Ballina Aktuale Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, vizitoi Preshevën

Ligjvënësi amerikan, Eliot Engel, vizitoi Preshevën

SHPËRNDAJE

Të enjten e 4 korrikut, në Preshevë, arriti për një vizitë zyrtare Ligjvënësi amerikan, kongresisti Eliot Engel, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, pati nderin dhe kënaqësinë të takohet me të parin e kësaj komune, Shqiprim Arifi.

Një ditë më parë, kongresisti amerikan Engel, në Ambasadën e SHBA-ve të akredituar në Beograd, me rastin e kremtimit të 243 vjetorit të pavarësisë së shtetit më të fortë në botë, i pat premtuar kryetarit Arifi se do ta vizitoj Preshevën, prej nga do të shkoj në Kosovë, për të përuruar objektin e ri të  ambasadës më të madhe amerikane në rajon.

Gjatë takimit miqësor mes kryetarit të Komunës së Preshevës Shqiprim Arifi dhe kongresistit amerikan Eliot Engel, u diskutua për gjendjen politike dhe të sigurisë së shqiptarëve në Luginë të Preshevës, si dhe për problemet e tyre me të cilat po ballafaqohen për ditë.

Mikut më të madh të shqiptarëve kongresistit Engel, kryetari i komunës Arifi, i shprehu hapur qëndrimin e tij rreth realizimit të vullnetit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të deklaruar me Referendum për bashkëngjitje me Kosovën, pjesë të pandashme me të cilën kanë qenë, gjithmonë, gjatë historisë. Po ashtu, kryetari Arifi e informoi mikun e tij kongresistin Engel rreth heqjes së dhunshme të lapidarit  të dëshmorëve të UÇPMB-së nga forcat serbe gjatë vitit 2013, si dhe mbështetjen e tij për formimin e Fondit të Solidaritetit, një projekt kapital për shqiptarët e këtij rajoni.

Për më shumë rreth vizitës madhështore të kongresistit amerikan Engle në Preshevë, portali Jetapress, nxjerr nga profili zyrtar në facebook në të cilin kryetari Arifi ka shkruar:

“Sot Presheva pati nderin dhe kënaqësinë të mirëpres mikun e madh te shqiptarëve, Kongresmenin Amerikan zotëri Eliot Engel.

Në emër të Komunës së Preshevës dhe në emër të gjithë qytetarëve tonë në shenjë mirënjohje ndaj kontributit në çështjen kombëtare shqiptare si dhe mbështetjes në avancimin e të drejtave të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, mikut tonë ia dhurova një mirënjohje dhe i urova shëndet, mbarësi dhe gjithë të mirat në jetën dhe veprimtarinë e tij.”, njofton Jetapress