Ballina Aktuale Këshilltari i Presidentit: S’ka marrëveshje pa SHBA’në, Kosova e Serbia peng të...

Këshilltari i Presidentit: S’ka marrëveshje pa SHBA’në, Kosova e Serbia peng të njëra-tjetrës

SHPËRNDAJE

Blerim Shala, Këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se pavarësisht përfshirjes së madhe të Gjermanisë e Francës në gjetjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë s’do të ketë rezultate pa SHBA’në.

“Zatën, dihet që pa SHBA-në, nuk mund të ketë Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Shala, në një tekst autorial, i botuar në lajmi.net

Sipas tij, marrëveshje mes dy vendeve është e pashmangshme pasi po mbahen peng dy shtetet.

“Kosova dhe Serbia, për shkaqe të njohura, e kanë njeri-tjetrin peng. Nuk ka si të ndryshojë ky raport gjithsesi i padëshiruar, si në Prishtinë ashtu edhe në Beograd. Pra, Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve është e pashmangshme”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, Shala ka shkruar se me atmosferën aktuale politike në Kosovë e Serbi vështirë se mund të ketë një pajim në një periudhë afatmesme.

“Në Serbi është në fuqi mohimi i krimeve të bëra para njëzet viteve. Në Kosovë po kërkohet javëve të fundit që këto krime të adresohen edhe me krijimin e një Tribunali të veçantë.Aktualisht pra, është një humnerë e madhe midis Kosovës dhe Serbisë, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve figurativisht nënkupton ndërtimin e një ure në mes të këtyre dy shteteve”, ka shtuar ai.

Këshilltari i Thaçit ka komentuar edhe Samitin e Berlinit duke thënë se edhe Samiti i radhës në Paris konfirmojnë se Gjermania e Franca kanë vendosur të jenë faktorë në zgjidhjen e kontestit Kosovë-Serbi.

“Në anën tjetër, pas Samitit të Berlinit të 29 prillit, dy kryepolitikanët e Evropës së sotme, Kancelarja gjermane Merkel dhe Presidenti francez Macron, janë shfaqur të vullnetshëm që të kontribojnë, së bashku me BE-në, që të tejkalohet situata e njohur e paralizës së plotë të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbië. Zatën, ftesa për Paris, me 1 korrik, është një vërtetim që tash e tutje, Berlini dhe Parisi do të jenë faktorë në ndërmarrjen ndërkombëtare të zgjidhjes së këtij kontesti të madh në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Shala.