Të martën e dy tetorit, në Prishtinë është zhvilluar nja takim në mes gazetares dhe kryetares së OJQ “Culturat”, Mihane Hoxha dhe koordinatorit të shoqërisë civile Nexhmedin Saqipi, i cili njëherit është edhe kryetar i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës.
Qëllimi i këtij takimi miqësor ishte krijimi i urave lidhëse midis sektorit joqeveritar në Kosovë dhe Luginë të Preshevës, koordinimi i aktiviteteve të përbashkëta dhe shkëmbimi i përvojave të ndërsjella.
Drejtuesja
e Shoqatës “Culturat”, Mihane Hoxha i njoftoi përfaqësuesit nga Lugina, për veprimtarinë
e kësaj organizate joqeveritare, duke përmendur disa nga projektet e realizuara
këto ditë si: “Siguria përmes kulturës”, ku janë zhvilluar disa
aktivitete kulturore, për nder të 20 vjetorit të themelimit të Policisë së
Kosovës.
Në mesin e këtyre aktiviteteve, veçoi: Hapjen e ekspozitës policore, në Muzeun Kombëtar të Kosovës me fotografi, uniforma, gazeta, broshura, revista etj prej themelimit të PK e deri më tani (1999-2019), pastaj aktivitetet kulturore me nxënës filloristë dhe gjimnazistë, krijimi i Mozaikut prej qeramikës 6 metra katror dhe realizimi i këngës dhe klipit për fëmijë nga vogëlushja Lori Hoxha.
Po ashtu në kuadër të këtij takimi të përbashkët u diskutua edhe për gjendjen e kulturës dhe informimit shqip në Luginë të Preshevës, e cila sipas koordinatorit të shoqërisë civile Nexhmedin Saqipi, nuk po zhvillohet ashtu siç duhet në mungesë të fondeve e projekte të posaçme në këtë drejtim.
Pas përfundimit të këtij takimi, përfaqësuesit e dy shoqatave kulturore e informative, që synojnë për një Memorandum përbashkët bashkëpunimi, vizituan Mozaikun prej qeramikës të punuar nga koordinatorja e projektit Mihane Hoxha, drejtuese e OJQ “Culturat”, njofton Jetapress.