Ballina Aktuale Saqipi: Ndjehemi krenarë se nga Tërnoci po dalin tituj botërorë në fushën...

Saqipi: Ndjehemi krenarë se nga Tërnoci po dalin tituj botërorë në fushën e boksit

SHPËRNDAJE

Lidhur me meçin e boksit në Angli, që do të  zhvillohet sonte në kategorinë super të mesme në WBO, ndërmjet tërnocasit Shefat Isufu dhe britanikut Billy Joe Saunders, Nexhmedin Saqipi, kryetar i Klubit të Boksit “Tërnoci”, i cili njëherit mban edhe poste të tjera nga fusha të ndryshme të kulturës, inforimit dhe religjionit, me kënaqësi tha se ndjehet krenar, që  Tërnoci, po kurorëzohen me tituj botërorë, vlera këto që janë arritur në saje të angazhimeve dhe sakrificave mbinjerëzore.

I pyetur nga Jetapress, se kush është meritor në këto suksese e përparime, që vështirë mund të arritën nga qendra më të mëdha se Tërnoci, me plot lavdata u shpreh Saqipi, duke u thirrur në punën e palodhshme të trajnerit të Klubit të Boksit, profesorit Ridvan Imeri, i cili përmendet për angazhimin dhe peripetitë, që i kemi përjetuar gjatë këtij rrugëtimi.

 Për mua, vazhdon Saqipi, trajneri profesor Ridvani, është ikonë dhe legjendë e gjallë në fushën e trajnimit profesional, ai, me dashurinë dhe përkushtimin më të madh tejkaloi të gjitha pengesat dhe barrierat që i dilnin përpara, kuptohet me shpirtin e tij luftarak të pamposhtur arriti të zhvilloj një veprimtari mbi 20 vjeçare për të ardhmen e boksit shqiptar në Luginë të Preshevës dhe më gjerë.

Prandaj, shton kryetari i Klubit të Boksit, Nexhmedin Saqipi, ndjehem krenar që boksierët tanë po triumfojnë në fushën e sportit, kjo është krenaria e Tërnocit dhe shqiptarëve gjithandej.

Kryetari Saqipi, uron boksierin Shefat Isufi, për një fitore të madhe, nga më të mëdhatë që ka arritur ndonjëherë, megjithatë, në këtë pozicion fitorja nuk është me rëndësi, po është me rëndësi me dhënë maksimalen nga vetja.

Ndërkaq, trajneri i Klubit të Boksit “Tërnoci”, profesor Ridvan Imeri, nuk është gjithaq optimist në rezultatet e këtij meçi, ai, në prononcimin e tij për Jetapress tha mes tjerash: të dy boksierët janë mjaft të stërvitur që e sfidojnë njëri-tjetrin për titullin botëror, duke i pasur parasysh rrethanat e boksierëve. Si do që të jetë, unë si trajner i parë 10 vjeçar i dëshiroj suksese Shefat Isufit, gjithnjë sepse atë e kam kultivuar në këtë drejtim dhe se na përfaqëson neve kudo që është nevoja, thekson trajneri prof. Ridvan Imeri, për Jetapress.