Ballina Aktuale Fillon zbatimi i marrëveshjes së Washingtonit, Serbia nis punën në ndërtesën e...

Fillon zbatimi i marrëveshjes së Washingtonit, Serbia nis punën në ndërtesën e re të kufirit në Merdarë

SHPËRNDAJE

Kapaciteti në pikëkalimin kufitar të Merdarës, mes Kosovës dhe Serbisë, është zgjeruar që prej 7 tetorit në anën serbe dhe zyrtarët serbë kanë filluar punën në objektin e ri, i cili ishte ndërtuar më parë me fondet e Bashkimit Evropian.

Në njoftimin e të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe thuhet se zgjerimi i kapacitetit është bërë në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar në Washington, me iniciativë të presidentit amerikan, Donald Trump.

“Serbia mbështet fuqimisht rrjedhën e përshpejtuar të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve dhe ne shpresojmë që në të ardhmen e afërt të ndërmerren hapa shtesë për të arritur këtë qëllim, si pjesë e iniciativës mini-Schengen, e cila duhet ta bëjë rajonin një vend më të mirë për të jetuar dhe për të bërë biznes. Ky mbetet prioritet i përbashkët i Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratën e kësaj zyre, raporton Zeri.info.

Për këtë ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, i cili vendimin e Serbisë e quajti lajm të mrekullueshëm.

“Duke e shtuar numrin e stafit në Merdarë, Serbia do të ndihmojë në zhvillimin e tregtisë dhe mallrave në rajon, që është edhe pjesa kyçe e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë. Është ky një hap i rëndësishëm drejt prosperitetit dhe stabilitetit”, shkroi Godfrey në Twitter.

Edhe Richard Grenell e përshëndeti këtë hap.

“Hap i madh. Duke iu falënderuar Donald Trumpit, Serbia e bëri kalimin kufitar të Merdarës operativ. Faleminderit Aleksandar Vuçiq”, shkroi Grenell në Twitter. /Zëri