Ballina Aktuale Një vizitë miqësore te Banja “Nëna Naile” në Kllokot të Vitisë

Një vizitë miqësore te Banja “Nëna Naile” në Kllokot të Vitisë

SHPËRNDAJE

Koordinatori i Shoqërisë Civile nga Lugina e Preshevës, Nexhmedin Saqipi, së bashku me prof. Bejzad Avdiu, kryetar i Akademisë “Stoa” dhe Sevdail Hyseni, drejtues i Shoqatës për Kulturë “Perspektiva”, të enjten e 28 shkurtit, vizituan  kullat binjake të Banjës “Nëna Naile”, në Kllokot të Vitisë.

Qëllimi i kësaj vizite miqësore, ishte njohja për së afërmi e krijuesit, humanistit dhe afaristit të suksesshëm Sabri Maxhuni, me zhvillimet kulturore dhe informative në Luginë të Preshevës.

Drejtori Sabri Maxhuni, pati kënaqësinë të dëgjoj për përpjekjet shqiptare në krahun lindor të Kosovës, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për të mbrojtur, zhvilluar dhe afirmuar vlerat kulturore autoktone, traditën dhe zakonet shqiptare. Duke folur për zhvillimet e fundit në hapësirat shqiptare të Ballkanit, tha me krenari se ky vit është i shqiptarëve.

Proamerikani më i zëshëm, autori i shumë veprave të shkruara, njeriu i rezistencës kombëtare Sabri Maxhuni, duke falënderuar mikun më të sinqertë të shqiptarëve, shtetin më të fuqishëm në botë, përsëriti shprehjen tashmë shumë të përfolur: ”Zoti në qiell e Amerika në tokë”.

Në bibliotekën e Banjës “Nëna Naile”, të pasur me libra të shumta të dhuruara nga autorë të ndryshëm, por edhe botimet serike të autorit Sabri Maxhuni, përfaqësuesit e shoqërisë civile morën disa foto të përbashkëta, duke e falënderuar nikoqirin për mikpritjen e tij bujare dhe fisnike.

Prof.  Bejzad Avdiu, shfrytëzoi rastin, nga ky takim t’i dhuroj mikut të tij krijues Sabri Maxhuni, një kalendar të përgatitur nga Akademia “Stoa”, me personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare, me të cilët talentet e reja të kësaj Akademie, kanë zhvilluat emisione speciale “Shkrimtari në mesin e nxënësve”.

Në fund të këtij takimi, Drejtori Sabri Maxhuni, dhuroi disa tituj të librave të tij, të botuar kohëve të fundit, si donacion për shkollat dhe bibliotekat e Luginës së Preshevës,  njofton Jetapress.