Ballina Histori Prishtina, Prizreni, Dibra dhe Ohri në verën e vitit 1916

Prishtina, Prizreni, Dibra dhe Ohri në verën e vitit 1916

SHPËRNDAJE

Perikli Çilev (Перикли Чилев) lindi në vitin 1864 në qytetin e Krushevës, atëherë në Perandorinë Osmane. Mbaroi shkollën greke në Krushevë, ndërsa në vitin 1880 gjimnazin e Selanikut. Më 1884 u diplomua në Universitetin e Athinës për filologji klasike. Punoi mësues në Krushevë dhe Manastir prej vitit 1883 deri në vitin 1904. Gjatë vitit 1894 u shpërngul në Bullgari dhe nga 1 shtatori 1894 deri në fund të jetës së tij ligjëroi gjuhët klasike në Liceun e Sofjes. Çilev fliste shqip, greqisht, turqisht, frëngjisht, rumanisht, gjermanisht dhe latinisht. Ishte njëri ndër themeluesit e Institutit Shkencor Maqedonas. Vdiq në Sofje në vitin 1925. Në vijim po sjellim përshkrime të udhëtimit të tij nëpër viset shqiptare që autori e quan “udhëtim etnografik”, që ai e ndërmori në verën e vitit 1916

Shkipni – Shkipëri

Prej 12 korrikut deri më 11 gusht të vitit 1916 e ndërmora një udhëtim etnografik nëpër vendbanimet shqiptare të Prishtinës, Prizrenit, Dibrës dhe Ohrit. Rezultatet e këtij hulumtimi ne do t’i paraqesim në rreshtat e mëposhtëm.

Zonat që i vizitova janë të populluara masivisht me shqiptarë, shumica e të cilëve i përkasin fisit Gegë, dhe vetëm pjesërisht fisit Toskë (në krahinën e Ohrit). Për nga përkatësia fetare ata janë myslimanë, katolikë (në Ferizaj dhe Prizren) dhe ortodoksë (në Rekën e Epërme, Dibër dhe Pogradec e rrethinë).

Të dy fiset e quajnë veten shkiptarë, ndërsa prej popujve të tjerë ata quhen alvanë, albanezi, aranuti, arbanashi. Duket se emri shqiptar rrjedh nga fjala shqipe shkiponjë (shqiponjë). Emri shqiptarët dhe derivatet e emërtimeve tjera e kanë origjinën prej shprehjes latine albus, a, um (e bardhë) edhe sipas të gjitha gjasave, romakët duke u mbështetur në veshmbathjen e ngjyrës së bardhë njëherësh ua dhanë emrin edhe ilirëve. Prej shprehjes Albanus vjen shprehja greke Αλβανόσ, Αλβανήτης, arvanit, arnaut etj.

Image
Prizren, 1915

Kështu Gegët (në Prizren, Prishtinë, Dibër) vendin e tyre e quajnë Shkipni, kurse Toskët (në Ohër) – Shkipëri. Si Gegët si Toskët i quajnë bullgarët shkie!

Vendbanime shqiptare ka edhe në rrethinën e Shkupit. Ata kanë mbetur në viset malore qysh nga lashtësia. Për shembull ekziston një legjendë për Grykën e Kaçanikut, se kur turqit pushtuan fushën e Kosovës, iu dhanë leje shqiptarëve që ta ruanin grykën duke ia marrë çdo kalimtari nga një grosh. Kjo gjë, thonë të moshuarit, ishte shkruar në bakër. Shqiptarët e konsiderojnë veten autoktonë në këto vende.

Në qytetin e Prishtinës, shumica e shqiptarëve janë myslimanë, por e vërteta është se ata i identifikojnë interesat e tyre me ato të turqve. Edhe pse flasin shqip, prishtinasit i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla turke. Elementi turk, i cili u vendos këtu nga Azia e Vogël, është i pakët në numër, ndaj ai nuk ushtron ndonjë ndikim të veçantë, por megjithatë privilegjet turke i tërhoqën shqiptarët drejt turqizimit të tyre!

Laramania etnike e Janjevës

Në fshatin Janjevë (15 kilometra larg Prishtinës) ka shumë pak shqiptarë katolikë të ardhur nga Prizreni, të cilët vazhdimisht janë turqizuar. Këtu kanë mbetur vetëm 40 shtëpi shqiptaro-myslimane. Popullsia tjetër në këtë fshat është katolike-serbe dhe të tillë numërohen rreth 400 banorë. (Çilev nuk i ka marrë parasysh rrethanat e krijuara në Kosovën e pas vitit 1912, kur për shkaqe të presioneve të ndryshme të kishës dhe pushtetit serb sidomos në vitet 1912 – 1941. Kroatët në Janjevë u shtrënguan të deklaroheshin si serbë, S. L). Këta banorë e flasin mirë shqipen, por edhe jashtë vendit ata e identifikojnë veten si të tillë edhe pse në përgjithësi ata janë serbë katolikë! Në kishën dhe shkollën e tyre flitet dhe mësohet gjuha kroate, por veshja e tyre është shqiptare! Një gjë e tillë vërehet edhe në vise të tjera shqiptare, ku bullgarët i kanë përvetësuar kostumet shqiptare për të mos u njohur se çfarë përkatësie janë dhe kjo vërehet kur ata dalin në vende publike! Madje edhe në Manastir pelegrinët që nisen drejt Shqipërisë, vishen me kostume shqiptare. Në Janjevë fola në shqip me një grua nga Mirdita, e cila e quajti veten fandeshë, burrat quhen fandë, ndërkaq prej banorëve të tjerë ata quhen fandi (nga Fani i Mirditës – S. L). Ajo më shpjegoi se si shumë gra të tjera shqiptare katolike ka qenë e martuar me një kroat në fshatin Janevë, por në shtëpi ata tashmë flasin serbisht. Prifti i fshatit, Luka Filiq më njoftoi se në krahinën e Gjilanit akoma ka kriptokatolikë apo laramanë. Familje të tilla ai i njeh në fshatin e afërt Androvec. Prifti katolik fshehurazi, i maskuar me rroba civile, shkon t’u japë kungimin kriptokatolikëve, ndërsa hoxha publikisht ua lexon lutjet të vdekurve. Po kështu, prifti fshehurazi kurorëzon dhe pagëzon, ndërsa hoxha haptazi i kryen ritet myslimane. Kriptokatolikë të ngjashëm ka edhe në fshatrat Dunavë dhe Letnicë, ku ndodhet edhe një manastir i vjetër katolik. Në përgjithësi, këto të dhëna na i lejojnë që të konkludojmë se Gegët e këtyre zonave para se ta pranonin islamin kanë qenë katolikë.

Në krahinën e Prishtinës akoma është zakon që të thuhet: “E kemi nga Lekë Dukagjini” ose “Kanuni i Lekës”, që do të thotë legjislacioni i Lekë Dukagjinit.

Në kishën e qytetit të Prishtinës, gjendet një shënim i shkruar në greqisht nga Papa Nikolla ku thuhet: “Më 1843, më 28 gusht, ndodhën trazira dhe plaçkitje. Shqiptarët të udhëhequr nga prijës i çalë e sulmuan kishën, por Zoti e verboi atë, kështu që kryengritësit – nuk mund të gjenin rrobat e kishës që ishin në shkollë”. (Sipas njohurive tona, mbishkrimi në kishën e Prishtinës i përket kohës së Kryengritjes së Dervish Carës dhe ka të bëjë me prijësin e kryengritjes në viset e Luginës së Preshevës, Anamoravës dhe Gollakut, Sylejman Tolin nga Tërnoci i Bujanocit për të cilin historiani Aleksandar Matokovski duke u thirrur në burimet e huaja diplomatike të kohës, ka shkruar se “njëri nga udhëheqësit e Dervish Carës, Soliman Toli (Tërnoca), në verën e vitit 1843, në fshatrat rreth Vranjës, Prizrenit dhe Prishtinës, fliste me ashpërsi të veçantë kundër të gjitha tatimeve, duke i bindur fshatarët që të mos paguajnë më shumë se 5 piastra në vit” – S. L)

Image
Dibra gjatë Luftës së Parë Botërore

Kriptokatolikët, myslimanët e ardhshëm që do të emigrojnë për në Turqi dhe arumunët e Zeçishtës së Prizrenit

Në qytetin e Ferizajt jetojnë 135 shqiptarë – katolikë, ndërsa shqiptarët myslimanë janë shumicë. Deri para dhjetë vjetësh, në fshatin Lloshkobare (5 kilometra larg Ferizajt) kanë qenë 50 familje kriptokatolike, por tani ata janë myslimanë të hapur, të vendosur për të emigruar në Turqi dhe kjo do të ndodhë nëse fshati i tyre nuk do të përfshihet në Shqipëri. (Autori e ka pasur parasysh ndarjen e zonave okupuese në viset shqiptare përgjatë Luftës së Parë Botërore midis Bullgarisë dhe Austro-Hungarisë – S. L.).

Këto informacione prej shqiptarëve i kam dëgjuar në shumë vende. Nedelço Rashev nga qyteti i Ferizajt më tha se ai ka qenë rrogëtar në një shtëpi kriptokatolike në fshatin Lloshkobare, e cila e festonte festën e “Shën Dhimitrit”. Ndeleço iu kishte blerë atyre qirinj dhe gjëra të tjera për festë, por këto blerje ai i kishte bërë fshehurazi, që të mos merrej vesh prej turqve pasi festat fetare shënoheshin fshehurazi. Edhe në fshatrat e tjera, deri para njëzet vjetësh këtu ka pasur kriptokatolikë, përkatësisht në Slivovë dhe Papaz, por ata tani janë besimtarë të zbuluar myslimanë.

Në Prizren situata është pothuajse e njëjtë si në Prishtinë. Në këtë qytet jetojnë 120 familje arumune të ardhura para një shekulli nga qyteti i Voskopojës. Veshja e arumunëve këtu është shqiptare. Para okupimit serb ata e kishin një shkollë dhe dy kisha greke. Dhe në fshatrat përreth Mamushë, Orturushë dhe Zeçishtë ka pasur arumunë, por ata tashmë janë serbizuar! Katër familje arumune janë ruajtur vetëm në fshatin Zeçishtë. Me siguri se këto janë mbetjet e fundit të vllehëve mesjetarë pranë malit të Sharrit.

Gjatë sundimit turk, shqiptarët myslimanë nga Prizreni ishin të përjashtuar nga të gjitha taksat, si dhe nga shërbimi ushtarak. Shqiptarët prizrenas shkuan si vullnetarë ose e formuan gardën e Sulltanit.

Në Prizren janë rreth 150 shqiptarë katolikë. Edhe këtu katolikët janë të kënaqur me sundimin bullgar (përgjatë Luftës së Parë Botërore, Prizreni me rrethinë ishte përfshirë nën zonën okupuese bullgare – S. L.) por shqiptarët katolikë prizrenas më herët kanë qenë të persekutuar shumë nga ana e serbëve.

Edhe rreth malit të Sharrit gjenden fshatra shqiptare me emra që mund të shpjegohen vetëm në gjuhën shqipe.

Njëzet fshatrat e ortodoksëve shqiptarë në Rekë të Epërme

Në rrethin e Gostivarit, fshati Duf është i banuar me shqiptarë (Gegë) ortodoksë ekzarkistë, të shpërndarë në katër mëhallë në distancë njëra prej tjetrës në një deri në dy kilometra, të vendosura rreth malit njësoj siç janë mëhallët në Prizren, por po ashtu edhe në shumë vendbanime shqiptare myslimane. Për dallim prej grave që flasin keq bullgarisht, në Duf burrat megjithatë e flasin mirë bullgarishten. Veshja e burrave nuk ndryshon nga veshja e fshatrave të tjera, por veshja e grave ndryshon. Dufi është vendbanimi i parë ortodoks shqiptar, ndërsa në Rekë të Epërme radhiten edhe njëzet fshatra të pastra shqiptare ortodokse ose të përziera me popullsi shqiptare myslimane. Me interes të veçantë janë tri fshatra bullgare që ndodhen pranë fshatit Duf, në një luginë, në radhë të parë për shkak të vendndodhjes dhe toponimisë së tyre. Tri fshatrat në fjalë quhen Leunovë, Nikiforovë dhe Mavrovë. Emri i parë duhet të rrjedhë nga Leon, emri që e mbanin perandorët bizantinë, emri i dytë – nga Nicephorus (Nikiphorus-Phocas) dhe i treti nga fjala greke μαΰρος (i zi).

Pellgu i Mavrovës ka një rëndësi të madhe strategjike. Këtu turqit vazhdimisht kanë organizuar roje, po ashtu edhe serbët, por edhe bullgarët tani. Sipas të gjitha gjasave, roje këtu kanë pasur edhe bizantinët, ndoshta edhe Filipi i Maqedonisë për t’u mbrojtur prej ilirëve. Këtu është rruga e shqiptarëve, kur ata sulmojnë drejt Gostivarit dhe Kërçovës.

Vija apo linja që nis prej fshatit Duf, deri në Elbasan njëherësh i ka ndarë ortodoksët nga katolikët. Prandaj, njëzet vjet më parë, këtu janë hasur edhe kripto-ortodoksët, të cilët tashmë publikisht janë ortodoksë (në rajonin e Spatës) ose haptazi myslimanë në zonat e tjera.

Image
Ohri në kartolinën e vitit 1916

Nacionalistët shqiptarë dibranë janë të pafe!

Në krahinën e Dibrës kam qenë në kontakt me torbeshët. Shqiptarët ortodoksë ma shpjeguan emrin torbesh që do të thotë çantë (trastë), pra sipas shpjegimeve të tyre ata e kanë pranuar islamin për një çantë gjizë! Bile midis të krishterëve ortodoksë shqiptarë këtu ekziston një shprehje shumë e popullarizuar që thotë: “Bëhu turk për mish, e jo për gjizë!”

Shqiptarët shpeshherë e përdorin fjalën “po” në të folurin e tyre me kuptimin “por”, “e vërtetë”. Kështu unë e pata rastin që të bisedoja me disa vllehë tiranas dhe prej tyre shpeshherë e dëgjova shprehjen “po” në gjuhën arumune. Prandaj duke u mbështetur në këtë shprehje, bullgarët e turqizuar quhen apovianë, të cilët në të folurit e tyre në bullgarisht përdorin shpesh fjalën shqipe “po”, sipas shembullit të shqiptarëve.

Në qytetin e Dibrës, popullsia myslimane është një përzierje e shqiptarëve – myslimanë, të bullgarëve të turqizuar dhe turqve. Këtu fisi i shqiptarëve Gegë bën përjashtim prej përzierjes etnike të sipërpërmendur. Shqiptarët myslimanë në qytetin e Dibrës shtiren si turq, i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat ​​turke dhe i urrejnë ata pak shqiptarë nacionalistë që ndodhen në këtë qytet.

Në Dibër dhe rrethinat e saj, shqiptarët nacionalistë konsiderohen si njerëz të pafe, kurse alfabeti latin, i cili është marrë nga shqiptarët, konsiderohet si antiislamikë. Në Dibër, në anën e lumit të Drinit, gratë shqiptare myslimane dalin krejtësisht të zbuluara. Veshja e këtyre grave është e njëjtë me veshjen e grave bullgare (me qëndisje të mëdha në skajet e fustaneve të bardha). Gratë shqiptare këtu mbajnë përparëse të ngjashme me ato të Karakaçanit (Karakaçnët, barinj që jetojnë në trekëndëshin Bullgari, Greqi dhe Maqedonia e Veriut – S. L.).

Si turqit, po ashtu, edhe serbët e korruptuan popullsinë shqiptare në këtë zonë dhe e nxitën fanatizmin fetar kundër nacionalistëve shqiptarë! Në kohën e sundimit turk, banorët e qytetit të Dibrës luanin me pushtetarët si macja me miun, gjë që pushteti turk për ata nuk kishte asnjë kuptim! Kur Qeveria turke donte të ndërtonte rrugë të mira për në Dibër, ata gjithmonë rezistonin duke menduar se në këtë mënyrë turqit e bënin këtë për të sjellë armë artilerie, prej të cilave frikësoheshin të gjithë shqiptarët. Protesta më e zakonshme e dibranëve kundër masave të autoriteteve ishte mbyllja e dyqaneve derisa të plotësoheshin kërkesat e shtruara varësisht nga koha. Formula se një masë e caktuar e pushtetit është kundër sheriatit, praktikohet akoma. Kur në muajin korrik të këtij viti në qytetin e Dibrës u shfaq sëmundja ngjitëse e tifos dhe me këtë rast duhej të izoloheshin gratë e sëmura, udhëheqësit myslimanë deklaruan se kjo ishte kundër sheriatit, kështu që komandanti i qytetit dhe mjeku u detyruan të bisedonin enkas me udhëheqësit fetarë për këtë çështje. Mënyra e shpëtimit u gjet si në vijim: të rejat e infektuara në spital duhet patjetër të shoqëroheshin nga një grua e moshuar!

Ashtu si në Prizren edhe këtu e pata rastin të takoj shqiptarë të ndryshëm nga Mirdita dhe Luma. Veçanërisht interesante ishin informacionet që mora në lidhje me Lyrën e Poshtme dhe të Epërme. Fshatrat në këto zona qeverisen nga kmetët, të cilët quhen qefali (nga fjala greke χεφαλή – kokë). Në këto zona, si ndonjëherë në vendbanimet e tjera shqiptare, mosmarrëveshjet midis popullsisë zgjidhen sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit. Gjyqtari (pajtimtari) që e merr të drejtën ta zgjidhë ndonjë konflikt quhet plak (kryeplak). Gjyqtari paguhet nga të dyja palët dhe vendimi i tij është përfundimtar. Mosmarrëveshjet lindin për gjakmarrje, vjedhje, shkurorëzim etj. Dënimet e vendosura nga ana e kryepleqve quhen gjobë (shprehje e njëjtë sikur në bullgarisht glloba)! Në kohët e kaluara, kundërshtuesit i drejtoheshin gjithmonë gjykatësit “plakut”, por prej disa kohësh ata i drejtohen atij vetëm në rastet kur pala e kundërt nuk është e barabartë, sepse më i forti zakonisht imponon të drejtën e tij. Pra, shikuar në përgjithësi vërehet se gjyqtari i popullit në njëfarë mënyre është kthyer në arbitër.

Veleshtarët – kamxhik kundër bullgarëve dhe shqiptarët e bullgarizuar të Ohrit

Në dalje nga Gryka e Drinit duke shkuar drejt qytetit të Strugës, në një distancë prej tetë kilometrave ndodhet fshati Veleshtë, i banuar prej shqiptarëve myslimanë (230 shtëpi). Para Luftës Ballkanike, banorët e këtij fshati ishin kamxhik i vërtetë për tërë rrethinën bullgare. Qoftë edhe nëse dikush kalonte rrugës nëpër fshat, veleshtarët nuk lejonin që kaurrët të kalonin andej, prandaj i detyronin që ata të kalonin jashtë fshatit të tyre! Kostumi i burrave nga fshati Trebishtë është i zi edhe atë jo vetëm lurka (veshja e sipërme), por ngjyrë të zezë kanë edhe pantallonat. Për sa u përket gjuhës dhe shtatit, banorët e këtushëm iu afrohen Toskëve. Për veshjen e sipërme me ngjyrë të zezë, këtu është e njohur legjenda, se deri në kohën e Skënderbeut banorët kishin mbajtur të veshura rroba të bardha por që nga disfata prej turqve në shenjë zie ata filluan të vishnin në rroba të zeza! Pranë fshatit Veleshtë ndodhet fshati arumun Belicë e Poshtme.

Në qytetin e Ohrit myslimanët shqiptarë u turqizuan, kurse shqiptarët të krishterë u bullgarizuan! Në këtë qytet gjuha shqipe dëgjohet rrallëherë. Është për t’u habitur që romët këtu flasin shqip. Kjo dukuri etnografike u bë e qartë kur i pyeta dhe mësova se romët që vinin nga fshati Starovë dhe nga fshatrat e tjera shqiptare flisnin shqip dhe e konsideronin këtë gjuhë si të tyren!

Pogradeci dhe rrethina në vitin 1916

Në fshatin e madh të Pogradecit, përballë Ohrit, ka katërqind shtëpi shqiptare (myslimane dhe ortodokse) dhe vetëm njëzet arumune. Shqiptarët këtu i përkasin fisit Toskë. Në zonën përreth ka shtatë fshatra me popullsi shqiptare ortodokse, por popullsia e fshatrave të tjera po ashtu janë shqiptarë, por të besimit mysliman. Përjashtim bëjnë vetëm dy fshatrat Langa dhe Grabova që janë arumune. Në fshatrat shqiptare myslimane ka ende gjurmë të krishterimit. Në fshatin Sllatinë një familje quhet “Prifti”. Në disa fshatra banorët ende agjërojnë dhe me shumë kujdes e respektojnë të Premten e Madhe, Shën Elian dhe festat e tjera, duke mos dashur që ta harrojnë besimin e vjetër dhe që atyre të mos iu ndodhë ndonjë e keqe.

Në fshatin Pogradec, shqiptarët politikisht ndahen: nacionalistë të pastër, nacionalistë osmanë dhe ish-grekofilë. Këta të fundit, janë zhgënjyer nga nacionalizmi shqiptar, prandaj ata e dëshirojnë një jetë të qetë dhe të organizuar rreth një kishe e një shkolle bullgare. Në Pogradec popullata mbanë kostume – fustanella të shqiptarëve të jugut, si dhe qeleshe të bardha e të pastolisura.

Në krahinën e Manastirit, bile deri në fushën e Prilepit gjenden fshatra shqiptare të kolonizuara kohëve të fundit. Disa nacionalistë shqiptarë me të drejtë e kanë vënë re se Turqia i kishte ndjekur iluministët nëpër trojet shqiptare me qëllim që ata t’i shndërrojë në armë të verbër të Islamit. Shqiptarët janë përgjithësisht të panënshtrueshëm, të pamësuar t’iu binden ligjeve, veçanërisht atyre të vendosura nga sundimtari i tyre.

Botuar në Известия на Народния етнографски музей, книга VI, София, 1926, f. 107 – 112.

Përktheu dhe përgatiti: Skënder Latifi