Ballina Aktuale Rama: Disa idiotë përhapën një fakenews kriminal për ardhjen e një tërmeti...

Rama: Disa idiotë përhapën një fakenews kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues

SHPËRNDAJE

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj lajmit për ardhjen e një tërmeti shkatërrues, duke thënë se një idiot apo disa syresh së bashku, përhapën një Fakenews kriminal për ardhjen e një tërmeti shkatërrues dhe kallën mbrëmë panikun në shpirtin e shumëkujt prej qytetarëve të Shqipërisë.

Rama duke folur për menaxhimin që kanë bërë pas tërmetit, ka thënë se sot kanë vendosur që prindërit e fëmijëve më të vegjël dhe nxënësve të nëntëvjeçares në zonat më të prekura nga goditja sizmike, t’i çlirojnë nga detyrimi për të ardhur në zyra e në vendet e tyre të punës në administratën shtetërore, në mënyrë që ata të rrinë edhe një ditë të plotë me fëmijët e tyre, për të cilët dita e çerdhes, kopshtit e shkollës u bë ditë pushimi.

“Sot për Shqipërinë nis një ditë e zakonshme si të gjitha të tjerat dhe prandaj edhe unë, vendosa të rimarr udhëtimin e punës për në Nju Jork, ku do të takohem me Presidentin e Shteteve të Bashkuara e me të tjerë kryetarë shtetesh e qeverish apo personalitete me rëndësi, si edhe do të flas në emër të Shqipërisë në Kombet e Bashkuara”, ka shkruar ai.