Ballina Aktuale Myftiu Saqipi, pret në përgëzime subjektet politike me rastin e festës së...

Myftiu Saqipi, pret në përgëzime subjektet politike me rastin e festës së Fitër Bajramit

SHPËRNDAJE

Dje, me rastin e festës së Fitër Bajramit, Myftiu i Luginës së Preshevës Nexhmedin ef. Saqipi, priti përfaqësuesit e Partisë Demokratike, në krye me kryetarin Nagip Arifi, bartës i Listës për kryetar komune në Bujanoc, në zgjedhjet e 21 qershorit, të këtij viti.

Gjatë takimit me karakter solemn Myftiu Saqipi, i njoftoi përfaqësuesit e PD-së, lidhur me organizimin e festës së Fitër Bajramit dhe zhvillimet e tjera gjatë muajit të shenjtë të agjërimit, duke falënderuar krerët institucionalë për lejen e organizimit të faljes së Namazit të Fitër Bajramit dhe ceremonive të tjera fetare sipas rrethanave të parapara në kohë pandemie dhe betejës së përbashkët kundër virusit Korona dhe Covid – 19.

Gjithashtu, Myftiu Saqipi, gjatë ditës së sotme, priti në përgëzime përfaqësuesit e partisë Alternativës për Ndryshim, dega në Bujanoc, të udhëhequr nga kryetari i saj Arbër Pajaziti dhe aktivistët e tij. Në kuadër të këtij takimi u bisedua për atmosferën e muajit të agjërimit dhe festës së Fitër Bajramit në rrethanat e pandemisë dhe solidaritetin me institucionet në betejën kundër virusit vdekjeprurës të ashtuquajtur Korona.

Në vazhdën e këtyre takimeve Myftiu Saqipi, po sot priti edhe  një delegacion nga radhët e Unionit Demokratik Shqiptar, dega në Bujanoc në krye me bartësin e Listës për kryetar komune nga kjo parti Basri Veseli, si dhe me anëtarin e kryesisë së kësaj partie Nagip Aliun, që të dy ish pjesëtarë të UÇPMB-dhe ish zyrtarë të lartë komunalë.

Në këtë takim të përzemërt përfaqësuesit e UDSH-së, e falënderuan Myftiun Saqipi për bashkëpunim në realizimin e kërkesave të qytetarëve, sidomos në kohën e pandemisë, përmes solidaritetit dhe veprimeve të tjera në mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve, konform rekomandimeve të institucioneve të larta të shëndetësisë.

Në fund, Myftiu Saqipi i falënderoi përfaqësuesit e partive politike, duke u shprehur suksese në zgjedhjet lokale e parlamentare, që ato të zhvillohen të lira dhe demokratike, gjithnjë në frymën e unitetit dhe bashkëpunimit, njofton Jetapress.