Ballina Lajme Nga Bota Borrell: Kina nuk mund të ndërmjetësojë mes Ukrainës dhe Rusisë

Borrell: Kina nuk mund të ndërmjetësojë mes Ukrainës dhe Rusisë

SHPËRNDAJE

Kina nuk është në gjendje të ndërmjetësojë midis Ukrainës dhe Rusisë, sepse “nuk bën dallim midis agresorit dhe viktimës”, tha kryediplomati i Bashkimit Evropian.

Por, Josep Borrell tha se Kina duhet të përdorë ndikimin e saj mbi Rusinë për të bërë presion për paqe, raporton Sky News, përcjell Bota sot.

Komentet e tij pasojnë thirrjet e bëra nga kryeministri spanjoll për presidentin Xi Jinping që të pranojë ftesën e Volodymyr Zelenksyt në Kiev dhe të angazhohet në bisedime mbi planin e paqes të liderit ukrainas.

Borrell i tha një paneli në Madrid se plani i Zelenskyt ishte i vetmi në tryezë. Ai do të shohë Ukrainën të rikthehet në kufijtë e saj të para vitit 2014, përpara se Rusia të aneksonte Krimenë.

Pekini paraqiti planin e tij të paqes muajin e kaluar dhe bëri thirrje për një armëpushim, por SHBA e sheh çdo armëpushim si një mundësi për Rusinë që të rigrupojë trupat e saj.