Ballina Aktuale Hoti pas takimit me Lajçakun, thotë se Asociacioni s’do të ketë kompetenca...

Hoti pas takimit me Lajçakun, thotë se Asociacioni s’do të ketë kompetenca ekzekutive

SHPËRNDAJE

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka folur për mediat pas takimit të sotëm me emisarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Hoti ka thënë se vizita e Lajçakut në Prishtinë është në momentin e duhur për të bërë një vlerësim për procesin e dialogut dhe për të bërë plane për takimet e ardhshme në Bruksel.

Hoti ka thënë se procesi i dialogut nuk është i lehtë dhe se temave të vështira do t’i qaset me parimet e qarta që sipas tij i ka treguar para qytetarëve dhe Kuvendit, duke paralajmëruar se gjatë këtij procesi do të merren edhe me tema të vështira siç është edhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, raporton Zeri.info.

“Ky nuk është proces i lehtë, ka tema të vështira siç është Asociacioni dhe tema të tjera, por të gjithave do t’i qasemi bazuar në parimet e qarta që i kemi bërë para qytetarëve dhe Kuvendit. Kosova nuk është palë që bllokon procesin e dialogut, Kosova është protagoniste kryesore drejt marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke. Gjatë këtij procesi duhet të merremi me tema të vështira, prandaj jemi këtu”, ka thënë Hoti në konferencën për media.

Hoti ka përsëritur qëndrimin e tij se Asociacioni është temë e mbyllur, por nuk ka mohuar nëse për formimin e saj do të diskutohet në Bruksel.

“Asociacioni është temë e mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013, që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, dhe pastaj marrëveshja e parimeve në vitin 2015 dhe opinioni i Gjykatë Kushtetuese mbi këtë çështje. I kemi të gjitha garancitë dhe mbështetjen e partnerëve tanë se ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Nuk diskutohet karakteri unitar i Kosovës. Nuk kam ndërruar mendje, gjithmonë e kam pasur këtë qëndrim”, është shprehur Hoti./Zëri