Ballina Aktuale Sa vlen mendja e ndritur e një dijetari?!

Sa vlen mendja e ndritur e një dijetari?!

SHPËRNDAJE

Nga Nexhmedin Saqipi

Në shikim të parë askush nuk e konteston peshën që ka një dijetar. Në parim të gjithë janë në një mendje se dijetari është truri i një populli. Por sa çmohet sot një i ditur, një intelektual?

Mjerisht, për dallim nga kohët e mëparshme, intelektuali nuk është më meritor se sa një afarist, politikan, tregtar a matrapaz.

Në vendet Ballkanike ku ne jetojmë dhe veprojmë, dijetari, nuk zë vendin e merituar në shoqëri. Të paktë janë ata, të cilët përfshihen në pushtet, për të gëzuar ndonjë privilegj, famë, por jo edhe autoritet.

Sot një afarist mund të përfshihet në politikë, të emërohet në pozita të larta shtetërore, pa një gram shkollë dhe pas asnjë krijimtari shkencore dhe të krijoj famë, karrierë e kapital.

 Shoqëria jonë, mjerisht, e etur më shumë për para dhe luks se sa për dije e shkencë, nuk i respekton intelektualët e vet, duke i përbuzur, injoruar dhe braktisur nga vendi.

Jo vetëm kaq. Nëse një mendimtar, intelektual i vërtet, nuk është në një mendje me pushtetin, largohet nga puna, akuzohet, arrestohet e burgoset, duke u etiketuar për njeri të rrezikshëm dhe të dëmshëm për shtet e shoqëri.

Një dijetar, i cili nuk respektohet në vendin e tij të lindjes, nëse për shkak vështirësive jetësore arrin të vendoset me ndonjë shtet tjetër, më lehtë arrin të ngritet, të vlerësohet dhe të nderohet.

Marrim si shembull dijetarin e madh Sami bej Frashëri, i cili njihet si ideologu më i shquar i lëvizjes sonë kombëtare dhe si mendje e ndritur prej dijetari, ai mbetet një nga personalitetet më të rëndësishme, duke qenë funksionar dhe intelektual i Perandorisë Osmane.

Me tu vendosur në Stamboll e nisi punë në administratën osmane dhe i dhënë pas kulturës e gjuhës frënge nisi të përkthente Hygonë e autorë të tjerë botërorë, pastaj të merrej me gazetari, drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” në Stamboll, duke u marrë më pas edhe me shkrimin e romanit, dramës etj.

Sipas Wikipedia-s, Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.

Villa e Sami Frashërit në Erenkeoy, Stamboll

Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori “Kamus-i türki” përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht 1882); turqisht-frëngjisht 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e Sami Frashëri në gjuhën turke është Enciklopedia e tij “Kamus-ul alâm” (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend të dukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij.

Për të dëshmuar se Samiu ynë i madh ka pasur edhe kushte për punë, shihet vila e tij sot në Stamboll. Ndërsa, krijuesit e sotshëm, dijetarët, intelektualët, lëre që nuk kanë kushte për veprimtari krijuese, por ato nuk kanë zyre për veprim edhe nëse i kanë, mezi arrijnë t’i mbulojnë shpenzimet e qerasë e të mos flasim për botimin e veprave të tyre, të cilat jo rrallë, arrijnë të botohen vetëm pas vdekjes së autorit të tyre.

Po qe se pajtohemi se dijetari është truri i një populli, të paktën të mos tallemi me kushtet e tij jetësore!