Ballina Aktuale O komb shqiptar – zgjohu në Shpirtin tënd!

O komb shqiptar – zgjohu në Shpirtin tënd!

SHPËRNDAJE

Dr. Kurt Gostentschnigg

Ndërsa në përgjithësi nocioni “komb” kuptohet njësoj nga të gjithë, për nocionin “shpirt” (angl. “soul”) njerëzit nuk janë të një mendjeje. Që të mos keqkuptohemi tepër shumë në vijim, duam së pari të sqarojmë në një ekskurs të shkurtër filozofik kuptimin e nocionit “shpirt”, i cili  do të zbatohet këtu, para se të fillojmë me temën e mirëfilltë. Pasi kemi vetëm vend për një artikull dhe jo për një libër ose enciklopedi, lexuesi është i lutur të na falë, në qoftë se nuk hyjmë në hollësirat e panumërta dhe mund të dukemi pllakativ me një temë, e cila pretendon të trajtojë Perëndinë dhe botën. Po qe se lexuesi i interesuar dhe kërkues ndihet i stërmunduar, atëherë mund t’i këshillojmë vetëm që të thellohet intelektualo-spiritualisht në veprën e pasur përkatëse të Shri Aurobindos (angl. Sri Aurobindo) dhe të kthehet mistiko-spiritualisht në qenien e tij më të brendshme, ku Shpirti i tij dhe Hyjnorja presin, derisa zbulohen nga ai. Në qoftë se një asgjë është origjina dhe qëllimi, atëherë jeta është pa kuptim, një ëndërr, një iluzion. Ose bile edhe më pak se kaq.

Në qoftë se një diçka është origjina dhe qëllimi, atëherë jeta ka kuptim, është realitet. Por si dimë se ekzistojmë me të vërtetë? Nga që jemi koshientë për ekzistencën tonë. Koshiencë është të qenë. Dhe si mund ta shprehim këtë koshiencë dhe ta bëjmë efektive? Nëpërmjet forcës së koshiencës. Por pse ekzistojmë? Pse jemi koshientë për të qenët? Pse shprehemi dhe veprojmë? Për të qenë të lumtur apo të palumtur? Sigurisht për të qenë të lumtur. Me këtë kemi caktuar të katër atributet më të para të diçkasë në të vërtetë të pashprehshme dhe të pamendueshme, të cilën duam ta quajmë Hyjnoren ose Veten: Të Qenë, Koshiencë, Forcë e Koshiencës dhe Lumturi.

Eksperienca

Sipas eksperiencave spirituale dhe mistike, Hyjnores i atribuohen cilësi të mëtejshme si pafundësi dhe përjetësi. Ajo është Njëri/I Vetmi dhe Të Shumtët, të cilat prehen në të. Njësia e saj dhe Shumësia e saj, të pahapësirë dhe të pakohë, shfaqen në hapësirë dhe kohë nëpërmjet universalitetit, kolektivitetit dhe individualitetit. Pra, ajo është edhe Të Qenët transhendent, mbikozmik, e pahapësirë dhe e pakohë edhe Të Bërët imanent, kozmik, hapësinor dhe kohor. Ajo është personalitet dhe jopersonalitet, të dyja të përjetueshme në mënyrë transhendente dhe imanente si të dyja anët e së njëjtës medalje, si dy vija paralele, që takohen në pafundësi. Ajo është burimi i energjisë dhe energjia, edhe në Të Qenët edhe në Të Bërët.

Shumësia e Të Qenit vendos Shpirtrat si përfaqësuesit e saj në Të Bërët. Prandaj Shpirti në esencën e tij është i pavdekshëm, i përhershëm, pa fillim dhe pa fund, i pakrijuar. Në çdo individ, çdo njeri, çdo kafshë, çdo bimë, çdo kolektiv, çdo komb, tërë njerëzimin prehet një Shpirt. Mentalja, vitalja dhe trupi janë instrumentet e natyrshme të Shpirtit për shpalosjen e tij individuale dhe kolektive nga lindja në lindje, për rritjen e Qenies së tij Shpirtërore, e cila është e mbuluar nga qenia e saj të brendshme dhe të jashtme, deri në momentin kur ajo të dalë në plan të parë dhe të marrë përsipër udhëheqjen e natyrës së saj instrumentale. Në qoftë se shikojmë krijimin e sotëm dhe historinë e deritanishme të krijimit, atëherë si duket ka pasur një rënie të thellë involucionare të një pjese të Të Shumtëve deri në jokoshiencë, e cila ka krijuar të gjitha botët me qeniet dhe forcat e tyre, kështu që po gjendemi në mes të një procesi të mundimshëm evolucioni në botën materiale gjatë kthimit për në koshiencën absolute. Një nga çështjet më të diskutuara të filozofisë dhe teologjisë është, pse ka ndodhur kjo rënie nga përsosmëria dhe dija në papërsosmëri dhe padije. Për këtë mund të ketë vetëm një përgjigje: liria absolute e Të Shumtëve. Një pjesë nga ata donte të përjetonte harrimin e Perëndisë dhe të Vetes dhe, bashkë me të, të bërët koshient për Perëndinë dhe Veten. Spiritualiteti, i quajtur jogë në lindje, njeh shumë rrugë drejt ribashkimin me Hyjnoren. Të trija rrugët kryesore janë të menduarit, të ndierët dhe të vepruarit. Rruga e të menduarit është rruga e gjatë dhe e vështirë e njohjes dhe dijes drejt transhendencës jopersonale të Hyjnores, e cila fsheh në vetvete rrezikun e mohimit të jetës. Rruga e të ndierit është rruga e shkurtër dhe e lehtë e përkushtimit dhe dashurisë drejt transhendencës personale të Hyjnores, e cila e pohon jetën. Ajo hyn në rrugën e tretë të të vepruarit, në të cilën gjithë veprimi dhe të gjitha frytet e veprimit i kushtohen Hyjnores.

Hyjnorja

Në qoftë se Hyjnorja mbikozmike është e pafund, atëherë manifestimi kozmik i koshiencës së saj është i pafund, atëherë sipër mentales së inteligjencës dhe arsyes duhet të ketë shkallë ende më të larta të koshiencës, të cilat manifestohen gjatë evolucionit në materie dhe çojnë hap pas hapi në koshiencën e unitetit. Kështuqë mesa duket ne sot qëndrojmë para një realizimi individual dhe kolektiv të një mentaleje më të lartë, të ndriçuar dhe intuitive. Në qoftë se njeriu, nëpërmjet përkushtimit ndaj Hyjnores dhe mëshirës së Hyjnores, bëhet gjithnjë e më shumë koshient për Shpirtin e tij hyjnor dhe ngjitet shkallëve të koshiencës deri tek shkalla e intuitës, e cila e sheh direkt të vërtetën hyjnore, atëherë përse i duhen ende fetë kolektive si instancë ndërmjetësuese? A nuk është çdo marrëdhënie individuale midis Shpirtit dhe Hyjnores feja e vërtetë?

Tani mund të fillojmë me temën e mirëfilltë. Lidhur me instrumentet e natyrshme të Shpirtit ka një diferencë midis veriut dhe jugut të Evropës. Kalimi është i rrjedhshëm dhe nuk mund të dallohet një kufi strikt. Në veri dominojnë mentalja, intelekti, inteligjenca dhe arsyeja, ndërsa në jug emocioni, ndjenja, forca dhe impulsi. Të dy, veriu dhe jugu, mund të mësojnë dhe të përfitojnë nga njëri-tjetri. Por më në fund të dyja, edhe arsyeja edhe ndjenja, duhet të transhendohen në Qenien Shpirtërore, e cila vendoset jashtë nga Shpirti dhe zhvillohet nga lindja në lindje. Dalja përfundimtare e Qenies Shpirtërore nga sfondi do t’i japë fund shkllavërimit të deritanishëm të egos nga natyra instrumentale dhe do të marrë përsipër sundimin mbi energjinë e vet.

Shpirtërorja

Shqiptarët anojnë nga ndjenjat dhe jetojnë më shumë në zemër. Prandaj ata janë më afër Shpirtit të tyre, i cili ka selinë e tij të fshehtë prapa zemrës, sesa shumica e evropianëve që ka prirje nga mentalja, intelekti dhe arsyeja dhe jeton më shumë në kokë. Por çfarë duan t’i ofrojnë botës shqiptarët?

Korupsion, obsesion për pushtet, përçarje, prostitucion, kontrabandë njerëzish, drogash e armësh, shkatërrim ambienti, turbokapitalizëm dhe varësi nga konsumi? Apo vitalitetin e tyre të udhëhequr nga zemra dhe Shpirti për të mirën e kombit të tyre dhe të gjithë njerëzimit? Çdo komb mund të zgjedhë se cilin rol dëshiron të luajë në botë. Ashtu si kombi indian, në rastin e zgjimit të tij më në fund në Veten e tij të vërtetë, mund të marrë përsipër rolin si udhëheqës spiritual në botë, edhe kombi shqiptar, sapo ai nuk identifikohet më me vitalen dhe mentalen e tij instrumentale, por është zgjuar në Shpirtin e tij qenësor, mund të marrë përsipër rolin udhëheqës spiritual në Evropë./ Nëntitujt janë të redaksisë Jetapress/