Ballina Sport Del Piero:Ky Juventus është tjetër planet, sfida ime ishte me Ronaldon

Del Piero:Ky Juventus është tjetër planet, sfida ime ishte me Ronaldon

SHPËRNDAJE

Juventus-Inter është Derbi i Italisë, një ndër sfidat më emocionuese të sezonit dhe këtë radhë duket si një udhëkryq sezonal për zikaltrit, që duhet të tregojnë se mund të synojnë diçka më shumë se thjesht një vend në Champions League.

Është ndoshta mundësia e fundit për të ndalur Juven dhe për të rihapur një kampionat që duket i mbyllur, aq sa Max Allegri nuk bën shaka kur thotë se sfida kundër Young Boys mesjavën e ardhshme është më e rëndësishme se ajo kundër Interit.

Cristiano Ronaldo e Mauro Icardi përballë, ndërsa me nostalgji do ta ndjekë sfidën edhe një legjendë e Juves dhe Italisë, Alessandro Del Piero.

“Është rivaliteti më i madh që kam jetuar, edhe pse kishim rivalitet të madh edhe me Milanin. Me Interin ndeshjet ishin më të ngarkuara psikologjikisht, për shumë arsye”, tregon Del Piero në një intervistë në “Gazzetta dello Sport”.

“Ronaldo? Sfida mes nesh ishte stimuluese në maksimum, kishte garë të bukur mes nesh, shumë alegri. Çdo të diel ishte një duel në distancë mes nesh, kush shënonte më shumë, driblonte më shumë, jepte më shumë pasime për gol dhe kush i habiste më shumë njerëzit”.

Mes shumë sfidave kundër Interit, Del Piero zgjedh një: “Ishte shkurt 2006, luanim në San Siro, shënova me goditje dënimi në fund të ndeshjes dhe aty debutoi festimi im duke nxjerrë gjuhën”.

Po tani? “Interi po kthehet i madh, klubi është solid, trajneri e njeh Serinë A dhe skuadra është cilësore. Megjithatë, është e qartë që Juve është tepër superior, e humbet titullin vetëm nëse e dhuron. Bardhezinjtë kanë gjithçka, mentalitet, cilësi, ambicie e strukturë. Pas çdo fitoreje, te Juve ndërrohet faqe dhe ndërtohet suksesi i radhës”.

Del Piero flet edhe për yjet e sfidës: “Juve është ambienti ideal për Ronaldon, një lojtar klasi me mentalitetin e tij është perfekt në Torino. Dybala? Jam shumë i lumtur për rritjen e tij, ka ngjashmëri me rrugëtimin tim. Dybala duhet lënë i lirë, të bëjë… Dybala-n. Icardi? Është lojtar zone, si Inzaghi, Trezeguet, Vieri. Dhe shënon gjithmonë”.