Ballina Opinione Pse kultura shqiptare duhet të ndryshojë?

Pse kultura shqiptare duhet të ndryshojë?

SHPËRNDAJE

Nga: Sead Zimeri

Nuk bëhet asnjë ndryshim kuptimplotë pa u ndryshuar nënvetëdija jonë kolektive. Nënvetëdija nuk ndryshohet lehtë, pasi që ajo është një lloj rezervoari i ndjenjave, i mendimeve të padëshirueshme, që i kemi shtypur në mënyrë që të jetojmë një jetë sa më normale. Nënvetëdia është rezervoari i instinktive, i lirisë së pakufijshme, i dëshirës së pakontrolluar për pushet. Qytetërimi dhe kultura kufizon, përmban dhe shtyp këto impulse dhe prirje që duan të dalin jashtë kontrollit të vetëdijes. Kjo anë e errët e njeriut nuk zhduket nga jeta jonë, por ajo shtypet, arrestohet, por njëkohësisht ajo vazhdimisht përpiqet’i thyej prangat dhe zingjirët që e mbajnë të shtypur.

Nuk është lehtë aspak ta ndryshosh përmbajtjen e nënvetëdijes, madje ndoshta një gjë e tillë është e pamundur. Psikologjia dhe psikoanaliza mund të na ndihmojnë që ta mbajmë më mirë nën kontroll, por as ato nuk mund ta ndryshojnë atë që e kemi shtypur tërë jetën tonë. Por ato mund të na ndihmojnë që ta vështrojmë dhe interpretojmë përmbajtjen e saj në mënyrë që të jetojmë më lehtë, që ta pranojmë pa shumë rezistencë domosdoshmërimë e shtypjes së impulseve që kërcënojnë jetën shoqërore dhe kulturore.

Kultura është mekanizëm që ndërmjetëson dhe ngre ura mes vetëdijes dhe nënvetëdijes. Shtypja e impulseve destruktive është e domosdoshme për sigurinë e tjetrit dhe mundësinë e bashkëjetesës në paqe. Njeriu mund të ketë lloj lloj dëshirash dhe impulse që në mungesë të kontrollit racional dhe kulturor do të shkaktonin rrëmujë dhe bënin kërdi. Prandaj edhe duhet të ekzistojë një kontinuitet mes racionalitetit individual dhe kontrollit shoqëror dhe kulturor. Kultura duhet të gjejë një ekuilibër të përshtatshëm mes përmbushjes së nevojave biologjike dhe përmbushjes së nevojave për bashkëjetesë.

Mirëmbajtja e këtij ekuilibri është çështje delikate, dhe nuk ekziston një mënyrë e vetme që i përgjigjet njeriut në çdo fazë të zhvillimit të tij. Prandaj kulturat janë të ndryshme dhe plurale. Ideja e një kulture të vetme është nonsense, absurditet. Detyrimisht do të ketë kultura të ndryshme, sepse secila kulturë bën përshtatjet e duhura për ta mbajtur këtë ekuilibër si konstancë mes vetëdijes dhe nënvetëdijes.

Por disa kultura ngurtësohen dhe e marrin veten për të shenjtë, duke i keqinterpretuar kështu ritet dhe zakonet si diçka që qëndrojnë përtej zhvillimeve historike dhe dinamikës mes vetëdijes dhe nënvetëdijes. Kultura kështu reifikohet, shenjtërohet, fetishizohet dhe, më në fund, ngurtësohet. Kur kultura shndërrohet në fetish ajo më nuk arrinë ta kryejë detyrën e saj për të cilën ekziston, dmth, ndërmjetësimin mes impulseve për t’i thyer të gjitha tabutë dhe domosdoshmërisë për ta siguruar paqën dhe bashkëjetesën. Përkundrazi kur ajo bën presion më të madh apo më të vogël sesa është e domosdoshme për mirëmbajtjen e paqës dhe bashkëjetesës, ajo fillon ta luajë rolin e kundërt nga ajo që ajo duhet ta luajë dhe rrezikon paqën dhe bashkëjetesën. Ajo fillon ta turbullojë nënvetëdijen dhe ta humb kontrollin mbi të. Shtypja e madhe krijon rezistencë të madhe dhe shpërthime sporadike që minojnë paqën dhe bashkëjetesën. Shtypja e vogël krijon despotë që shtypin të tjerët e që po ashtu minon bashkëjetesën dhe paqën. Kultura shqiptare është kapur në paradoksin e shtypjes së madhe të gruas dhe shtypjes së vogël të burrit.

Dhuna ndaj gruas që po e hasim me kaq frekuencë në kulturën shqiptare tregon që kultura shqiptare, me të gjitha institucionet e saja, është ngurtësuar, është fetishizuar, dhe si rrjedhojë ajo është dobësuar, ka humbur autoritetin dhe legjitimitetin e saj në mirëmbjtjen e detyrës së saj. Ajo më nuk është dinamike, por është mumifikuar si kufomë. Ne e nderojmë atë ashtu siç e nderojmë dhe respektojmë një kufomë, por njëkohësisht e mbajmë larg vetes, nuk duam ta marrim shumë seriozisht, sepse kufomat nuk e kanë vendin midis të gjallëve.

Kultura shqiptare është e pafuqishme prandaj edhe ajo në heshtje i toleron dhe pranon gjithë këto vrasje ndaj gruas. Ajo i toleron dhe pranon dhunën që shkaktohet nga burri i cili nuk ka gjetur në kulturën e tij mekanizmin mbrojtës kundër ndryshimeve që kanë ndodhur përreth tij. Gruaja ka liri më të madhe sot dhe fituar të drejta që ajo nuk i kishte më parë, dhe kjo ka shkaktuar çarje në kulturën dhe nënvetëdijen kulturore shqiptare. Por pasi që kultura nuk ka ndryshur bashkë me ndryshimet që kanë ndodhur përreth, ajo është dëshmur e paaftë të ndërmjetësojë mes këtyre ndryshimeve. Burri ka mbetur me një kulturë të moçme, me një kulturë ku ai ishte zoti dhe gruaja shërbëtorja e tij. Por kur gruaja më nuk pranon të jetë shërbëtore e tij, ai përdor mekanizmat që ai i ka në dispozicion për ta përforcuar rolin e tij tradicional. Në të kaluarën gruas i është dhënë më pak liri se burrit të saj, prandaj kur ajo merr më shumë liri kjo ia merr burrit privilegjet kulturore dhe e detyron t’i shtypë nën nënvetëdije privilegjet e tij të mëparshme. E bën të ndjehet më pak i lirë. Burrit nuk i konvenon që ta ndryshojë kulturën tradicionale.

Ja një shembull: më parë nuk ishte as problem juridik dhe as problem kulturor që burri ta disiplinonte gruan e tij përmes dhunës fizike, sikur që nuk ishte problem që ai ta përdhunonte atë në kurorë, sepse sapo ajo bëhej bashkëshorte ajo humbte të drejtën mbi trupin e saj. Trupi i saj bëhej pronë e burrit të saj dhe ai e shfrytëzonte atë ashtu siç ai e shihte të nevojshme. Kultura nuk e dënonte një veprim të këtillë, madje ajo e enkurajonte që burri të jetë burrë, dmth që burri ta ushtrojë pushtetin e tij të plotë mbi gruan e tij. Sa më shumë që ai ishte burrë, aq më i madh pushteti i tij mbi gruan e tij.

Ideali kulturor i burrit shqiptar është ideal që e bën gruan shërbëtore, dhe i kërkon asaj respektimin dhe nënshtrimin ndaj burrit pavarësisht pozitës së tij në shoqëri. Koncepti apo ideali burrë është një nga konceptet me përmbajtje më të dhunshme në kulturën shqiptare, prandaj ajo duhet të çlirohet nga ky bagazh kulturor. Kur i thua djalit bëhu burrë i mirë, këshilla yte në mënyrë implicite legjitimon dhunën ndaj gruas. Bëhu burrë i mirë do të thotë, bëhu ushtrues i mirë dhunës, kuptohet në të shumtën e rasteve simbolike, ndaj gruas tënde, mbaje atë nën kontroll të ngushtë dhe mos e lejo kurrë të kërkojë liri që përmbys privilegjet tua mbi të.

Ka ardhur koha që kultura shqiptare t’i lajë hesapet me të kaluarën e saj, të fillojë një proces të dhimbshëm të reflektimit mbi presupozimet e saj, ta kuptojë drejtë rolin e saj dhe të largohet nga fetishizimi i të kaluarës ngaqë tani për tani përveç dhunës fetishizimi i kulturës nuk solli asnjë mirë. Kultura duhet të zgjohet nga letargjia në të cilën ka rënë dhe të bëhet dinamike në mënyrë që ta kryej detyrën e saj me përgjegjësi dhe integritet.