Ballina Aktuale Sanxhaku në mes mitit dhe realitetit!

Sanxhaku në mes mitit dhe realitetit!

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Kërkesa e disa zyrtarëve të Këshillit Kombëtar Boshnjak të Serbisë dhe Malit të Zi, për krijimin e një statusi special për Sanxhakun, ka zgjuar reagimin e institucioneve qendrore në Serbi.

Më i zëshmi në këtë drejtim, ka qenë ministri i Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Branko Ruzhiq, i cili ka thënë se “bëhet fjalë për një rast të abuzimit të një institucioni dhe si rezultat do të dërgojë një inspektim nga juridiksioni i ministrisë”.

Po, Sulejman Uglanini, lideri i boshnjakëve të Sanxhakut me kaq nuk ndalet. Ai, me herët kërkoi edhe emërtimet e rrugëve të zëvendësohen me emra shqiptarësh, duke nxitur reagimet e shtypit serb dhe kërkesën që të “ndalet ky njeri”, me masat e ligjeve serbe.

Shantazhet

Por, Beogradi, ka krahas masave disciplinuese ka gjetur edhe masa shtesë, me njerëz, që mbajnë pozita në Sanxhak dhe Serbi. E njëri nga ta është Muamer Zukorliq, deputet në Parlamentin e Serbisë, i cili është kundërshtar politik i Sulejman Uglaninit, në stilin duke e pasur mashën pse me i djeg duart!

Zyrtarët e Beogradit e favorizojnë Zukorliqin me veprimet tij në Sanxhak e Luginë të Preshevës, me krijimin e mexhlisave dhe hapjen e medreseve, duke e shfrytëzuar pastaj me veprime kundër Sulejman Uglaninit.

E “Akademiku” Zukorliq, tani na del me një zbulim të ri shkencor!, Ai i cili dikur hiqej se është me prejardhje ilire, nuk e mohonte origjinën se është shqiptar, në një intervistë thotë me gojën plot se “Serbët janë njerëzit më të lashtë në Ballkan përkrah boshnjakëve. Dhe ata janë më të afërt me boshnjakët se sa me rusët. Serbët janë sllovenët e vjetër të evropianizuar”.

Këshillat e bashkësive etnike në Serbi, administrohen dhe financohen nga shteti serb, në frymën e kompetencave që gëzojnë, duke mos i tejkaluar ato katër shtyllat e veprimit, në kulturë, arsim, në dygjuhësi e simbole kombëtare. Për të vepruar jashtë këtyre kompetencave është dashur të formohet Këshilli Kombëtar i mirëfilltë, ashtu siç kërkohej dikur në Luginë të Preshevës.

Duke dëgjuar këto që thotë Zukorliqi, na bëjnë të mendohemi mirë, se si të sillemi dhe të bashkëpunojmë me njerëz të tillë, të cilët për interese politike, material dhe pushtetare, janë në gjendje të ndërrojnë origjinën, pse jo edhe fenë! Historia njeh raste të tilla, apo jo?!

Udhëkryqi politik

Në një analizë politike të publicistit Naser Bakiq për “Peterpress”, ngrehet alarmi i bazuar nga burimet sekrete, na të cilat dyshohet se ekziston një marrëveshje interne në mes Dodikut dhe Uglaninit për ndërrimin e territoreve, me të cilat Sanxhaku t’i takoj Bosnjës, kurse Republika Serbe – Serbisë.

Pas reagimeve të presidentit Aleksandër Vuçiqit, lidhur me projektin ideor të Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve: “Çka kërkoni ju në Sanxhak kur keni vetëm tre komuna me shumicë boshnjake, a çfarë të bëjmë ne në Republikën serbe, kur kemi 63 komuna me shumicë serbe, ju të parët e filluat…”

Shembull konkret kemi veprimet e deputetit boshnjak Muamer Zukorliq, i cili në Preshevë, ka hapur medrese me vulë të Sanxhakut, kurse në Luginë ka formuar meslixhet, duke u mbështetur nga Myftiu Naim Tërnava, kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovë. Bile, ai, ka shkuar më larg ka kërkuar votën shqiptare në Preshevë, për të mbrojtur të drejtat shqiptare në Serbi.

Zukorliq, ka kërkuar nga Parlamenti serb për të hapur një Faltore, në mënyrë që ai të lutet aty, për të mos i humbur seancat plenare, kërkesa e tij është marrë në konsideratë nga zyrtarët e Beogradit.

Favorizimet

Ky favorizim s’është çudi që të sjell përçarje mes krerëve institucionalë të Sanxhakut, në mënyrë që të boshnjakëzohet Lugina e Preshevës dhe Dragashi i Kosovës.

Çfarë paradoksi?! Kosova angazhohet të kthej identitetin shqiptar në Sanxhakun e serbizuar, çka është një e drejtë historike e politike, duke harxhuar energji dhe angazhime nga zeroja, për t’i hapur shkollat shqipe, për emërtimet e rrugëve në shqip, për ta mbrojtur identitetin e shqiptarëve të asimiluar në boshnjakë, kurse më me pak vullnet angazhohet për Luginën e Preshevës, që i ka të gjitha në shqip, e po zbrazen viset etnike nga shqiptarët në mungesë prosperiteti ekonomik e politik!

Si do që të jetë Sanxhaku dhe Lugina e Preshevës, janë dy kafshata të mëdha, që nuk mund të përtypen lehtë nga Serbia, sikur në këto dy krahina të vepronin politikanë të sinqertë, parimor dhe pragmatik, me vizione të qarta, e jo me dy mendje për favore pushtetare, pozita, privilegje dhe interese të tjera materiale!