Ballina Aktuale Përurohet monografia e autorit Italian Giulio Palanga “Hevzi Nuhiu”

Përurohet monografia e autorit Italian Giulio Palanga “Hevzi Nuhiu”

SHPËRNDAJE

Në një njoftim të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, bëhet e ditur se në fund të korrikut, pikërisht, më 31.07.2019, në orën 12, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, bëhet përurimi i monografisë së autorit Giulio Palanga “Hevzi Nuhiu”, e cila përmban disa vështrime të emrave të njohur të artit në Itali, si dhe një varg punimesh të skulpturës të artistit tonë të njohur, që jeton e vepron në Kalabri. 

Këtë eveniment të lartë kulturor e organizon Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës, që në këtë përurim pritet të flasin studiues të artit për veprën dhe për punimet e maestros preshevar Hevzi Nuhiu, një artist shquar botëror.

Para se të bëhet publik njoftimi i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, për përurimin e këtij libri monografik, paraprakisht janë takuar në Prishtinë, kryetari i shkrimtarëve të Kosovës, Prof.Dr. Shyqri Galica dhe drejtoresh e Shoqatës së Gazetarëve “Etika”, nga Lugina e Preshevës, Ardita Behluli, ku ishte edhe i pranishëm mjeshtri i skulpturës Hevzi Nuhiu, personazhi kryesor i monografisë së autorit Italian Giulio Palanga, për të biseduar për këtë aktivitet të përbashkët kulturor, njofton Jetapress.