Ballina Aktuale Liqeni i Ujmanit si Mulliri i Millanit!

Liqeni i Ujmanit si Mulliri i Millanit!

SHPËRNDAJE

Sociale

Nga Nexhmedin Saqipi

Arritja e Marrëveshjes ekonomike midis Prishtinës dhe Beogradit, në Washington, në prani të presidentit Tramp, nuk la pa u komentuar edhe nga shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët në mënyra të ndryshme dhanë vlerësimet e tyre lidhur me këtë ngjarje historike.

Shumica e komentatorëve, qoftë përmes reagimeve publike në portale, televizione e rrjetet e tyre sociale të facebookut, e mirëpritën një marrëveshje të tillë ekonomike, nga e cila priten vetëm të mira për zgjidhjen e kolapsit ekonomik, pa të cilin nuk ka stabilitet politik. Në këtë drejtim Luginasit e shprehin hapur disponimin për zgjidhjen e mosnjohjes së diplomave nga Beogradi, për studentët që mbarojnë studimet në Prishtinë, të cilët ishin të privuar për punësim dhe integrim.

Nga të gjitha pikat e Marrëveshjes historike të Washingtonit, zgjoi reagimi të shumta ajo e shfrytëzimit të Liqenit të Ujmanit, në mes shqiptarëve dhe serbëve në stilin fifti-fifti.

Lidhur me këto reagime u shpreh për Portalin Informativ Jetapress, koordinatori i shoqërisë Civile Nexhmedin Saqipi, i cili mori një shembull atraktiv bashkëpunimi ekonomik në mes shqiptarëve dhe serbëve dikur e tani në Komunën e Bujanocit, përkatësisht në Tërnoc, vendbanimin më të madh të shqiptarëve jo vetëm në Luginë.

“Për projekte të përbashkëta ekonomike, qoftë ato me karakter lokal ose rajonal, nuk duhet të përzihet politika. Uji dhe buka janë elemente jetësore, të njerëzve, të cilat ato i shohin pa syza politike dhe nacionale. Marrim si shembull Tërnocin, vendbanim etnikisht shqiptar, i cili ndahet nga një lum me vendbanimin fqinj Llapardinca, etnikisht i pastër serb, të cilat paraqesin dy bashkësi lokale, që i takojnë administrativisht Komunës së Bujanocit. Dy familje nga këto dy vendbanime, që nga kohët e hershme kanë arritur një marrëveshje të ndërtojnë një mulli, i cili do të shfrytëzohej nga të dy palët me një orar të përbashkët. Mulliri edhe pse quhej i Millanit, askujt nuk i ka penguar të ushqehet me millin e tij, qoftë në kohë paqeje, qoftë në kohë lufte. Për këtë marrëveshje bashkëpunimi multietnik, nuk është dashur të harxhohet shumë energji të intervenimit politik as nga faktorët vendor e as nga ata ndërkombëtarë. Por, politika është ajo, që i ndanë njerëzit për interesa të ndryshme, për çka i bënë njerëzit të vuajnë për ujë dhe për bukën e gojës. Ky shembull lokal mund të shërbej edhe për shembujt rajonalë të nivelit më të madh siç është ajo e Liqenit të Ujmanit e liqeneve të tjera të ngjashme, që po na ndajnë me kufij, në tokat e të parëve tanë”, u shpreh Koordinatori Saqipi, për Jetapress.

Në kontekst të bashkëpunimit ekonomik, po ashtu Koordinatori Saqipi, mori një shembull të një restoranti afër Nishit, i cili quhet “Pojata”, emri i të cilit nuk i pengon shqiptarët e serbët, të bëhen bashkë, pa praninë e ndërkombëtarëve për biseduar për biznes e punë të tjera nga më të ndjeshmet, që nuk mund ta merr me mend njeriu.

“Deri sa t’i prij përpara politika ekonomisë, gjërat nuk shkojnë si duhet, shpesh duke u përballur me ngërçe, kolapse, destabilizim e varfëri të skajshme. Por, kur ekonomia i prinë politikës me programe të ndryshme zhvillimore, sikur në shtetet me demokraci përparimtare, mendësitë politike nuk do ishin çfarë i kemi ne sot në Ballkan. Ky mentalitet Ballkanik, po na ndjek me shekuj e ne kurrsesi të reformohemi. Gjeneratat e reja po shkollohen nëpër qendra të ndryshme botërore dhe nuk po na shikojnë me sy veprimet e tone me defekte shoqërore, pasojat e të cilave po i heqim për mend. Ne shpesh ngatërrohemi për vezët dhe e lëmë të ikë pula, në vend që ta ruajmë atë e të na bëjë vezë për ditë. Deri sa ta kuptojmë mirë këtë mesele, do të vazhdojmë me avazin e vjetër për të luftuar për ujë e bukë e të tjerët po ecin me projekte të madh, duke ndërtuar godina mbi ujë e duke ngrënë bukë edhe në Hënë e planete të tjera. Çfarë paradoksi, apo jo?”, raporton Jetapress.