Ballina Aktuale Bujanoc: Shaip Kamberi në fokus të politikës dhe shtypit serb!

Bujanoc: Shaip Kamberi në fokus të politikës dhe shtypit serb!

SHPËRNDAJE

Njeriu i parë i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, ish deputet popullor në Parlamentin e Serbisë dhe veprimtar i denjë për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, këtyre ditëve, është politikani më i apostrofuar nga zyrtarët e Beogradit dhe shtypi serb.

Vizita e tij e fundit, në krye të një delegacioni nga Lugina e Preshevës,  në Washington DC dhe konferenca me gazetarë, nxorën në sipërfaqe përsëri reagime të shumta të zyrtarëve të lartë nga Beogradi dhe shtypi proqeveritar serb.

Deklaratat e kryetarit Kamberi, para gazetarëve, se gjatë vizitës zyrtare në SHBA, janë siguruar me ndihmën amerikane, që Lugina e Preshevës do të jetë në agjendën e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka ngritur zërat e politikanëve serbë, në mesin e tyre edhe të vetë presidentit Vuçiq dhe kryetarit të Trupit Koordinues Stankoviq.

Mediet nga Beogradi kanë ngritur pluhur, duke vënë në spikamë prononcimet e presidentit Vuçiq, i cili konstatimet për bashkëngjitjen e Luginës së Preshevës me territorin e Kosovës, si nja nga zgjidhjet më të mira, i quan dëshira të individëve, me një realitet krejt ndryshe, ndërsa deklaratat e Shaip Kamberit, i vlerëson dëshira të thata!

Ndërsa, kryetari i Trupit Koordinues, Zoran Stankoviq, është deklaruar lidhur me temën e bashkëngjitjes së komunave: Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë territorit, me siç thotë, të “Kosovës dhe Metohisë” dhe ka shprehur mendimin, i cili bazohet në bazë të një qëndrimi të unifikuar të organeve shtetërore dhe sugjerimet e dhëna nga komuniteti ndërkombëtar, të cilët merren me këtë çështje, se këto tri komuna, kanë qenë, janë dhe do të mbeten pjesë e territorit të Republikës së Serbisë, njofton Jetapress.