuk mund ta lë vendin pa definim. Po them nuk preferoj termet se çfarë kush nënkupton. Dikush thotë korrigjim kufijsh, kur e pyet çfarë do të thotë, del që nuk e ka kuptimin sematik të fjalës korrigjim.

Po ju si e kuptoni, z. Xhaferi? 

Talat Xhaferi: Krejt varet prej asaj se si do të ndodhë. Nëse i referohemi vijës kufitare në shembullin Çeki – Sllovaki, mund të marrim shembull se në vend të konfliktit dhe kundërthënieve ata marrin veprimin që duhet të jetë shembull për të tjetër. Në vijat administrative kufitare kanë pasur përzierje të popujve. Kanë shkuar me formën e përcaktimit të vetë banorëve, janë deklaruar çekë dhe kanë mbetur në Sllovaki, apo janë deklaruar sllovakë dhe kanë mbetur në Çeku dhe kanë përcaktuar vijën ndarëse.

A do të mund të zbatohej një model i tillë në rastin e Kosovës me Serbinë?

Talat Xhaferi: Në rrethanat tona me Serbinë, është problem historik për shkak të dhunës dhe luftërave të vazhdueshme që kanë pasur. Por mbi praktikat franceze – gjermane do të duhet të tejkalohet edhe ky perceptim. Të dy palët duhet të tejkalojnë historinë e dhimbshme që kanë. Në raste të luftërave dikush bën më shumë dëme. Dihet që askush prej shqiptarëve nuk ka shkuar në Beograd, por është dashur për ta mbrojtur pragun. Por, po them që këto janë çështje historike, që ne duhet t’i kemi në mbamendjen tonë, por nuk duhet të jemi të ngujuar në atë histori.

z. Xhaferi, do të kthehem te pyetja e parë, a prisni zgjedhje të jashtëzakonshme në qoftë se nuk do të shkojë si duhet plani  i ndryshimeve kushtetuese?

Talat Xhaferi: Parlamenti pret gjithmonë zgjedhje të jashtëzakonshme në qoftë se ka 61 deputetë që japin një propozim për shpërbërje të parlamentit. Unë e kam obligim procedural të vej në votim dhe shkohet në zgjedhje. Nga dita e parë e zgjedhjes sime, unë i numëroj ditët mbrapsht, sepse në cilën ditë mandate mund të ndërpritet dhe nuk e kam ngarkesë atë punë. Por besoj që nuk ka nevojë për zgjedhje, sepse prioritet është implementimi i marrëveshjes me Greqinë, fillimi i bisedimeve me BE-në për përcaktimin e datës së hapjes së kapitujve, prioritet është rrumbullakimi i protokollit për anëtarësim në NATO dhe nuk besoj që, cila do të ishte arsye për zgjedhje, nuk do të ishte zgjidhje këtu. Përkundrazi do të komplikonte situatën, por sidoqoftë partitë politike kanë kompetencat përmes deputetëve që të japin propozime, e unë kam obligim që një propozim të tillë eventualisht ta vej në procedurë.

(Intervista me kryeparlamentarin e Maqedonisë z. Talat Xhaferi, u realizua në kuadër të takimit të z. Xhaferi me kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë  “Papa Klementi XI Albani” në Suedi, Hysen Ibrahimi. Me këtë rast, Xhaferi veçoi si shembull këtë shoqatë për punën që bën dhe ftoi të gjithë mërgimtarët që të mos përçahet, por të jetë e bashkuar në interes të çështjes kombëtare. Xhaferi ftoi SHSHASH “Papa Klementi XI Albani” që vitin e ardhshëm të promovojë në Shkup librin e 10-të “Thesar Kombëtar të mërgatës shqiptare”,  nën përkujdesjen tij.)

Autor: Hyrë Tejeci-Murati