Ballina Lajme Nga Vendi KKSH: Shqiptarët e Luginës janë bashkësi më e diskriminuar në Evropë

KKSH: Shqiptarët e Luginës janë bashkësi më e diskriminuar në Evropë

SHPËRNDAJE

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, më 10 Dhjetori, Këshilli Kombëtar Shqiptar, bëri publike një Kumtesë me të cilën theksoi se vështirë mund të gjendet bashkësi më e diskriminuar se sa shqiptarët e Luginës së Preshevës në Evropë.

Andaj, duke shqyrtuar këtë pozitën në të cilën gjenden shqiptarët edhe njëherë publikisht kërkon parandalimin e përkeqësimit të situatës të sigurisë në Luginën e Preshevës dhe ndërprerjen e aksioneve të xhandarmërisë dhe të policisë speciale si dhe çmilitarizimin e rajonit në suaza të paqes, krijimit të një ambienti të qetë dhe stabil për të gjithë qytetarët e këtij rajoni.

Respektimin e plotë të Ligjit për Amnistinë (Fl.zyrtare e RFJ-se 37/2002 të 03.07.2001) e ish pjesëtarëve të UÇPMB-së dhe ndërprerja e të gjitha proceseve të montuara gjyqësore ndaj shqiptarëve.

Ndriçimi i vrasjeve të civilëve shqiptarë në Luginën e Preshevës gjatë periudhës 1999 – 2001.

Çështja e sigurisë publike të jetë në kompetencë ekskluzive të policisë multietnike dhe strukturave të sajë komanduese, hierarkia komanduese  të riorganizohet në përputhje me strukturën etnike të popullsisë në Luginën e Preshevës.

Kthimin e qëndrueshëm të popullatës së dëbuar nga Lugina e Preshevës përmes kompensimit të dëmeve në pasuritë e tyre dhe ndërprerja e menjëhershme e praktikës së pasivizimit të vendbanimeve si qasje e diskriminimit perfid.

Të bëhet decentralizimi i pushtetit dhe transferimi i kompetencave prej nivelit qendror në nivelin e vetadministrimit lokal dhe rajonal, institucioneve tjera shtetërore e posaçërisht në sistemin gjyqësor ku duhet krijuar Gjykatat themelore, Gjykatën e Qarkut, Gjykatën Ekonomike, Këshillin për kundërvajtje dhe Prokuroritë përkatëse me kompetencë territoriale për këtë rajon.

Diskriminimi i vazhdueshëm i Qeverisë së Serbisë për planprogramet dhe për tekstet mësimore në shkollat në gjuhën shqipe, sidomos në fushën e mësimit të historisë dhe të kulturës kombëtare shqiptare, po dëshmojnë mungesën e vullnetit të Serbisë për ta mundësuar të drejtën e pakicave kombëtare të ruajnë dhe kultivojnë veçoritë e tyre. Kjo e drejtë themelore e njeriut është e paraparë edhe me Kushtetutën dhe Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut të pakicave kombëtare të Republikës së Serbisë, si dhe e garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare.

Mosnjohja e diplomave të Republikës së Kosovës në Serbi për motive politike është shkelje e të drejtës së njeriut për t’u punësuar me kushte të barabarta,

Masat e ndërmarra për mbylljen e godinës së Shtëpisë së Kulturës në Preshevë ku ushtrojnë veprimtarinë edhe Biblioteka e Qytetit, Teatri profesional, Radio Televizioni Presheva, Zyra për të Rinj dhe zyra e Partisë Demokratike Shqiptare janë të papranueshme për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Aplikimi zyrtar i gjuhës shqipe në institucionet e vetadministrimit lokal, institucionet shtetërore dhe ato publike të të gjitha niveleve.

Përdorimi zyrtar i simboleve kombëtare të shqiptarëve si dhe e drejta e shënimit publik të datave të rëndësishme nga historia kombëtare.

Mos realizimi i obligimeve të marra nga ana e shtetit me Programin qeveritar të vitit 2001 (Plani i Çoviqit) dhe Marrëveshjen e Konçulit të vitit 2001; Marrëveshjen për riorganizimin e Trupit koordinues të marsit 2009; Plani shtatë pikësh të vitit 2013; bëjnë të besojmë me të drejtë në mungesën e vullnetit politik nga Beogradi zyrtar për të trajtuar shqiptarët e Luginës së Preshevës si qytetar të barabartë.

Prandaj, veprimtaria e Këshillit Kombëtar Shqiptar do të shtrihet në harmoni me dokumentet e miratuara nga Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptar të Luginës së Preshevës e posaçërisht duke u mbështetur në “Deklaratën Politike” të 14 korrikut të vitit 2018, njofton Jetapress.