Ballina Aktuale Myftiu Saqipi, vizitoi Kompaninë “MEDINVEST” – perspektivën e zhvillimit të Medvgjës

Myftiu Saqipi, vizitoi Kompaninë “MEDINVEST” – perspektivën e zhvillimit të Medvgjës

SHPËRNDAJE

Të enjten e 21 marsit koordinatori i shoqërisë civile Nexhmedin Saqipi, i cili njëherit është kryetar i Bashkësisë Islame për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë (BIPBM) dhe z/vendës reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi me bashkëpunëtorët e tij: Ardita Behluli, drejtoreshë e Shoqatës së Gazetarëve “Etika” dhe Sevdail Hyseni, kryetar i Bashkësisë Kulturore “Perspektiva”,  vizituan  Sipërmarrjen “MEDINVEST” në Medvegjë, repartin e prodhimit të çorapeve, afaristin e suksesshëm dhe me eksperiencë italiane Muharrem Salihu.

Qëllimi i kësaj vizite miqësore ishte njohja për së afërmi me zhvillimet kulturore , fetare dhe veprimtaritë e tjera me interes në sferën e zhvillimit ekonomik, zvogëlimit të papunësisë dhe hapja e perspektivave për riinë e cila në mungesë të vendeve të punës është e shtrënguar ta braktisë vendlindjen.

Myftiu Saqipi, i cili njëherit është edhe koordinator i shoqërisë civile për Luginën e Preshevës, u inkurajua për sukseset e arritura të drejtuesit të Kompanisë Medinvest dhe planet e tij për investime të reja jo vetëm në Komunën e Medvegjës, por edhe në Bujanoc dhe Medvegjë.

Muharrem Salihu i njohur si Marko Muharremi, është një ekspert i fushës së turizmit dhe ekonomisë, i cili përveç biznesit të tij në Veneci të Italisë, në Shqipëri dhe së fundi edhe në Komunën e Medvegjës, është drejtues i Forumit për zhvillimin ekonomik të shqiptarëve në Serbi dhe një njohës i mirë e rrethanave ekonomike në vend dhe rajon.

Marko Muharremi, në vendlindjen e tij në Tupallë, ku mbaroi shkollimin fillor, ka ngritur një Pallat të Kulturës me një arkitekturë moderne, në të cilën parashihet ngritja e një amfiteatri dhe të një faltore për besimtarët  e besimit Islam.

Muharrem Salihu, së shpejti pritet ta vizitojë Bujanocin dhe Preshevën për të shpalosur idetë e tij për një bashkëpunim të mirëfilltë me shoqërinë civile dhe ngritjen e urave të bashkëpunimit me organizatat e ndryshme me karakter ndërkombëtar, të përmendur për investime kapitale në rajonin e Luginës së Preshevës, si një rajon me ambient të volitshëm për investime, njofton Jetapress.