Ballina Opinione Mjaft me tifozëri të sëmurë!

Mjaft me tifozëri të sëmurë!

SHPËRNDAJE

Nga: Thanas L. Gjika

Tifozëria (tifozllëku), kur përjetohet me tepri e bën njeriun të sëmurë mendërisht, pa e kuptuar ai vetë. Kur një person është tifoz i sëmurë, pra simpatizant i tepruar ndaj një ideje, njeriu, grupi shoqëror, ose partie politike, kjo e bën atë të pakënshëm në shoqëri. Një tifoz i sëmurë është i pakëndshëm në shoqëri sepse ai shpreh simpati të tepruar për një ide, person, grup shoqëror, ose parti politike pa dhënë argumente logjike dhe fakte reale, por vetëm se ashtu i është mbushur mendja atij. Me një fjalë, një tifoz i sëmurë mund të quhet njeri me tru të shpëlarë, që nuk ha logjikë, po shprehet e vepron vetëm sipas disa idesh fikse që i janë ngulur në kokë prej kohësh dhe nuk pranon të ndërrojë mendimin, opinionin e vet, nuk pranon të evoluojë në përputhje me rrethanat shoqërore.

Tifozi i sëmurë është i keqi i vetes dhe i familjes, sepse ai zihet dhe me njerëzit e familjes që mendojnë ndryshe, por kur tifozëria bëhet pjesë e mendësisë së një grupi të madh shoqëror, ajo kthehet në një dukuri me pasoja shkatërrimtare për mbarë shoqërinë e një vendi. Kur tifozëria merr përmasa globale bëhet rrezik për mbarë njerëzimin, si u bë komunismi në vitet 1945-1989.

Të gjithë ne që u lindëm e u formuam në shkollën socialiste gjatë regjimit komunist, u brumosëm me dashje a padashje me simpati të tepruar ndaj ideologjisë socialiste-komuniste. Kur na pyesnin vizitorët e huaj që na takonin: “Si jeni?, ne u përgjigjeshim: “Mirë, shumë mirë”. Këtë përgjigje e jepnim sepse ashtu mendonim, sepse nuk e dinim se sa të varfër ishim, se sa shumë të drejta na mungonin. Ne ishim njerëz me tru të shpëlarë. Ne ishim të tillë sepse ishim bombarduar gjatë gjithë jetës nga propaganda e partisë-shtet e cila e paraqiste jetën e botës kapitaliste si jetë në vuajtje, ku masat e popullit shtypeshin e shfrytëzoheshin nga kapitalistët. Në këto vende ne dëgjonim se masatpopullore ishin të pakënaqura dhe ngriheshin në greva, etj. Kjo propagandë na i mbushte mendjen se ne që jetonim në sistemin socialist ishim njerëz të kënaqur, sepse edhe pse na mungonin disa gjëra, ne punonim e sakrifikonim për të ardhmen e lumtur komuniste. Me një fjalë, ne nuk e kuptonim se njeriu në kapitalizëm ngrihej në greva sepse kishte të drejtën e grevës, të cilën e shfrytëzonte për të përmirësuar jetën e vet. Kurse ne votonim për kandidatët që ishin vënë në listë pa na pyetur kush, dhe nuk e vrisnim mendjen se ne nuk e kishim të drejtën e votës së lirë.

Në vitet 1990-1992 edhe në Shqipëri u pranua se sistemi socialist kapitulloi si sistem politiko-shoqëror dhe si ideologji. Pas vitit 1992 edhe në Shqipëri u krijuan kushte që shumë shqiptarë me shkollim mesatar e të lartë të ecnin në rrugën e re të formimit larg programeve të partisë-shtet. Por njerëzit që i kishin shërbyer sistemit të vjetër, duke mos pasur kurajo që të pranonin gabimet e krimet që kishin bërë në kohën kur ishin shërbëtorë të regjimit komunist, filluan të luftonin për ta paraqitur sistemin socialist si sistem më të mirë se sistemi i ri i ekonomisë së tregut të lirë. Këta njerëz mbas vitit 1992 kur u ndërrua regjimi, u bënë edhe më tifozë të sëmurë të socializmit. Duke qenë shumicë, ata e dëmtuan ecurinë e demokracisë së brishtë, mbushën partitë e reja opozitare me ish-komunistë e ish-sigurimsa dhe arritën të krijonin një klasë politike që i shërben enverizmit, mban gjallë nostalgjinë komuniste dhe i mban masat popullore të trembura, trushpëlara, që nuk e njohin forcën e votës së lirë.

Kam frikë se në Shqipëri ka shumë pak njerëz që punojnë për të kthjelluar popullin nga tifozëria e sëmurë prosocialiste, kështu që më 25 prill votuesit shqiptarë mund t’ua japin votën po shërbëtorëve të enverizmit, prej të cilëve kanë vuajtur 75 vjet, të cilët pas viteve 1990-1991 quhen socialistë pa qenë eurosocialistë, ose demokratë pa qenë demokratë të vertetë…