Ballina Lajme Nga Rajoni Ngjela: Askush nuk e njeh Berishën – nëse Basha firmos, bie dorëheqja...

Ngjela: Askush nuk e njeh Berishën – nëse Basha firmos, bie dorëheqja dhe rimerr drejtimin e PD

SHPËRNDAJE

Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka komentuar ditën e djeshme situatën në Partinë Demokratike, duke nisur nga vendimi i Gjykatës së Apelit deri tek afati i Komisionit Qendor të Zgjedhjeve për regjistrimin në zgjedhje.

Teksa ishte i ftuar dje në një studio televizive, Ngjela duke u ndaluar te vendimi i Apelit, theksoi se asnjë gjykatë nuk njeh partinë e Sali Berishës, pra “Foltoren”.

“Ligjin nuk e lejon Saliu, do partinë qe e njeh gjykata. Jo çdo turmë njerëzish është parti. Partia duhet të jetë person juridik, që e njeh gjykata, nuk e njeh ndonjë gjykatë partinë e Saliut. Dihej që do ndodhte kështu pasi nëse gjykata do vepronte ndryshe do të përbënte vepër penale. Gjykata e Apelit nuk e shkeli dot ligjin”, deklaroi ai.

Sa i takon zhvillimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesë së kreut të këtij institucioni, Ilirjan Celibashi, Ngjela theksoi se nëse Lulzim Basha firmos, ai bëhet kryetar i Partisë Demokratike.

“Tani vijmë te ky 48 orëshi, pra KQZ u ka dhënë afat që të paraqitet kryetari i PD. Nëse Basha firmos, ligjërisht PD aktuale që është me kryetar të komanduar, merr fund, hyn në zgjedhje. Por çfarë ndodh tjetër. Ipso jure Basha është kryetar i PD. Sepse ligji nuk ka qenë i zbatuar deri në fund në dorëheqjen e Bashës. Në regjistrat e këtyre partive është PD me kryetar Bashën. Nuk e ka rrëzuar ndonjë gjykatë ende. Basha nesër vete firmos dhe në ato moment kthehet kryetar i PD. Ipso fakto është Alibeaj. Firmosi nesër ky, është kryetar i PD. Ipso jure është kryetar, se çdo bëjnë kompromise Basha me Alibeajn është një problem që nuk e diskutojmë dot sot”, nënvizoi Ngjela.

Kujtojmë se Celibashi dy ditë më parë mori një vendi të dyshimtë. Ai kërkon që Basha të dalë sërish në skenë, por grupi i Alibeajt nuk pranon. Kjo do të thotë se nuk do të ketë plotësim dokumentacioni, ndërkohë që vetë kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka kërcënuar me mosregjistrim të PD nëse nuk vjen një autorizim me firmën e Lulzim Bashës.