Ballina Aktuale Pacolli në Senatin Amerikan: Prezenca amerikane në rajon është jetike për paqen...

Pacolli në Senatin Amerikan: Prezenca amerikane në rajon është jetike për paqen dhe demokracinë, Ballkani i takon NATO-s

SHPËRNDAJE

Prezenca amerikane në rajon është jetike për garantimin e paqes dhe demokracisë dhe rajoni i Ballkanit i takon NATO-s.

Kështu ka thënë Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, gjatë adresimit të tij në Senatin Amerikan, në kuadër të Forumit mbi sfidat në Evropën Jug-lindore, të organizuar nga Senatori, Paul Inhofe.

“Mëngjesin në Uashington D.C. e fillova me pjesëmarrjen në Forumin mbi sfidat në Evropën Juglindore, i organizuar nga Senatori, Paul Inhofe, në Senatin Amerikan. Në adresimin tim para kongresmenëve dhe pjesëmarrësve të tjerë, potencova rëndësinë jetike të prezencës amerikane në rajon, si garantuese e paqes dhe demokracisë. Në anën tjetër, denoncova lojën e pistë, që Serbia në vazhdimësi zhvillon, duke vazhduar me minimin e paqes nëpërmjet prezencës ruse. Rajoni i Ballkanit i takon NATO-s dhe kjo gjë nuk ka alternativë”, është shprehur Pacolli.

Numri dy i Qeverisë, Pacolli, po qëndron në ShBA me ftesë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, për të marrë pjesë në takimin e ministerialit të shteteve anëtare të Koalicionit Global kundër DAESH, i cili do të mbahet më datën 6 dhe 7 shkurt, 2019 në Uashington D.C., dhe pas kësaj do të merr pjesë edhe në ceremoninë vjetore të Lutjeve të Mëngjesit, e cila do të mbahet më datën 8 shkurt, 2019./Telegrafi/